Shkup, 5 mars – Për momentin jemi duke punuar dhe jemi shumë afër përfundimit të projektit të ri për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, ndërsa me rishikimin e Buxhetit për vitin 2018, do të parashihet shuma e saktë e parave buxhetore që do shkojnë për fillimin e ndërtimit të këtij aksi rrugor që lidh Maqedoninë me Kosovën. Kështu ka thënë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sipas të cilit, në fillim të vitit 2019, ekziston mundësia që autostrada të fillohet të ndërtohet.
“Drejtoria për Rrugë Shtetërore po ashtu do të fillojë me sanimin e këtij aksi rrugor për të cilën shteti me Buxhetin e vitit 2018 ka ndarë 3 milionë euro për riparimin e rrugës Shkup-Bllacë”, ka thënë Bekteshi. Për këtë rrugë të hënën ka folur edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, i cili ka informuar se projekti për ndërtimin e autostradës Shkup- Bllacë në distancë prej 13 kilometrave është gati dhe se e njëjta pritet të kushtojë 63 milionë euro. “Ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe jorastësisht është i vendosur si prioritet numër një i Qeverisë aktuale. Kemi biseduar edhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i njëjti të financohet në vlerë prej 63 milionë euro sa është vlerësimi parë i financave të nevojshme për të filluar me ndërtimin e këtij aksi rrugor”, thotë Angjushev. Ndërtimi i kësaj autostrade me mjete buxhetore, sipas Angjushev, në radhë të parë është me interes të veçantë për Maqedoninë, sepse siç është shprehur ai, Kosova është partneri më i madh i Maqedonisë sa i përket këmbimit tregtar. “Është turp që në shekullin 22, një distancë rrugore prej 90 kilometra ta bëni për dy orë. Turpi më i madh është kur tanimë veç kemi informata të sakta se nga ana kosovare janë gati ta lëshojnë në përdorim autostradën nga Prishtina deri në Han të Elezit, gjegjësisht deri në vendkalimin Bllacë që lidh Kosovën me Maqedoninë, ndërsa Maqedonia vetëm se duhej ta kishte përfunduar këtë autostradë shumë vite më parë se Kosova, por për shkak se Qeveria e mëparshme nuk ka pasur projekt final, por vetëm dokumentacionin teknik – kjo nuk është bërë. Tani ne kemi projektin final dhe pasi ta kalon revizionin, paratë për ndërtimin e kësaj rruge në gjatësi prej 13 kilometrave do të sigurohen nga ana e Qeverisë dhe vitin e ardhshëm – do të fillohet me ndërtimin e autostradës shumë të përfolur gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit”, tha Angjushev. (koha.mk)