Përjashtohet me karton të kuq lojtari për të cilin tifozi i pagoi mbi 150 mijë euro për t’ia mundësuar të luajë

13

Mbrojtësi anësor i Internacional, Rodinei, u përjashtuar me karton të kuq kundër klubit në pronësi të të cilit është, Flamengo, duke e zhgënjyer tej mase tifozin i cili i kishte paguar 153 mijë euro për t’ia mundësuar atij të paraqitej në atë ndeshje.

Temë kryesore diskutimi para takimit që Internacional e humbi 2:1 kundër Flamengos ishte Rodinei, transmeton Gazeta Express, përcjellë koha.mk.

Rodinei iu bashkuar Internacionalit vitin e kaluar në një marrëveshje huazimi, por kushtet e ujdisë me Flamengon theksonin se ai kishte të drejtë të paraqitej kundër klubit të vet vetëm nëse bëhej një pagesë në vlerë prej 153 mijë eurove në llogarinë e ekipit nga Rio de Janeiro.

Mbrojtësit brazilian iu lejua të paraqitej vetëm pasi një tifoz i mblodhi paratë para ndeshjes së Serie A braziliane në Maracana gjatë fundjavës me të cilat Internacional e pagoi Flamengon.

Klubi nga Porto Alegre e falënderoi bujkun e pasur Maggi Scheffer, për dhurimin e shumës së majme të parave për t’ia mundësuar paraqitjen Rodineit.

“Internacional i pranoi 1 milion real (153 mijë euro) të premten si donacion nga Elusmar Maggi Scheffer”, njoftoi klubi brazilian në uebsajtin e vet.

“Ai e nënshkroi një marrëveshje për t’ia dhënë këto para klubit. E falënderojmë sinqerisht”.

Por Rodinei u përjashtua me karton të kuq për një ndërhyrje të pakujdesshme vetëm katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë dhe Flamengo e shfrytëzoi këtë duke e shënuar golin e fitores 2:1 përmes Grabiel Barbosas.

Falë kësaj fitoreje, Flamengo e kalon Internacionalin në krye të tabelës së Serie A braziliane me dy pikë më shumë një javë para përfundimit të kampionatit.

Në ditën e fundit të sezonit, Flamengo do të luajë kundër Sao Paulos në udhëtim të enjten, ndërsa Internacional e pret Corinthiansin në shtëpi.