Emri i drejtorit të përgjithshëm sportiv të Lazios, dhe njëherësh ish-futbollisti i njohur të Kombëtares kuqezi, Igli Tare, përmendet në dosjen e Prokurorisë së Katanias, lidhur me rrjetin mafioz që është shkatërruar këtë të mërkurë, lidhur me bastet sportive online.
Mes mijërave faqesh përgjime, ndër të tjera, organi i akuzës italiane përmendet edhe Igli Tare dhe vëllai i tij Genti Tare, aktualisht konsull nderi në Turqi, transmeton Gazeta Shqiptare.
Konkretisht, në një ndër faqet e dosjes hetimore, lidhur me përfshirjen e Shqipërisë dhe vëllezërve Tare thuhet: “Kontaktet e para regjistrohen me avokatin Mirko Daidone të cilit Fabruzio Gerolla i drejtohet duke i kërkuar informacione mbi një shoqëri bastesh të drejtuara nga vëllezërit Tare, me 400 dyqane në të gjithë Shqipërinë, e interesuar për t’u përhapur nën emrin BET 1128. Shoqëria shqiptare, për të cilën është i interesuar Gerolla, është Top Bast. Rezulton që Top Bast ka një kapital prej 22 milionë lekë, e ndarë në 22000 kuat me vlerë nomolane 1000 leke secila, në zotërim të Ermal Bajramit. Nga faktet, shoqëria është e vëllezërve Genti dhe Igli Tare, respektivisht konsull i Shqipërisë në Turqi dhe drejtor sportiv i Lazios”.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, skema e mashtrimit, ishte e ndërtuar me anë të një kompanie të regjistruar në Curacao, e cila është në pronësi të një kompanie shqiptare “Remonte Betting solution”, që përdorej nga grupet mafioze.
Vlera totale e pasurisë së sekuestruar është të paktën 1 miliard euro.
Ndërkohë që mendohet se kjo skemë mafioze ka sjellë të ardhura që kapin shifrën e mbi 4 miliardë euro, shumë kjo e investuar në pjesën më të madhe në pasuri të paluajtshme.
Gjatë operacionit, janë arrestuar 68 persona, ndërkohë që aktiviteti shtrihej në mbi 10 vende të ndryshme në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë.