Ka sjellë një këngë të vjetër në treg, të ripërpunuar sipas ritmeve moderne dhe duket se ka goditur në shenjë. Eltion Puka ose siç njihet në botën e artit si 52Oni ka sjellë një bashkëpunim me këngëtaren Kristi, me titull “E vogël”. 52 Oni është një nga artistët që ka sjellë më shumë muzikë me vlerë në tregun shqiptar e të gjitha këto i tregon në intervistën për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si të gjeti ky vit i ri që sapo ka hyrë? Ku e kalove ndërrimin e viteve?
Përshëndetje! Shumë mirë mes familjes, i motivuar i lumtur nga dashuria që më japin.
KOHA: 52 Oni prej pak kohësh ke sjellë një këngë të re, “E vogël” është titulli me të cilin prezanton bashkëpunimin tënd të radhës me Kristin. Pse ky titull?
“E vogël” është një titull që erdhi si pasojë i një përpunimi të një kënge të vjetër.
KOHA: Si u gjete me Kristinën?
Me Kristin njihemi prej shumë kohësh sepse kam bashkëpunuar me të, në këngë edhe si tekstshkrues.
KOHA: Për të qenë të sinqertë kjo këngë është pëlqyer goxha nga publiku…mendon se do ketë një bashkëpunim të dytë me të?
Po, kënga është pritur shumë mirë nga publiku dhe pëlqehet akoma por ky ishte bashkëpunimi i dytë, jo i parë.
KOHA: Po në ndonjë bashkëpunim tjetër?
S’e di… 2019-a sapo ka hyrë dhe kërkesat e 2018-s do rishikohen sa i përket bashkëpunimeve.
KOHA: Për të gjithë ata që s’të njohin aq sa duhet, sa këngë ke deri tani, sa videoklipe dhe ku frymëzohesh për muzikën tënde?
16 videoklipe dhe disa audio, frymëzimi më vjen nga gjithçka që më rrethon.
KOHA: Çfarë roli ka, çfarë do të thotë një femër në krahun tënd, në jetën tende, sepse di qe ke nje dashuri ne krah apo jo?
Nuk ka fjalë për të përshkruar po ky që jam dhe ky që shikojnë jam nga durimi, përkujdesja dhe dashuria e saj.
KOHA: Zakonisht, këngëtarët zgjedhin një menaxher për t’i menaxhuar dhe për t’i bërë të suksesshëm. Ti e ndjek këtë taktikë?
Në fakt, unë gjithë jetën jam munduar t’a menaxhoj veten ndoshta jo edhe aq mirë edhe pse një njeri nuk mund t’i bëj të gjitha vetë, por mënyra e menaxhimit nuk përshtatet me kushtet e mia dhe me karakterin tim deri sot, nesër s’i dihet!
KOHA: Kujt i takon merita kryesore për suksesin e një këngëtari?
Këngëtarit (qesh) Të gjithë atyre që marrin pjese ne prodhimin e këngës pa përjashtim, pasi gjithësecili bën maksimumin e tij dhe përfundon në sukses.
KOHA: Cila është pjesa më e vështirë e tregut muzikor?
Lancimi dhe publikimi i këngës nëpër televizione e portale, pasi pa shikuar dhe dëgjuar produktin të kërkojnë lekë, nuk ka rëndësi për to se çfarë ke prodhuar, plus konkurrenca shumë e madhe.
KOHA: Po pjesa më e bukur gjatë realizimit të një kënge?
Nuk ka një pjesë të caktuar, varet cili moment është më i bukur gjatë ndërtimit të këngës, ndoshta fillimi i muzikës ndoshta fillimi i tekstit por më e bukura është përfundimi këngës me sukses.
KOHA: Sa beson në Zot, sa në fat dhe sa në veten tënde?
Besoj shumë në Zot, në fat pak, në veten time shumë.
KOHA: Kush e bën kritikun tënd?
Pa marrë parasysh pjesëtarët e studios, partnerja dhe dy motrat e mia.
KOHA: Për çfarë nuk ke më kohë, këtë periudhë?
Mundohem të gjej kohë për gjithçka aq sa mundem.
KOHA: Çfarë ndryshimi ndjen tek vetja, pas çdo viti që kalon?
Maturinë dhe durimin, i marr gjërat më shtruar.
KOHA: Çfarë le pas në 2018 dhe çfarë pret të sjellë 2019?
Refuzimin e shumë kërkesave për bashkëpunim dhe disa punë të lëna përgjysmë. 2019, ky vit që sapo hyri ka shumë surpriza rreth muzikës dhe jashtë saj.