Nga Rexhep TORTE
Me Dr. Zekeria Cana në verën e vitit 1996 u takova në kafe-barin e Pallatit të Shtypit në Prishtinë. Profesorin e njihja që moti dhe me këtë rast bëra një intervistë lidhur me themelimin dhe aktivitetet e Shoqatës “Përpjekja”, shoqatë kjo e studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit. Këtë intervistë e kisha humbur pa dashur dhe, për fat të mirë, e gjeta ditë më parë, duke rregulluar bibliotekën shtëpiake dhe materialet e mia gazetareske. Meqë kjo intervistë përkon me 60-vjetorin e themelimit të “Përpjekjes”, vendosa ta botoj në gazetën KOHA, thjeshtë që lexuesi të mund të njihen më hollësisht me hapat e kësaj shoqate.
Lidhur me themelimin dhe aktivitetet e “Përpjekjes”, Shoqatë e studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit, dr. Zekeria Cana deklaroi se “Përpjekja” është themeluar në Beograd më 22 nëntor 1957. Ishte e para shoqatë e studentëve shqiptarë në ish Jugosllavi dhe si shoqatë letrare, e cila u themelua në konviktin e studentëve në Beogradin e Ri, ku strehoheshin 9000 studentë dhe që quhej Qyteti i Studentëve. Këtu ishin vendosur edhe shumë studentë shqiptarë, të cilët ishin shqetësuar nga politika shoviniste në Jugosllavi, e që shprehej nëpërmjet terrorit në Kosovë, aksionit tmerrues të mbledhjes së armëve, që detyroi një numër të madh të shqiptarëve nga të gjitha trojet tona që të shpërngulen në Turqi dhe nëpër vendet tjera. Si studentë kishim si objektiv të parë që sa më shpejtë t’i kryejmë studimet e të kthehemi në Kosovë si kuadro profesionale dhe e dyta, që të themelojmë një shoqatë letrare për t’u organizuar dhe vepruar në frymën kombëtare dhe politike. Fillimisht zgjodhëm Këshillin nismëtar për themelimin e kësaj shoqate. Qëllimi ynë ishte që kjo shoqatë të themelohet më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, por për të mos shkaktuar ndonjë provokim të panevojshëm, ramë dakord që këtë shoqatë ta themelojmë më 22 nëntor. Vendosëm që në Kryesi të marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha fakultetet. Latif Berisha u zgjodh kryetar, Zekeria Cana, sekretar, Nahire Kabashi, arkëtare, si dhe Fatmir Agolli, Ali Aliu, Engjëll Berisha, Rifat Osmani dhe Agim Gjakova, anëtarë të Kryesisë. Pas kësaj e informuam Këshillin Universitar të Lidhjes së Studentëve të Universitetit të Beogradit. Për themelimin e “Përpjekjes” patëm një përkrahje të fuqishme të Sytki Imamit, në banesën e të cilit takoheshim vazhdimisht, pastaj përkrahjen e Mehmet Hoxhës për sigurimin e mjeteve financiare, por edhe të Fadil Hoxhës, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, i cili gjithashtu na përkrahte financiarisht. Ramiz Kelmendi, redaktor i atëhershëm i “Rilindjes”, ndihmoi duke bërë jehonë me botimin e informatave për themelimin e “Përpjekjes”. Selia e “Përpjekjes” ishte në Bllokun e Dytë të Qytetit të Studentëve, një dhomë e vogël me disa tavolina dhe karrige, ndërsa Musli Mulliqi, piktor, i vendosi edhe portretet e Migjenit dhe të Esat Mekulit. Lidhur me pagëzimin e kësaj shoqate patëm disa emra, biseduam në Seminarin e Albanologjisë dhe me Anton Çetën, ndërsa Hilmi Agani insistonte, me çka u pajtuam edhe ne të gjithë, që kjo Shoqatë të pagëzohet “Përpjekja”. I porositëm edhe vulat e shoqatës, atë të rrumbullakët dhe atë katrore, ku shkruante serbisht dhe shqip, Lidhja e Studentëve të Jugosllavisë – Shoqata letrare “Përpjekja”- Beograd. Qëllimi ynë ishte që “Përpjekja” të jetë shoqatë vatër e studentëve shqiptarë në Jugosllavi. Asokohe ishim të detyruar që lidhur me emrin “Përpjekja” të japin edhe shpjegime në qarqet universitare, sepse dikush ua kishte mbushur mendjen se përmbajtja e kësaj fjale do të thotë tentativë – pokushaj, u shpreh Zekeria Cana.
Pas kësaj, vazhdoi Zekeria Cana, “siguruam pa pagesë të gjitha gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe që botoheshin asokohe. Kjo shoqatë nuk ishte vetëm vend ku lexoheshin tekstet e shkruara letrare shqipe, por ishte edhe një vatër për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe odë e ngrohtë, në të cilën mblidheshin, bisedonin, vëllazëroheshin dhe miqësoheshin studentët dhe studentet nga të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi. Në nëntor të vitit 1957 u bë hapi i dytë strategjik dhe taktik, me guxim dhe mençuri, duke ngritur një bërthamë letrare, shoqatë letrare në Universitetin e Beogradit. Bërthama ishte grupi i vogël letrar pranë Seminarit të Albanologjisë, i themeluar nga albanologu Henrik Bariç, pas të cilit erdhën Vojisllav Dançetoviç, Idriz Ajeti dhe Anton Çeta. Në sallën e mësimeve të këtij seminari organizoheshin mbrëmje letrare me poezi dhe prozë, nga ku dolën shkrimtarët tanë Enver Gjerqeku, Rexhep Hoxha, Murat Isaku, Martin Camaj, Ramiz Kelmendi, Rexhai Surroi, Din Mehmeti, Latif Berisha, Muhamet Kërveshi, Adem Demaçi, Mensur Raifi, Hysni Hoxha, Agim Gjakova, Ali Aliu, Xhevat Tahiri, Nebil Duraku, Zekeria Cana etj. Këtu lexonin shkrimet e veta edhe Mehmet Hoxha dhe Sytki Imami, autor i “Drejt ditëve të reja”, libër i parë i tregimeve që u botuan në Kosovë”, theksoi Zekeria Cana.
Aktiviteti i parë
I pyetur për fillimin e aktiviteteve, Zekeria Cana shtoi se “në dhjetor të vitit 1957 “Përpjekja” bëri turneun e parë në Shkup. Ali Aliu u dërgua për t’i bërë parapërgatitjet e nevojshme. Mikpritëse ishte Lidhja e studentëve dhe Klubi i saj letrar, me në krye Zhivko Çingo. Mbrëmja letrare u organizua në sallën e madhe të shkollës Normale Shqipe, që ishte përplot me normalistë, studentë, arsimtarë dhe qytetarë shqiptarë. Të nesërmen u pritëm në redaksinë “Flaka e Vëllazërimit” nga kryeredaktori Myrteza Peza, i cili pas disa ditësh, në faqet e kësaj gazete botoi fragmente nga poezitë dhe prozat e lexuara në këtë mbrëmje letrare. Në pranverën e vitit 1958 u organizua turneu i dytë letrar në Kosovë. Asokohe mbajtëm orë letrare në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë. Qëllimi ynë që të vendosim kontakte sa më të ngushta me rininë shqiptare, me normalistët dhe gjimnazistët. Në Prishtinë u zhvillua një bisedë e gjatë me Adem Demaçin, i cili kishte ndërprerë studimet e Letërsisë Botërore në Beograd dhe kishte filluar punë në “Rilindje”. Gjatë mbrëmjes letrare në Prishtinë, bashkë me nxënësit ishin të pranishëm edhe profesorët Tajar Hatipi, Rexhep Hoxha, Demush Shala, Hasan Mekuli, Enver Gjerqeku etj. Ali Aliu, pas leximit të tregimit të tij, mori duartrokitje frenetike, sepse fliste toskërishten, gjuhë e cila nuk lejohej të flitej në Kosovë. Në këto takime që organizoheshin, shkëmbenim mendime dhe kërkesë që edhe një grup letrarësh të rinj nga Kosova ta vizitojë “Përpjekjen” në Beograd, por kjo nuk u realizua kurrë, për shkak të pengesës nga ana e funksionarëve tanë në Kosovë. Pastaj vizituam Prizrenin, Therandën e dikurshme Ilire, qytetin e Lidhjes së Parë dhe të Dytë Shqiptare. Suksese patëm edhe në Gjakovë, Pejë e Mitrovicë.
Asokohe, për shkak të mungesës së financimit, ne udhëtonim me trenin e klasit të dytë, ushqeheshim nëpër gjellëtore private dhe flinim nëpër bujtina private. Në pranverën e vitit 1958, “Përpjekja” mori pjesë në Festivalin Letrar të Rinisë Studentore në Shabac, me ç’rast tregimi “Hyri” i Agim Gjakovës mori shpërblimin e parë. Asokohe gazeta “Studenti” e Beogradit filloi botimin e disa poezive dhe novelave të shkurtra të anëtarëve të “Përpjekjes” dhe Vehap Shita, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, u angazhua dhe organizoi mbrëmjen e përbashkët letrare me “Përpjekjen” në Beograd. Shoqata “Përpjekja”, përveç organizimit të mbrëmjeve letrare, kujdesej edhe për regjistrimin dhe vendosjen e studentëve të rinj në konvikte, organizonte pritjen e tyre, duke e ndarë me ta bukën e gojës dhe krevatin. Organizohej edhe pritja e Vitit të Ri, por edhe piknikë, ku studentët shoqëroheshin mes veti. Ekzistonte gatishmëria edhe për t’u ndihmuar të sëmurëve që vinin nga Kosova dhe shtriheshin në spitalet e Beogradit. “Përpjekja” bënte organizimin edhe për vizitat në teatër, operë, koncerte të muzikës serioze, ekspozita të artit dhe ndjekjen e tribunave dhe ligjëratave të ndryshme shkencore. Gjatë pushimeve verore, anëtarët e “Përpjekjes” vazhdonin aktivitetet e tyre në klubet e studentëve nëpër qytetet nga të cilët vinin. Atyre viteve Qyteti i Studentëve kishte edhe radiostacionin e vet, në altoparlantët e të cilit dëgjoheshin edhe këngë shqipe, regjistrime nga Radio Tirana, të siguruara nga Sevime Kabashi, studente e Akademisë së Muzikës në Beograd”, tregoi Zekeria Cana.
Dalja e gazetës “Përpjekja”
Duke folur për përgatitjet për botimin e një gazete të “Përpjekjes”, Zekeria Cana, tha se “asokohe ekzistonte edhe ideja për botimin e një gazete të “Përpjekjes”, në fillim si gazetë mujore e pastaj dy javore, me përmbajtje nga letërsia, arti, kultura, historia, filozofia dhe më pastaj edhe për çështjet politike. U përgatit elaborati dhe u bënë takime me Mika Tripallon, kryetarin e Lidhjes së Rinisë së Jugosllavisë, i cili u tregua fjalëmirë dhe u zotua për mbështetje financiare e morale. Pritnim edhe përkrahjen e udhëheqësve të Kosovës, por ata nuk na përmbajtën. Në takimin që patën përfaqësuesit e “Përpjekjes” në hotelin “Ballkan” në Beograd me udhëheqësit nga Kosova, Kolë Shiroka, Ali Shukriu, Xhavit Nimani dhe Veli Deva, ata jo vetëm që nuk e pëlqyen botimin e një organi të ri në gjuhën shqipe, por i qortuan përfaqësuesit e “Përpjekjes” me frymën e kritikës komuniste dhe e vlerësuan këtë dëshirë të studentëve si një “guxim të tepruar”. Edhe në takimin e dytë që u mbajt në Prishtinë, udhëheqësit shqiptarë morën qëndrim që ky organ i “Përpjekjes” të mos botohet. Fadil Hoxha nuk u ngatërrua në këtë punë dhe kjo tregoi qartë se “Përpjekja” për qarqet politike dhe shtetërore dhe veçanërisht për UDB-ën ishte halë në sy. Strukturat e UDB-ës u vunë në lëvizje, duke angazhuar provokatorë dhe bashkëpunëtorë të tyre, mjerisht studentë shqiptarë, të cilët dihen me emra dhe mbiemra, gjë që është një e vërtetë shumë e hidhur”, citoi Zekeria Cana.
Goditjet e UDB-ës
I pyetur për survejimet e UDB-së, Zekeria Cana shpjegoi se “burgosja e Adem Demaçit ishte goditja e parë kundër “Përpjekjes”. Pastaj vijuan thirrjet në “biseda informative” të anëtarëve më aktivë, kërcënimet dhe keqtrajtimet e tyre me lloj-lloj metodash në ambientet e UDB-ës në rrugën “Brankova” në Beograd. Me rekrutimin e studentëve spiunë merrej njëfarë Zakiqi nga Prizreni, Xhavit Shabani nga Gjilani dhe Moma Çanoviçi nga Prishtina. Pastaj u burgos Agim Gjakova, sekretar i “Përpjekjes” dhe Ali Aliu dhe torturimi i tyre u zhvillua në burgun qendror famëkeq, të quajtur CZ. Ata më vonë u liruan në mungesë të provave, por u përjashtuan nga konvikti. Fushata e tërbuar vazhdoi me “diferencimin” ideopolitik. “Përpjekja” i kishte rrënjët e thella, prandaj u qëndroi stoikisht erërave të forta nga të katër anët që dëshironin ta shkulnin. ”Përpjekja u forcua edhe më shumë falë punës së brezave të ardhshëm, të veprimtarëve të devotshëm që ndoqën rrugën e pararendësve të tyre jo vetëm duke e lartësuar “Përpjekjen”, por duke e zgjeruar atë në shoqatë letrare-muzikore. Më vonë u formua edhe seksioni i dramës. Edhe pse aktiviteti i “Përpjekjes” deri në vitet 60-ta u ngadalësua, pas Plenumit IV të Brioneve (1966), ajo vazhdoi aktivitetin me një hov të fuqishëm. Në vitin 1967 kryetar i “Përpjekjes” u zgjodh Rexhep Torte, i cili në mandatin e tij u dha një hov lakmues këtyre aktiviteteve. Në këtë kohë kjo Shoqatë u zgjerua në shoqatë letrare-muzikore “Përpjekja”, duke e shfrytëzuar numrin e madh të studentëve shqiptarë që studionin në Akademinë e Muzikës në Beograd dhe që ishin mjeshtër të shumtë të instrumenteve muzikore, si edhe një numër të konsiderueshëm të talentëve letrarë. Me këtë rast, me ndihmën e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, në krye të të cilit ishte Fadil Hoxha, u ndihmua financiarisht blerja e instrumenteve të nevojshme për grupin muzikor të këngëve popullore, të veshjes kombëtare dhe të grupit të muzikës zbavitëse. Kjo e shtoi edhe më shumë larminë dhe jehonën e kësaj shoqate, me përfshirjen e një numri të madh muzicientësh dhe këngëtarësh, që u dëshmua me dhënien e një numri të madh të koncerteve në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë, nëpër qytetet e Kosovës dhe në Shkup e Dibër në Maqedoni. Asokohe u rrit bashkëpunimi i ngushtë i “Përpjekjes” me shoqatat simotra të Prishtinës, Shkupit, Zagrebit, Sarajevës, Lubjanës. Organizimi i Takimeve të Majit, shfaqja e koncerteve, recitaleve dhe pjesëve teatrale, para punëtorëve dhe qytetarëve shqiptarë në Beograd, turnetë e herëpashershme në Kosovë dhe Maqedoni, duke mbajtur mbrëmje letrare dhe duke shfaqur koncerte muzikore. Në këtë periudhë u shënua edhe kremtimi i 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në vitin 1967 u shënua 10-vjetori i themelimit të “Përpjekjes”, ndërsa në vitin 1977, u shënua 20-vjetori i saj. Më 1979 doli numri i parë i gazetës “Përpjekja”.
Goditja e fundit e UDB-së
Lidhur me aktivitetet e UDB-ës jugosllave kundër “Përpjekjes”, Zekeria Cana, tregoi se “pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, edhe ndaj “Përpjekjes” filloi sërish rrebeshi i luftës me moton kundër “Nacionalizmit dhe irredentizmit” shqiptar si edhe fushata e tërbuar antishqiptare që u shkallëzua deri në racizëm. Nga studentët shqiptarë të Universitetit të Beogradit, por edhe të Zagrebit kërkohej me diktat që t’i dënonin demonstratat e Kosovës, por studentët shqiptarë ishin të bashkuar si një grusht dhe nuk doli askush që të jetë në shërbim të politikës shoviniste jugosllave. Zagrebi u tregua më brutal, i burgosi aktivistët e Shoqatës “Shkëndija”. Beogradi e nisi me të butë dhe e mbaroi me të keq. Fillimisht u kërkua që “Përpjekja” të shkrihej në Shoqërinë studentore “Zhikica Jovanoviç-Shpanac” dhe kur kjo tentativë shkoi huq, ajo u akuzua se gjoja ishte shumë e mbyllur, si shoqatë e ekskluzivitetit rajonal dhe nacional. Pas kësaj nuk u lejua organizimi i Takimeve tradicionale të Majit as kremtimi i 25 vjetorit të shoqatës. Shtypi i verdhë i Beogradit, me në krye “Veçernje Novosti”, shkruante se shkakun e shkallëzimit të nacionalizmit serb në Qytetin e Studentëve, duhet kërkuar në ngjarjet “kundërrevolucionare” në Kosovë dhe sidomos te ekzistimi i “Përpjekjes”. Pas kësaj “Përpjekja” u shpall si shoqatë tërësisht private dhe u shpall e jashtëligjshme. Më 4 shtator 1985 asaj iu vu çelësi përgjithmonë”, tha në fund dr. Zekeria Cana. (koha.mk)