Në një farë forme, tek shumica e qytetarëve është paraqitur vështirësi me të ardhurat e tyre mujore dhe numër i konsiderueshëm po përpiqen të sigurojnë bukën e gojës. Në ndërkohë, ka poste publike, pagat e të cilave janë shumë më të larta se mesatarja dhe të ardhurat mujore të cilat arrijnë në disa mijëra euro. Qeveria, thonë ekonomistët, nuk mund të mburret vetëm me rritjen e pagës mesatare, pasi kjo nuk pasqyron situatën në terren
Evis HALILI
Shkup, 8 gusht – Në njoftimin e fundit të Entit shtetëror për statistikë thuhet se paga mesatare në Maqedoni e Veriut është rritur në muajin e parë të vitit dhe ka arritur vlerën prej 31.407 denarë (500 euro). Nga ana tjetër, qytetarët të habitur pyesin se si rritet paga mesatare përderisa pagat e tyre ngelen të njëjta prej vitesh dhe nuk kanë lëvizje në rritje. Ekonomistët shpjegojnë se si po rritet mesatarja ndërkohë theksojnë se për të paraqitur realisht situata me ekonominë vendase, duhet llogaritur paga mesatare por edhe buxheti shtëpiak i qytetarëve.
Profesori i Ekonomisë, Neritan Turkeshi, thekson se shuma e pagës mesatare që thuhet se arrin shifrën e afër 31 mijë denarë, nuk mund të konsiderohet e mjaftueshme për standardin jetësor të qytetarëve që, siç shprehet ai, është e rëndësishme të dihet se sa janë edhe pagat e sektorit privat në krahasim me atë të sektorit publik. “Qeveria nuk mund të mburret vetëm me rritjen e pagës mesatare, pasi kjo nuk pasqyron situatën në terren. Gjithashtu, duhet ditur se pagat në një kompani nuk varen vetëm nga fitimi në kompani, por edhe nga tregu i punës, pra nëse ka tepricë apo mungesë punëtorësh në treg. Nëse disa profesione mungojnë, atëherë punëdhënësit duhet të rrisin pagat, ose të kundërtën e saj. Baza për rritjen e pagave në sektorin publik është përmirësimi i produktivitetit social, por kjo nuk po ndodh. Rritja e pagës në sektorin publik kontribuon në rritjen e pagës mesatare, krahas zvogëlimit të numrit të punëtorëve me pagë të ulët”, thekson Turkeshi.
Ai mes tjerash thotë se ekziston një problem shumë i thellë pasi në institucione ka punëtorë që marrin rrogë, por nuk shkojnë në punë. “Krahas rritjes së pagave në sektorin publik, ka situata të veçanta kur vërehen koncesione të mëdha në pagat e posteve publike. Ka disa pozicione që marrin paga dukshëm më të larta se shumica e pagave në vend, falë të cilave rritet paga mesatare. Në këtë mënyrë përmirësohet standardi jetësor i një grupi të caktuar, jo i të gjithë qytetarëve, përkundrazi kemi rritje të qytetarëve të varfër”, shton ai.
Ndërkaq profesori, Zdravko Savevski, thekson se paga mesatare nuk flet sa duhet për gjendjen në vend dhe është i pamjaftueshëm për standardin jetësor. “Në vendin tonë rreth 70 për qind e të punësuarve marrin pagë më të ulët se mesatarja, ndërsa vetëm 30 për qind e qytetarëve të punësuar marrin më shumë se kaq. Njerëzit janë të hutuar nga paga mesatare nga kjo rrije e pagës pasi që nuk vërehet në buxhetin e tyre”, thotë Savevski.
Ndërkohë, përfaqësues të Asociacionit për Hulumtime dhe Analiza “ZMAI” kohë më parë theksuan se ka disa faktorë që mund të shpjegojnë rritjen e pagës mesatare në RMV. “Një nga faktorët kyç që kontribuon në rritjen e pagës mesatare, natyrisht, është rritja e pagës minimale. Gjithashtu, të dhënat e publike nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë qartë se numri i të punësuarve në vend (2021-2022) është gjithashtu në rritje, gjë që tregon se rritja e pagave nuk është shkaktuar nga rritja e numrit të të papunëve. Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë se kompanitë me produktivitet të ulët dhe me punë intensive, të cilat nuk mund të ndjekin rritjen e pagës minimale, po mbyllin fabrikat e tyre, çka do të thotë se numri i të punësuarve që marrin pagën minimale është në rënie”, njoftojnë nga ZMAI.
Në një farë forme tek shumica e qytetarëve është paraqitur vështirësi me të ardhurat e tyre mujore dhe numër i konsiderueshëm po përpiqen që të sigurojnë bukën e gojës, edhe pse përflitet se në vend ka poste publike, pagat e të cilave janë shumë më të larta se mesatarja dhe të ardhurat mujore të cilat arrijnë në disa mijëra euro. (koha.mk)