Mario Gotze ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë derbit që përfundoi 4-4 ndaj Schalke 04. Gjermani ka këputur një ligament në kavilje. Pushimi i parashikuar do të jetë gjashtë javë. Këtë e ka zbuluar vetë klubi nëpërmjet faqes zyrtare në Twitter. Kjo do të thotë se kampioni i botës me Gjermaninë do të humbasë të gjitha ndeshjet e mbetura të fazës së parë. Dhe pritet të rikthehet me skuadrën dhe të jetë gati pas pushimit të dimrit në shkurt.
Një lajm i keq ky për tifozët dhe klubin e BVB. Momentalisht Dortmund është duke kaluar një periudhë krize dhe për ta kaluar këtë moment të vështirë do të duhej ndihma e të gjithëve, sidomos e lojtarëve me eksperiencë. Me Aubameyang që thuhet t’i ketë ditët e numëruara, dhe dëmtimin e Gotze, ndeshjet e radhës deri në përfundim të fazës së parë do të jenë një test i vërtetë për verdhezinjtë.