Në përleshjet e sotme në Paris ndërmjet protestuesve dhe policisë gjatë protestës të “jelekëve të verdhë” për shkak të rritjes së taksës për naftë janë lënduar së paku 65 persona, prej të cilëve 11 policë.
Janë arrestuar më shumë se njëqind protestues.
Përplasjet shpërthyen kur një grup më i vogël i protestuesve vendosën barrikada në rrugë në qendrën e Parisit dhe dogjën goma.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës kundër protestuesve të cilët tentuan ta thyenin kordonin e sigurisë në Fushat e Eliseut.
Autoritetet franceze frikohen se pjesëtarë të ultra të djathtës dhe të majtës po tentojnë të përfshihen në lëvizjen “jelekët e verdhë” të cilët protestojnë për shkak të rritjes së taksave të naftës.
Policia përdori gaz lotsjellës edhe kundër “jelekëve të verdhë” para Portës Triumfale, të cilët hodhën gurë ndaj pjesëtarëve të forcave të sigurisë.