Ledian Memushaj është bërë përsëri protagonist i një përplasjeje me tifozët e skuadrës së Peskarës. Disa muaj më parë, ultrasit shkelmuan makinën e futbollistit të përfaqësueses shqiptare ndërsa po largohej nga stadiumi pas një humbjeje. Ndërsa sot, ai është përballur me disa syresh në dalje të një restoranti. Sipas mediave lokale, Memushaj ishte aty në shoqërinë e Xhanluka Kaprarit dhe Alesandro Bruno, shokë të tij të skuadrës dhe ndërsa po largoheshin nga lokali, janë përballur me disa ultras të ekipit. Këta të fundit kanë filluar t’i fyejnë tre futbollistët duke tensionuar situatën dhe është dashur ndërhyrja e një patrulle karabinierësh që të qetësohej situata dhe që Memushaj me shokët e skuadrës të largoheshin.
Peskara luan sot ndeshjen e saj ndaj Romës dhe tashmë pret vetëm që matematika të thotë fjalën e vet për të dekretuar rënien në Serinë B në sezonin e ardhshëm.