Kontingjenti i parë i Armatës i Maqedonisë së Veriut i dërguar në misionin e KFOR-it në Kosovë

44

Shkup, 17 tetor – Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si vendi i 30-të anëtar i NATO-s, nga sot do të marrë pjesë në misionin e KFOR-it në Kosovë me 44 anëtarë. Rotacioni i parë përbëhet nga oficerë të shtabit dhe një togë sigurie, të cilët do të vendosen në komandën kryesore të misionit dhe komandën “Perëndim”.

Me praninë e udhëheqjes më të lartë ushtarake dhe shtetërore në kazermat “Ilinden” në Shkup sot u mbajt një ceremoni ushtarake me rastin e dërgimit të kontingjentit të parë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në një mision të KFOR-it.

“Para nesh mund të shohim Armatën tonë të NATO-s, para nesh janë 44 anëtarë të përkushtuar, të motivuar dhe të guximshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët krah për krah, të barabartë midis të barabartëve do të tregojnë gjithçka që dinë dhe të gjitha ato aftësi dhe njohuri para kolegëve të tyre nga vendet aleate në misionin e KFOR-it”, tha ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në ceremoninë e sotme me rastin e dërgimit të rotacionit të parë të Armatës sonë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.

Ne kemi treguar, tha Shekerinska, se cilat janë cilësitë tona në vende shumë të largëta dhe nga tani e tutje ne do ta tregojmë vendin tonë të vërtetë edhe në rajon. Anëtarësimi në NATO, siç shtoi, do të thotë siguri dhe stabilitet për ne, do të thotë siguri nën ombrellën kolektive të Aleancës, por ne e ndiejmë atë anëtarësim si një përgjegjësi të madhe.

“Ne kemi treguar se ndajmë të njëjtat vlera si Aleanca që nga viti 2007 kur kemi filluar me mbështetjen logjistike për këtë mision të NATO-s”, tha ministrja dhe shtoi se tani ne i shtojmë vlerë të re kësaj mbështetjeje – pjesëtarët tanë, me përvojë, të motivuar, të pajisur dhe të gatshëm për të dhënë kontribut të konsiderueshëm për forcat e KFOR-it.

Presidenti Stevo Pendarovski theksoi se pjesëmarrja jonë në një mision të udhëhequr nga NATO është tregues i qartë i qëllimit tonë për të qenë anëtar aktiv dhe i angazhuar i Aleancës dhe qëllimi ynë për të kontribuar në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Nuk ka asnjë takim timin në të gjitha këto vite me zyrtarë të lartë të NATO-s dhe civilë dhe gjeneralë, ku ata nuk flisnin me respekt të veçantë për cilësinë e kontingjenteve maqedonase në Afganistan, ku e kemi ruajtur selinë e misionit në Kabul dhe për pjesëmarrjen tonë në misionet luftarake, nga të cilat shumë ushtarë tanë u kthyen me dekoratat më të larta të huaja për guximin e treguar”, tha Pendarovski.

Megjithëse ne jemi anëtar i NATO-s që nga marsi i këtij viti, siç theksoi ai, vlerësimi ynë në Aleancë është i lartë dhe merita ju takon juve, mbi të gjitha, ushtarëve dhe oficerëve të respektuar, sepse ju vazhdimisht tregoni profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të plotë ndaj këtij profesioni fisnik.

“Edhe pse koha është e shkurtër, përfitimet e anëtarësimit në NATO janë tashmë të dukshme në solidaritetin e treguar gjatë pandemisë, si dhe në kundërshtimin e përbashkët ndaj kërcënimeve hibride që po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Sigurisht, askush nuk ka iluzione se anëtarësimi në NATO do të zgjidhë të gjitha problemet tona, por, pa dyshim, ky është një supozim kryesor për zhvillimin e mëtejshëm dhe prosperitetin e vendit”, tha Pendarovski.

Misioni juaj, siç theksoi kreu i shtetit, ka vlerë të shtuar, sepse ju po shkoni në një vend që është fqinji dhe miku ynë dhe me të cilin kemi lidhje të thella historike, kulturore dhe ekonomike. Besoj se prania e kontingjentit maqedonas në Kosovë do t’i thellojë edhe më tej ato marrëdhënie.

Kryeministri Zoran Zaev në ceremoninë me rastin e dërgimit të kontingjentit të parë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në misionin e KFOR-it në Kosovë tha se ky mision ka rëndësi të veçantë sepse Armata jonë për herë të parë merr pjesë drejtpërdrejt në mision si vendi i 30-të anëtari i Aleancës më të fuqishme ushtarake të sigurisë në botë.

Shtoi se para se të dërgoheshin në këtë mision, pjesëtarët e kontingjentit të parë të Ushtrisë që po largohet për të përmbushur detyrat në misionin e KFOR-it në Kosovë, kaluan nëpër procesin e nevojshëm të trajnimit, përgatitjes dhe përzgjedhjes ku ata ishin stërvitur dhe trajnuar për të kryer detyrat që i presin gjatë misionit.

“Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sinonimi dhe mbrojtësi i sovranitetit dhe shtetësisë maqedonase, e dëshmoi gatishmërinë, ndërveprimin dhe aftësinë e saj për të kryer detyrat më të vështira në pjesëmarrjen 18-vjeçare në misionet paqeruajtëse “Isaf” dhe “Mbështetja vendimtare” në Afganistan dhe në misionet “Liria për Irakun”, “Altea” në Bosnjë e Hercegovinë dhe “Unifil “në Liban”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev theksoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj si një vend i ri anëtar i NATO-s, përfshirë në ndarjen e barrës dhe kontribuon si aleat i denjë. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi në operacionet dhe misionet e NATO-s dhe t’i përshtatemi prioriteteve të sigurisë.

“Pavarësisht sfidave për ekonominë për shkak të pandemisë, ne mbetemi të qëndrueshëm në përmbushjen e detyrimit për të rritur Buxhetin e mbrojtjes me 0.2% dhe të arrijmë 2% të BPV-së deri në vitin 2024. Një pjesë e rëndësishme e këtij alokimi, rreth 50%, është për përmirësim të standardit të profesionistëve të Armatës, 30% janë parashikuar për më shumë dhe për stërvitje më të mira, si dhe rreth 20% janë dedikuar për modernizimin e Armatës”, tha ai.

Sipas tij, me këtë do t’i përforcojmë kapacitetet dhe mundësitë e Armatës sonë duke përmirësuar standardet profesionale të pjesëtarëve të saj, dhe me këtë do të rrisim kontributin tonë për ndërveprimin me aleatët e tjerë të NATO-s.

Kontingjenti i parë përbëhet nga 44 pjesëtarë, të cilët do të punojnë si oficerë shtabi në komandën kryesore në Prishtinë dhe do ta sigurojnë Komandën rajonale të KFOR-it “Perëndim”. Kontributi ynë do të vazhdojë të rritet gjatë gjithë vitit 2021 – tashmë në rotacionin tjetër, plani është që të rritet numri i anëtarëve në KFOR në mbi 60, dhe nga vera e ardhshme së bashku me partnerin tonë të vjetër Gardën Kombëtare të Vermontit nga SHBA-ja, jashtë rotacioneve të vendosura, kontributi në një periudhë prej 9 muajsh të rritet me mbi 100 anëtarë të Armatës. Gjithsej, rreth 180 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë tanë do të kontribuojnë në misionin e KFOR-it nga vera e ardhshme.

Comments are closed.