Me rastin e këtij përvjetori me peshë historike, e pashë të arsyeshme që përmes gazetës shqiptare KOHA – Shkup, të bëjmë shpalosjen e një pjesë të stenogramit nga mbledhja e jashtëzakonshme të Konferencës Komunale të LKM-Tetovë, mbajtur më 27 dhjetor 1968, në të cilën përveç udhëheqjes komunale morën pjesë edhe udhëheqës të lartë partiak e shtetëror si Angell Çemerski, sekretar i Sekretariatit të KQ të LKM-së, Hysen Ramadani, anëtar i Sekretariatit të KQ të LKM-së, Hixhet Ramadani, nënkryetar i Kuvendit të RSM-së, Qamuran Tahir, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv (Qeverisë) së Maqedonisë etj. Shpalosja e pjesërishme të dokumentit bëhet për shkaqe teknike (i njëjti numëron rreth 100 faqe), ku përparësi u dhamë fjalimeve të tre funksionarëve të lartë komunistë shqiptar: Xhemali Veseli, kryetar i Konferencës komunale të LKM të Tetovës, Hysen e Hixhet Ramadani.
Nga Qerim LITA
XHEMAIL VESELI: Vazhdimisht kanë qenë prezent përpjekjet për ndryshimin e strukturës ekzistuese e të punësuarve në organet e administratës pranë Kuvendit komunal në favor të kombësive. Viteve të fundit, për shkak përpjekjeve për krijimin e kuadrit profesional, është rritur dukshëm numri i vendeve udhëheqëse të pjesëtarëve të kombësive. M’u nga 12 vende udhëheqëse në administratën e Kuvendit, 6 prej tyre tash janë plotësuar me pjesëtarë të kombësive.
Duhet të nënvizohet se vëmendja e LK-së ka qenë vazhdimisht e orientuar kah sjellja e akteve të tilla normative, të cilat sigurojnë barazi të plotë. Kështu, në Kuvendin e Komunës së Tetovës, obligimeve në këtë drejtim u janë dhënë 10 neneve. Shumica e atyre akteve gjejnë vend e zbatim në jetë. Kështu, për shembull, aktet për sjelljen e detyrueshme të akteve më të rëndësishme të Kuvendit, edhe në gjuhët e kombësive janë realizuar në tërësi, madje në praktikë të gjitha materialet e aktet kuvendore botohen edhe në gjuhën shqipe, në disa shërbime në administratën e Kuvendit është siguruar dygjuhësia, firmat janë të shkruara në gjuhën shqipe, gazeta lokale “Pollog” botohet në dy gjuhë e ngjashëm. Viteve të fundit vërehen rezultate, veçmas nga krijimi i bazës së gjërë kadrovike te kombësitë që kushtëzoi aktivitet më të gjerë shoqëror dhe përfshirjen e tyre më të madhe në trupat përfaqësuese në organizatat shoqërore-politike, organeve vetëqeverisëse. Kështu, për shembull, nga gjithsej 26 deputetë nga regjioni i Komunës, 12 janë maqedonas, ndërsa 14 nga kombësitë. Nga gjithsej 120 këshilltarë të zgjedhur, në të dy dhomat e Kuvendit të komunës, 67 janë maqedonas.
Përfshirja e kombësive në organizatat shoqërore-politike në Komunë, edhe pse nuk është në disproporcion me strukturën nacionale të popullsisë, tregon tendencë të rritjes së përhershme. Numri i kombësive në organizatat shoqërore-politike flet qartë për këtë: në LSPP nga gjithsej 54,509 anëtarë, 38.000 janë shqiptarë, ndërsa 2.852 turq; në LRS nga 7.901 anëtarë, 4.109 janë shqiptarë e 319 turq: në LKM nga gjithsej 3.177 anëtarë, 1.054 janë shqiptarë, 57 turq e 120 të tjerë. Të gjitha këto momente e shumë të tjera flasin se kombësitë, së bashku me kombin maqedonas, janë ngritur në subjekt aktiv të politikës e praktikës së përgjithshme në komunë. Këto ndërhyrje janë shumë evidente dhe asçfarë sjellje nihiliste nuk mund t’i përbuzin, t’i mohojnë.
Po në këtë periudhë, kur vëmendja e LK-së dhe të forcave tjera subjektive dhe të njerëzve punëtorë nga ky regjion, qe orientuar në realizimin e detyrave shoqërore-ekonomike të cilat burojnë nga plani afatmesëm i zhvillimit të komunës, detyrat që i imponon reforma, në këtë periudhë kur bëhen përpjekje për realizimin e Orientimeve të KQ të LKJ-së, erdhi deri te demonstratat armiqësore, të cilat e cenuan rrjedhën normale të marrëdhënieve. Në fakt, më 22 e sidomos më 23 dhjetor të vitit 1968 në Tetovë, disa qindra pjesëtarë të kombësisë shqiptare në mesin e tyre edhe një numër i mirë i nxënësve demonstruan nëpër rrugët e qytetit. Sheshi kryesisht ishte poligon për demonstratat të cilat zgjatën deri në orët e mbrëmjes, me çka sërish erdhi deri te cenimi serioz i rendit e qetësisë publike e shqetësim për tërë opinionin tetovar. Gjatë kësaj, nga gjuajtja me gurë, janë lënduar katër policë, është demoluar një veturë e policisë, më shumë vitrina të dyqaneve tregtare, e gjithashtu janë thyer xhamat e disa veturave.
Diku rreth orës 14 një grup më i madh demonstruesish u futën në ndërtesën e organizatave shoqërore-politike, i demoluan hapësirat e Komitetit Komunal të LKM-së dhe nga dritarja e zyrës së kryetarit të Lidhjes së komunistëve marshuan me flamurin shqiptar. Gjatë tërë kohës sa zgjatën demonstratat, demonstruesit me një brohoritje rituale shprehnin parulla me përmbajtje armiqësore.
Tërë çështja filloi me protestën e një grupi të pjesëtarëve të kombësisë shqiptare, për shkak të gjoja përpjekjes së një qytetari maqedonas ta heq flamurin shqiptar të vendosur në dyqanin e një zejtari. Më vonë u shfrytëzua si shkas për demonstrata, që patën karakter me përcaktim shumë të qartë dhe qëllime shumë të shprehura armiqësore. Shumë fakte (prezenca e njerëzve nga fshatrat, por edhe të tillë të cilët nuk jetojnë në regjionin e komunës; vendosjen me dhunë të flamujve nëpër minare gjatë kohës së festës së Bajramit, jashtë dëshirës e udhëheqjes fetare; thirrja e punëtorëve të arsimit nga fshatrat të lajmërohen në Kuvendin komunal për shkak të xhirimit; thirrja e nxënësve shqiptarë të dalin në shesh për shkak mbajtjes së tubimit për Vietnamin; transparencat e shkruara e tjerë), flasin se demonstratat nuk kanë qenë spontane, nuk janë të rastësishme, të paqëllimta, por përkundrazi, të përgatitura paraprakisht, të paramenduar e të organizuara paraprakisht.
Është më se e qartë se demonstruesit nuk shtronin kërkesa për zgjidhjen e çfarëdolloj çështjeje nga jeta shoqërore, ekonomike e politike të komunës, për të cilat angazhohet LK e bashkësia më e gjerë. Pra, demonstratat nuk e shtruan publikisht platformën, ato ishin pa orientim e kërkesa për zgjidhjen e problemeve e çështjeve nga jeta e marrëdhënieve socialiste te ne. Madje, nuk u shtruan as çështjet nga politika e barazisë së kombësive. Duhet të vlerësohet se çështje të tilla as që mund të shtroheshin, në radhë të parë se LKJ ka të përcaktuar politikë të drejtë ndaj çështjeve nacionale, dhe për këtë arsye Komiteti Qendror i LKM-së vetëm gjatë këtij viti (Mbledhja e Katërmbëdhjetë e KQ të LKM-së e Konkluzionet e Sekretariatit të KQ të LKM-së), në dy herë përcaktoi platformë edhe për realizimin e politikës së barazisë së kombësive në atë relacion në Komunë e Republikë, por edhe për arsye se qëllimet e demonstratave nuk ishin të orientuar në atë drejtim, por kanë qëllime irredentiste tejet të shprehura të orientuara kundër integritetit të Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, të cilat vepra në mënyrë të hapur i karakterizuan iniciatorët, organizatorët e bartësit e demonstratave.
Në thelb, ndaj tërë asaj që ndodhi këtyre ditëve në Tetovë, në mënyrë të dukshme gjendet shprehja e nacionalizmit e shovinizmit, një keqpërdorim i marrëdhënieve shoqërore demokratike, për zgjerimin e së cilës viteve të fundit janë investuar aq përpjekje të mëdha, në të cilat kombësitë realizojnë të drejta shumë të zgjeruara.
Është fakt se qëllimet e demonstratave fshehin orientimin e tyre kundër vëllazërim bashkimin e unitetin e maqedonasve, shqiptarëve, turqve e të kombeve tjera që jetojnë në këtë vend. Qasjet armiqësore e të dhunshme përbëjnë përpjekjen për zhvlerësimin e cenimin e asaj të arriture të ndritshme, përfitimit bazë të revolucionit popullor, për çka ky regjion dha shumë dëshmorë. Një ndër qëllimet e demonstratave është cenimi i marrëdhënieve demokratike vetëqeverisëse socialiste nga ku niset kjo shoqëri, e njëherit injorimin e përpjekjeve të njerëzve punëtor për krijimin e kushteve për zhvillim të papenguar e sa më të shpejtë të jetës. Parullat të cilat u paraqitën gjatë kohës së demonstratave, taktika e tyre (në rreshtat e para të gjenden fëmijët), flasin për përgatitjen e organizimin e tyre. Parulla të caktuara dëshmojnë bindshëm se demonstratat kanë për qëllim të cenohet integriteti i Republikës Socialiste të Maqedonisë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. M’u për këtë shkak, nuk duhet të nënçmohen parullat, sepse nga ta mund të shihen marrëdhëniet e qëllimet e caktuara të demonstruesve. Ajo që demonstruesit dolën nën parullën “Tito – Parti”, është njohuria e armikut se ajo parullë gjendet në zemrën e çdo qytetari tonë, e bëhet përpjekje që pas asaj parulle të fshehin, sepse në të kundërtën do të demaskoheshin. Ajo, është një maskë për tërheqjen në rrugë, sepse me parulla tjera do të ishte e pamundur një dalje e tillë.
Aspirata për cenimin e integritetit të Maqedonisë, bashkëngjitjen e këtyre krahinave kah Kosmeti dhe krijimin e Shqipërisë së dytë, është shprehur në parullën “Tito – Fadil”. Kërkesa e tillë paraqet aktin kundër integritetit të RSM-së, një herë e përgjithmonë i cenon marrëdhëniet e përcaktuara shtetërore dhe ka implikime të parashikuara negative e të gjëra në marrëdhëniet ndërkombëtare. Më tej, parullat e brohoritura “Të jetoj Shqipëria”, flasin për ndikimin e propagandës armiqësore shqiptare. Theksimi i emrave nga një shtet tjetër deri te të cila zbulohen qëllimet irredentiste të organizatorëve të demonstratave. Orientimi i demonstratave në Komitetin Komunal të LKM-së dhe demolimi i tij nuk është e rastit. Është më se e qartë se dikush u pengon në realizimin e qëllimeve të tyre. Ajo pengesë përbën LK, politika e sajë, angazhimi i sajë për zhvillimin e shoqërisë socialiste demokratike vetëqeverisëse, siç qe theksuar, të gjitha kombet e kombësitë në Jugosllavi, njëkohësisht i realizojnë të drejtat e tyre nacionale.
Është e domosdoshme të vlerësohet se armiku në realizimin e qëllimeve të veta nuk hasi në përkrahje të gjerë te njerëzit punëtor nga kombësia shqiptare, por arriti të përfshijë një pjesë të rinisë shkollore nga kombësia shqiptare në mesin e të cilëve veprojnë elemente të njohura konservative reaksionare e armiqësore nga ky regjion.
Pjesa më e madhe e popullsisë maqedonase dhe popullsisë paqedashëse shqiptare, ndaj asaj çmendurie të paparë, reagoi me mençuri, duke i vlerësuar demonstratat si akt të një qasjeje provokuese, armiqësore e shoviniste. Sjellja e këtillë të njerëzve punëtorë e të qytetarëve maqedonas, shqiptarë e turq, në këto momente e të forcave tjera socialiste paraqet një kapital të madh, një adut e shtyllë e fuqishme për realizimin e mëtutjeshëm të politikës së LK-së. Tash kur ngjarjet analizohen në mënyrë më të qetë, shqyrtohen arsyet dhe jepet vlerësimi për aktivitetin politik të LK-së arrihet deri te tre konstatime themelore:
- Se në mjedisin tonë ekzistojnë armiq të rregullimit shoqëror, se ata organizohen për aksione dhe se një “çmenduri” të tillë në Komunën e Tetovës është dëshira e tyre e kamotshme. Disa momente e përpjekje tregojnë se një punë e këtillë është përgatitur një periudhë më të gjatë në këtë regjion. Ka pasur përpjekje për shënime pompoze të datave të historisë shqiptare, me qëllim – ndezjen e nacionalizmit e shovinizmit. Në diskutimet nëpër tubime të ndryshme, sidomos në mbledhjet e Kuvendit, ekzistojnë raste që të ngarkohet për qëndrime e raporte, të cilat janë të huaja për politikën e LK-së, në kundërshtim me reformat e ngjashëm.
- Edhe pse LK-së i ishin të njohura këto momente e incidente, është fakt se ato nuk ishin sa duhet në qendër të vëmendjes së aktivitetit ideopolitik. Kjo nuk do të thotë se nuk pati luftë të hapur ideopolitike kundër bartësve të dukurive shoviniste nga të gjitha ngjyrat e frekuencat, por nuk pati ndërmarrje të masave konkrete. Për në të ardhmen, kjo duhet të jetë një mësim serioz.
- Shumë brengosës paraqet fakti se në demonstratat mori pjesë edhe rinia. Kjo flet se elementet armiqësore te ajo ka siguruar një ndikim të caktuar. Mund të ketë pasoja shumë katastrofale për këtë shoqëri, për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve vëllazërore nëse rinia lejohet të futet, të veprojnë në jetën shoqërore me botëkuptime të skajshme nacionaliste. Ky është një moment, i cili duhet të na brengos e të na obligojë të gjithë neve, veçmas ata që punojnë në edukimin e arsimimin e gjeneratave të reja.
(vijon nesër)