Shpalosja e pjesërishme të dokumentit bëhet për shkaqe teknike (i njëjti numëron rreth 100 faqe), ku përparësi u dhamë fjalimeve të tre funksionarëve të lartë komunistë shqiptar: Xhemali Veseli, kryetar i Konferencës komunale të LKM të Tetovës, Hysen e Hixhet Ramadani. Përveç këtyre, është përfshi edhe fjalimi i sekretarit Angel Çemerskit, ai i Qamuran Tahirit, si dhe fjalimi i Tome Serafimovskit, një udbashi të mirënjohur i cili së bashku me Arizan Nestorovski – Marçen, i printe procesit të shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve për në Republikën e Turqisë
Nga Qerim LITA
Më 22, përkatësisht 23 dhjetor të këtij viti mbushen plot 50 vjet nga demonstratat shqiptare të organizuara nga inteligjenca dhe rinia e atëhershme shkollore në Tetovë, të cilat tronditën pushtetin e atëhershëm komunist maqedonas, përkatësisht atë jugosllav. Menjëherë pas kësaj u organizuan mbledhje të shumta nga organizatat e atëhershme partiake e shoqërore politike republikane e komunale, në të cilat demonstratat u vlerësuan si “armiqësore” me qëllim të “cenimit të integritetit territorial të RSM-së e të RSFJ-së”. Në kuadër të atyre mbledhjeve, morën pjesë aktive edhe një numër i konsiderueshëm i udhëheqësve komunist shqiptar, të cilët ngjashëm sikurse kolegët e tyre maqedonas, nuk zgjedhnin mjete dhe metoda për t’i ofenduar shqiptarët në përgjithësi, e inteligjencën e saj në veçanti. Në ballë të kësaj fushate antishqiptare ishin Xhemali Veseli, Hysen Ramadani, Hixhet Ramadani, Sadik Sadiku, Meti Kërliu, Sejfedin Sulejmani, Shaban Shehu e shumë të tjerë.
Me rastin e këtij përvjetori me peshë historike, e pashë të arsyeshme që përmes gazetës shqiptare KOHA – Shkup, të bëjmë shpalosjen e një pjese të stenogramit nga mbledhja e jashtëzakonshme të Konferencës Komunale të LKM-Tetovë, mbajtur më 27 dhjetor 1968, në të cilën përveç udhëheqjes komunale morën pjesë edhe udhëheqës të lartë partiak e shtetëror si Angell Çemerski, sekretar i Sekretariatit të KQ të LKM-së, Hysen Ramadani, anëtar i Sekretariatit të KQ të LKM-së, Hixhet Ramadani, nënkryetar i Kuvendit të RSM-së, Qamuran Tahir, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv (Qeverisë) së Maqedonisë etj. Shpalosja e pjesërishme të dokumentit bëhet për shkaqe teknike (i njëjti numëron rreth 100 faqe), ku përparësi u dhamë fjalimeve të tre funksionarëve të lartë komunistë shqiptar: Xhemali Veseli, kryetar i Konferencës komunale të LKM të Tetovës, Hysen e Hixhet Ramadani. Përveç këtyre, është përfshi edhe fjalimi i sekretarit Angel Çemerskit, ai i Qamuran Tahirit, si dhe fjalimi i Tome Serafimovskit, një udbashi të mirënjohur i cili së bashku me Arizan Nestorovski – Marçen, i printe procesit të shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve për në Republikën e Turqisë. Dokumenti i plotë gjendet në Arkivin e Maqedonisë – njësia Tetovë, fondi 42.
* * *
“…XHEMAIL VESELI: E hapi mbledhjen e jashtëzakonshme të Konferencës Komunale të Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë për Tetovë, në të cilën, përveç anëtarëve të konferencës, marrin pjesë: Angell Çemerski, sekretar i Sekretariatit të Komitetit Qendror të Lidhjes komuniste të Maqedonisë, Stojan Stojçevski, anëtar i Sekretariatit të KQ LKM-së, anëtarët e KQ-së e të pjesës së përbërëse të Konferencës së LKM-së nga territori ynë, Hixhet Ramadani, nënkryetar i Kuvendit të RSM-së, Qamuran Tahiri, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Maqedonisë, pastaj pjesëtarët e Armatës jugosllave nga garnizoni i Tetovës, kryetarët e organizatave vendore të Lidhjes komuniste nga qyteti e përfaqësues të organizatave shoqërore-politike nga komuna jonë. Në rend dite gjendet një pikë. Prandaj sot duhet të debatojmë, përkatësisht të përqendrohemi në ngjarjet e fundit në komunën tonë. Njëherë ju njoftoj se do të tërhiqemi nga praktika e rëndomtë, në vend se të zgjedhim pricesverbalist, propozoj të stenografohet e tërë rrjedha e konferencës, sepse materialet duhet të na shërbejnë për shqyrtimin e mëtutjeshëm të aktivitetit tonë. Stenogrami do të shfrytëzohet edhe për konkluzione e për certifikata, të cilat do të dërgohen deri te të gjitha organizatat e Lidhjes së komunistëve në qytet.
Ngjarjet e 22 e 23 dhjetori të këtij viti përbëjnë faktin e pamohueshëm se kanë ndikimin e tyre në gjendjen politike në komunën tonë, sepse ato qenë drejtuar kundër interesit të RSM-së e RSFJ-së dhe kundër asaj që është më e ndjeshme në këtë regjion – unitetit të popullatës shumë-nacionale. Pikërisht për këtë, nuk është e rastit, që gjatë vlerësimit të situatës politike në regjion, deri më tash, në mënyrë të veçantë qenë trajtuar çështjet nga realizimi i politikës së barazisë të kombësive, sepse nga ndërtimi i raporteve ndaj këtyre çështjeve, nga realizimi i tyre në jetë kushtëzohej situata politike e cila, në fakt, deri më tash është vlerësuar disa herë. Gjithashtu, është e pakontestueshme se çështja nga realizimi i politikës së barazisë së kombësive vazhdimisht ka qenë prezent në aktivitetet ideopolitike, si në organizimin e LK-së, po ashtu edhe të faktorëve tjerë shoqërore-politike në komunë, e kjo buron e imponohet nga dy arsye themelore:
- Nga vetë struktura nacionale e popullsisë në komunë, dhe
- Nga angazhimi i LK-së që politikën e saj ta realizojë përmes qasjes konkrete të rastit – përpjekjes e angazhimit të LK-së për zgjidhjen e çështjeve nga politika e barazisë së kombësive, e cila buron nga politika e përgjithshme e LKJ-së ndaj çështjes nacionale në përgjithësi, ndaj së cilës disa herë deri më tash sjellje më konkrete ka ndërtuar edhe Komiteti Qendror i LKM-së, siç ishte rasti me Mbledhjen XIV të KQ të LKM-së.
Duke u nisur nga politika e përcaktuar eLKJ-së, angazhimi i LK-së në komunë, në realizimin e politikës së barazisë së kombësive, ka qenë e orientuar në këto punkte kryesore: zhvillimi i rrjetit shkollor në gjuhët e kombësive; krijimin i bazës materiale më të gjerë dhe zhvillimi i forcave prodhuese, me qëllim të përballimit të prapambetjes, po ashtu edhe në krijimin e klasës punëtore nga radhët e kombësisë; krijimin e bazës së gjerë të kuadrit nga kombësitë për përfshirjen e tyre më të gjerë në jetën shoqërore të komunës e Republikës dhe marrjen e funksioneve më me përgjegjësi në to; afirmimin e shtypit e veprimtarisë kulturore në gjuhët e kombësive. Nuk mund askush ta pohojë të kundërtën e kësaj – se në të gjitha këto punkte janë arritur rezultate kolosale në këto 25 vite dhe se në realizimin është nisur pikërisht nga zeroja. Në mbështetje të kësaj, do t’i paraqes disa konstatime e tregues, të cilat edhe ashtu kanë qenë eksploatuar në këtë temë.
Raportin që e ka ndërtuar LK-ë në Komunë kah realizimi i politikës së barazisë të kombësive, ka buruar nga ajo se zgjidhja e plotë të asaj çështje, nuk përbëhet vetëm në barazinë e drejtë politike të kombësive, por edhe në krijimin e kushteve për barazi ekonomike. Duke e pasur parasysh këtë, aktivitetin e vetë LK-ë e ka përqendruar në përballimin e prapambetjes ekonomike të regjionit tonë dhe përmirësimin e bazës ekonomike të saj, përmes zhvillimit të forcave prodhuese, për çka është dhënë ndihmë e rëndësishme nga bashkësia më e gjerë. Si rrjedhojë e përpjekjeve të tilla, sot kemi më shumë objekte të cilat kanë rëndësi vendimtare në krijimin e të ardhurave nacionale, ndryshimin e strukturës nacionale, ngritjen e standardit jetësor dhe krijimin e kushteve për barazi ekonomike të kombësive, për krijimin e klasës punëtore nga radhët e kombësive, e cila sot gjithnjë e më shumë lajmërohet si faktor e materializimit të mëtutjeshëm të barazisë politike të kombësive.
Përpjekjet për zhvillimin e bazës materiale e të forcave prodhuese dhanë rezultate të cilat mund të shihen më realisht në krijimin e produktit bruto të komunës, i cili në vitin 1964 arrinte 34 miliardë dinarë të vjetër, ndërsa në vitin 1967 i njëjti u rrit në 56 miliardë dinarë të vjetër. Përpjekjet e njëjta kushtëzuan rritjen e vazhdueshme të numrit e të punësuarve nga radhët e kombësive në sektorin shoqëror. Kështu, përderisa në vitin 1947, nga gjithsej 1.324 të punësuar, nga të cilat 915 maqedonas, 307 shqiptarë e 102 turq, në vitin 1967 numri i të punësuarve është rritur në 11.432, prej të cilëve maqedonas 6.976, shqiptarë 3.453 e turq 667. Volumi i realizimit të politikës së barazisë së kombësive në mënyrë reliefë i paraqet të arriturat e rëndësishme në arsim e në zhvillimin e rrjetit shkollor. Krahasimet e caktuara i ilustrojnë më së miri, përderisa në vitin 1947/48 në shkollat fillore nga territori i komunës qenë përfshi 5.656 nxënës, prej të cilëve 2.686 maqedonas, 1.979 shqiptarë, në vitin shkollor 1967/68 kemi 22.703 nxënës, prej tyre 7.795 maqedonas, 14.510 shqiptarë, 290 turq e 108 të tjerë.
Gjatë vitit të kaluar dhe sivjet, krahas paraleleve normale në gjimnaz, me mësim në gjuhën shqipe, janë hapur paralele në Shkollën e mesme medicinale dhe Shkollën qendrore teknike. Kjo flet për një orientim të ri për shkollimin e kombësive në vitet e fundit – interesimi më i madh për kualifikimin profesional, edhe atë jo vetëm në profesionin e arsimit. Një orientim i këtillë në shkollim gjithsesi se ndodhi për shkak të përfshirjes së gjerë të kombësive në kapacitet prodhuese moderne, për shkak të mënyrës më bashkëkohore të prodhimit bujqësor dhe për shkak të përmirësimit të përgjithshëm të kushteve materiale të jetës.
Kjo është kushtëzuar edhe nga politika e miratuar për bursimin e kuadrit në komunë, në të cilën trajtim të volitshëm (trajtim i priveligjuar) kanë pjesëtarët e kombësive. Për shembull, në vitin 1947, gjithsej pati 35 bursa, prej të cilave 20 maqedonas, 14 shqiptarë, 1 turk, ndërsa në vitin 1967, gjithsej pati 310 bursa, prej tyre 110 maqedonas, 180 shqiptarë dhe 20 turq. Edhe në shërbimet shëndetësore numri i pjesëtarëve të kombësive rritet vazhdimisht. Nëse në vitin 1947 pati vetëm 5 mjek, prej të cilëve 2 maqedonas, 2 shqiptarë e 1 të tjerë, tash gjithsej punojnë 52, prej tyre 18 maqedonas, 28 shqiptarë e 6 të tjerë. Këtu nuk mund të mos përmendet fakti se në komunë janë zgjidhur çështjet themelore në fshat: sot nuk ka fshat në komunë deri ku nuk ka depërtua rryma elektrike, e cila fut revolucion të vërtetë në jetën e fshatit (në përjashtim të 2); vetëm gjatë 3 viteve të fundit janë ndërtuar më shumë ujësjellës nëpër fshatra, ose të gjitha fshatrat fushore janë të lidhur me rrugë moderne të asfaltuar; janë ndërtuar më shumë ndërtesa shkollore, janë hapur 10 punkte shëndetësore e shumë të tjera. (koha.mk)
VIJON NESËR…