Ne gjithmonë flasim për shifra marramendëse të shpenzimeve në futboll, për rekorde të reja që përmbysin vit pas viti njëri-tjetrin, sa i takon çmimit të një transferimi. Kështu ndodhi edhe verë e kaluar në merkaton e futbollit, me kalimin e Nejmar nga Barcelona te PSZH për 22 milionë euro, shifër rekord. Disa trajnerë janë të zotët të fitojnë trofe me më pak shpenzime, disa të tjerë shquhen për paratë e mëdha në dispozicion, për të ribërë skuadra nga fillimi. Në ndonjë rast, kjo gjë nuk rezulton efikase, ose e thënë më mirë, kostoja e trofeut bëhet mjaft e madhe. Prestigjiozja spanjolle, “Marca”, përmes rubrikës së vet “Marca Buzz”, ka hetuar dhe evidentuar disa skuadra, që kanë bërë shpenzime “shtazarake”, sikurse e konsideron ajo, për blerje të lojtarëve të ndryshëm. “Ne duhet të kujtojmë se shumë nga faji i dështimeve të shpenzimeve “shtazarake” bie mbi trajnerët, të cilët kërkojnë lojtarë të caktuar. Në vitet e fundit, këta trajnerë janë zbrazësit më të mëdhenj të portofolave të klubeve, që u kanë besuar atyre drejtimin”, – shkruan “Marca”, duke vijuar me përcaktimet e mëposhtme.
- Hoze Murinjo ka shpenzuar 903 milionë euro (për blerje lojtarësh) si trajner i këtyre skuadrave: Çellsi, Real Madrid (interesant fakti se nuk përkon me shpenzimet më të mëdha: Ronaldo dhe Bejll) dhe Interi
- Karlo Ançelotti shpenzoi 881 milionë euro në stolat drejtues të Milanit, Çellsit, PSZH dhe Real Madrid
- Roberto Mançini shpenzoi 667 milionë euro si trajner i Interit, Mançester Siti dhe Gallatasaraj
- Manuel Pelegrini shpenzoi 645 milionë euro në stolin e Villarreal, Real Madrid, Malaga dhe Mançester Siti.
- Sir Aleks Ferguson shpenzoi 465 milionë euro në stolin e Mançester Junajted
- Arsen Venger është afër skocezit të mirënjohur, por pas tij, me 428 milionë euro shpenzime për blerje tek Arsenali, në 10 vite. Dhe pastaj njerëzit thonë se francezi është “trajner i lirë”, sa i takon merkatos