Sipas studimit të fundit të bërë nga Instituti për Hulumtime Strategjike dhe Edukim (ISIE) 68% e të rinjve të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë në Maqedoni, do të largoheshin nga vendi po që se marrin një ofertë për të punuar jashtë vendit, ndërsa 20% vetëm se janë përgatitur për ta braktisin vendin, transmeton Medial.mk Ky studim është bërë në bashkëpunim me Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” dhe Qendra zvicerane për ekspertizë në shkencat sociale nga Lozana. Sociologu zviceran Dr.Michael Ochsner konsideron se hulumtimi është bërë me qëllim për t’i identifikuar shkaqet se pse të rinjtë dëshirojnë të largohen nga vendi, por njëkohësisht dhe për të intervenuar shteti në këtë rast. “Rëndësia e këtij hulumtimi është në atë se ndihmon të identifikohen punët të cilat duhet të ndryshohen, për të arritur të sigurohen kushte për të rinjtë në Maqedoni përmes të cilave do të mund të mbeten këtu dhe ta bëjnë punën e tyre në vend se të mendojnë se si të ikin nga vendi dhe të gjejnë punë”, tha Oschsner. Prof.Dr Misho Dokmanoviq, shpjegoi se qëllimi i studimit është që të shihet potenciali i ikjes së trurit nga kuadrot që formohen në shtet në shkencat shoqërore. “Ikja e trurit” nuk është i përqendruar vetëm në mjekësi, shkencat teknike ose sektorin e TIK, po paraqitet potencial i ri për ‘ikjen e trurit’ edhe në kuadër të shkencave shoqërore”, tha Dokmanoviq. Ndërkohë, aktivisti qytetar Nikolla Pisarev, thekson se në Maqedoni ekzistojnë shkaqe të panumërta për të cilat mund të braktiset ky shtet. “Të rinjtë kanë disa arsye pse shpërngulen nga Maqedonia dhe nuk shpërngulen vetëm ata por edhe ata më të rriturit mbi 30-40 vjet. Varfëria, papunësia, mos vlerësimi i mundit në punë, këto janë disa prej faktorëve për të cilat ikin qytetarët e Maqedonisë. Kur të shihni se vetëm me libreza partiake mund të arrihet deri në punësim, në anën tjetër të arsimuarit shumë rëndë mund të depërtojnë dhe për këtë shumë qytetarë të këtij vendi fatin e kërkojnë jashtë këtij vendi”, ka thënë për Medial.mk, Pisarev. Të anketuarit në këtë studim kanë qenë me arsim të lartë, profesorë universitarë, asistentë, hulumtues kryesisht nga mosha 45 deri në moshën 60 vjeçare si dhe nga 31 deri më 45 vjet. Në këtë anketë kanë qenë të përfshira shkencat politike, ekonomi, psikologji…, kurse anketa është dërguar në universitetet private dhe ato shtetërore, në qendra hulumtuese si dhe në Shoqata joqeveritare që merren me hulumtim. Si përfundim faktorët që ndikojnë në këtë “ikje të trurit” është mungesa e financimit për hulumtim, mundësitë më të mëdha jashtë vendit, si dhe jetë më e mirë. Më shumë se 70% e të anketuarve, madje do të dëshironin të jetojnë në BE, SHBA dhe Australi.