Roberto Mancini ia del për të dytën herë të “ringjallë” kombëtaren e Italisë. Pas dështimit total për të mos siguruar një biletë në Kupën e Botës Katar 2022, tekniku 57-vjeçar nuk u dorëzua, por vendosi të kryente një revolucion total duke u besuar të rinjve.
Mancini ftoi edhe lojtarë që luanin në Serie B, ndërkohë që nuk hoqi dorë nga futbolli sulmues, filozofi që pati efekt pozitiv që Italia të fitonte Euro 2020 dhe të duartrokitej nga të gjithë për futbollin zbavitës që ofronte në fushë, pavarësisht limiteve në kualitet.
Katër herë Kampionët e Botës u ringritën përsëri dhe ndaj Hungarisë siguruan për të dytin edicion radhazi kalimin në “Final Four” të Nations League, aty ku do të sfidojnë Holandën, Kroacinë dhe Spanjën.
Mancini regjistroi ndeshjen e 55-të (34 fitore, 15 barazime dhe 6 humbje) si trajner i Italisë në suksesin 0-2 në Budapest. Më shumë prezenca në stolin e kaltër numërojnë dyshja Lippi-Prandelli me nga 56 ndeshje, Enzo Bearzot (88) dhe rekordmeni Vittorio Pozzo (95).
Giacomo Raspadori realizoi golin e dytë radhazi dhe të pestin me Italinë, teksa interisti Federico Dimarco vulosi golin numër 1500 të kombëtares italiane në kompeticionet zyrtare.
Në minutat shtesë pati festë edhe për Pasquale Mazzocchi, debutuesi numër 51 në Kombëtare në epokën Mancini. 27-vjeçari u kthye në futbollistin e parë në historinë e Salernitanës që ia del të veshë fanellën e kampionëve në fuqi të Europës, të cilët në 16 nëntor zbarkojnë në “Air Albania” për miqësoren me Shqipërinë.