Shkup, 18 nëntor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot pati takim me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, që është vazhdim i bisedimeve që kanë filluar në takimin e liderëve që u mbajt në Kuvend më 7 nëntor 2022.
Siç informojnë nga Qeveria, ky takim është njëri nga një sërë takimesh të cilat kryeministri, Kovaçevski do t’i realizojë gjatë periudhës së ardhshme me kryetarët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Parlament, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me bisedat thelbësore që lidhen me të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Në takim kryeministri Kovaçevski dhe Taravari kanë biseduar për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, për hapat që duhet të merren gjatë periudhës së ardhshme dhe vendimet e tjera të cilat duhet të merren në një konsensus të gjerë shoqëror dhe politik”, thonë nga Qeveria.
Ata kanë shtuar se temë e bisedimeve ka qenë lufta aktive kundër korrupsionit dhe përforcimi i qeverisjes të së drejtës në shtet.
Ndryshe, nga atje theksuan se në takim është biseduar edhe për ligjet e bllokuara në Kuvend të cilat janë në interes të qytetarëve dhe prosperitetin e shtetit, si edhe për nevojën e bashkëpunimit më të madh midis partive parlamentare lidhur me zhbllokimin e së njëjtave.