Driton ZENKU
Gostivar, 6 shkurt – Delikuenca në mesin e gjeneratave të reja në rajonin e Gostivarit paraqitet si dukuri devijuese gjithnjë e në rritje, shkruan gazeta KOHA. Kështu flasin të dhënat nga Stacioni Policor në Gostivar, nga ku njoftojnë se gjatë vitit 2016 kanë ndodhur mbi 50 raste të delikuencës tek të miturit. Rreth gjysma e tyre konsiderohen si fëmijë në rrezik ndërsa shumë prej tyre kanë tejkaluar edhe këtë fazë dhe me të njëjtit tash më merren institucionet. Ndërkohë, vitin e kaluar janë regjistruar mbi 100 vepra kriminale pikërisht nga persona të moshës nën 18 vjeçe. Shumica e krimeve janë vjedhje të kualifikuara si serioze, nëpër shtëpi private, pushimore në vise periferike, dyqane si dhe në automjete. Tejet shqetësuese është fakti që mosha mesatare e kryesve të veprave të tilla rrotullohet rreth 14 vjeçe. Veçori tjetër tek delikuentet e rinj është fakti që në shumicën e rasteve, veprat përsëritet nga individë të njëjtë. Punëtorët Social nënvizojnë se adoleshentë të njëjtë shpesh paraqiten si kryerës të veprave të njëjta në më tepër raste, gjë që sipas punëtorëve social paraqet situatë serioze dhe rrezik potencial që të njëjtët persona në të ardhmen të gjenden në rrjetet e krimeve të rënda. “Statistikat e vitit të kaluar në Stacionin Policor të Gostivarit, tregojë se gjysma e rasteve të zbardhurave të vjedhjeve të kryera në Gostivar e rrethinë rëndojë pikërisht mbi këtë kategori minore të popullatës, sidomos tek rastet e vjedhjeve. Kjo tregon se kemi një përqindje të konsiderueshme të personave minore të përfshirë në këtë lloji të krimit”, potencoi për KOHA, Marjan Josifoski zëdhënës i policisë rajonale, i cili saktëson se numri i adoleshentëve të përfshirë në vepra kriminale është 51 për vitin që lamë pas. Rritje në mënyrë rapide e delikuencës tek të miturit, është edhe si rezultat i mospasjes dhe mosfunksionimit të një shtëpie edukuese – përmirësuese në Gostivar. Sipas studimeve sociologjike dhe juridike, të miturit qe përfshihen në sjellje delikuente kanë shumë mundësi të vazhdojnë përfshirjen e tyre në vepra penale, pra fëmijët në konflikt me ligjin janë 2 deri në 3 herë më shumë të rrezikuar për tu përfshirë në vepra penale serioze, të dhunshme dhe kronike, ku krahasuar me individët që përfshihen në vepra penale në mosha të rritura. Kompetentët konsiderojnë se me punë të kujdesshme, të durueshme dhe të organizuar si duhet profesionalisht, të miturit delikuent mund të përmirësohen dhe më vonë bëhen anëtarë të shëndosh të shoqërisë. E drejta pozitive, legjislacioni në fuqi përkatësisht Kodi i drejtësisë për të mitur i parasheh një numër të madh të masave të cilat mund të shqiptohen kryerësve të mitur të veprave penale. Delikuenca e te miturve shkakton pasoja të shumta negative në shoqëri por ajo gjithashtu dëmton edhe personalitetin e të rinjve të cilët një jetë të tërë e kanë para vetes.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.