Me të kaluar urën e Ibrit, fitohet përshtypja se më nuk je në Kosovë. Flamuj të shtetit të Serbisë, simbole të partive politike serbe, portrete të politikanëve serbë nëpër bilborde dhe ballina të ndërtesave, shtatore dhe buste të ngritura të “kralëve” e patriotëve serbë, madje edhe të kanxhallozëve rusë, si dhe muzika e zhurmshme serbe nëpër kafenetë e shumta, jo vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës, por edhe në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, të lë përshtypjen se je në mes të Serbisë, diku në Shumadi, shkruan sot gazeta “Zëri”. Me një fjalë, në veri është sikurse në Serbi. Marrëveshjet e Brukselit nuk kanë gjetur zbatim në komunat veriore të Kosovës, ndërsa strukturat paralele nuk janë shpërbërë e liria e lëvizjes ka mbetur në pikën zero. Dy marrëveshjet, të cilat Serbia ka pranuar t’i zbatojë në veri të Kosovës, menaxhimi i integruar i kufirit dhe zgjedhjet me sistem të Kosovës, u krijojnë komunave veriore favore të mëdha, për këtë arsye mbase serbët e veriut të Kosovës dhe Serbia kanë pranuar që t’i zbatojnë. Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë për “Zërin” se nuk do të ketë Asociacion të Komunave Serbe derisa Serbia nuk i shpërbën të gjitha strukturat paralele dhe nuk e zbaton Marrëveshjen për Telekomin dhe Energjinë. Ajo po ashtu thotë se nga 33 marrëveshjet sa janë arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, vetëm tri nuk janë zbatuar në praktikë. Ndërsa marrëveshja e fundit për targa, sipas saj, është shtyrë, pasi autoritetet kosovare nuk e kanë përmbyllur tenderin për letërngjitës. Tahiri në intervistën dhënë “Zërit” thotë se procesi i bisedimeve me Serbinë nuk do të zgjasë aq sa ka zgjatur dhe në fazën e tretë, siç thotë ajo, do të trajtohet edhe çështja e të pagjeturve. Ministrja për Dialog është e bindur se epilogu i bisedimeve do të jetë njohja reciproke e dy shteteve.