Aktivitetet tjera pothuajse u shuan gjatë kësaj kohe dhe zëri i rinisë gjithnjë e më pak dëgjohet në këto rrethana
Urim HASIPI
Tetovë, 1 mars – Aktivizmi rinor gjithnjë ka qenë aktiv në të kaluarën, sidomos në kohë dhe në kushte normale. Shumë organizata dhe forume të ndryshme ishin më të zëshëm ndaj shumë dukurive negative në Tetovë dhe jo vetëm. Por, ky aktivizëm rinor gjithnjë e më pak është prezent sidomos gjatë vitit të kaluar kur vendi u izolua për shkak të pandemisë. Shumë organizata dhe shoqata, reduktuan në masë të madhe aktivitetet e tyre, por kishte edhe të tillë që nuk pushuan as gjatë kohës së karantinës. Tërë situata në të cilin kalon vendi dukshëm ka ulur edhe aktivitetin e të rinjve.
“Tërë aktivizmi, sidomos edhe ai rinor pësoi shumë goditje gjatë pandemisë. Në shumë fusha ku mund të ndikohej u reduktuan aktivitetet, projektet dhe nismat ku rinia mund të fuqizohej edhe më shumë. Veprimtaria e të rinjve u bazua vetëm përmes platformës online ose disa aktivitete të vogla që mund të realizoheshin në mënyrë fizike sidomos me ato aktivitete ku nuk do të rrezikohej shëndeti i tyre dhe i tjerëve. Poashtu edhe shumë të rinj të cilët nuk janë të kyçur nëpër rrjete rinore që në të kaluarën kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, kësaj rradhe edhe ata mungonin”, thotë Risto Savevski, aktivist.
Sipas tij, në këtë drejtim të rinjtë gjithnjë kanë një lloj mosbesimi ndaj institucioneve të shtetit, sepse disa sektore edhe në kohë pandemie kanë mundur të zhvillojnë aktivitete për të mirën e qytetarëve. “Por në këtë drejtim jeta sociale e të rinjve gati se një vit ka pësuar shumë sepse mungojnë aktivitetet konkrete. Përveç mentalitetit dhe shëndetit fizik të njerëzve, shumë njerëz mendojnë se do të kthehemi në normalitet, por kthimi në normalitet do të jetë në rrethana tjera. Pandemia ka ndryshuar shumë aspekte të jetës sonë, edhe pse me kthimin e gjendjes së mëparshme do të ketë më shumë aktivitete me prezencë fizike ajo nuk do të jetë si më parë”, pohon Savevski.
Ai mendon se rinia ka një kapacitet për të ndryshuar gjërat dhe duhet një mobizlim më i madh. “Apeloj tek të rinjtë që të jenë më aktiv në të gjitha aspektet dhe të ngrenë zërin, sidomos ndaj padrejtësive që bëhen në shoqëri por edhe kur ka paraqitje të fenomeneve të ndryshme negative në mesin e shoqërisë ku jetojmë”, pohon aktivisti Risto Savevski. Në ndërkohë, gjatë kohës së pandemisë, shumë pak të rinj ishin aktiv. Gjatë vitit të kaluar në dy raste ishin rinia ajo që kishte marrë iniciativë për të mbjellë fidane dhe për të rregulluar hapësirat publike në bulevardet kryesore të qytetit të Tetovës. Aktivitetet tjera pothuajse u shuan gjatë kësaj kohe dhe zëri i rinisë gjithnjë e më pak dëgjohet në këto rrethana. (koha.mk)