49 fëmijë me një të përbashkët

Një doktor fertiliteti në Holandë është babai i jo pak, por plot 49 fëmijëve. I akuzuar se ka përdorur spermën e tij për të mbarsur pacientet pa lejen e tyre, trashëgimtarët e Jan Karbaat u zbuluan falë testeve të ADN-së. Rezultatet u konfirmuan të premten, pasi gjykata lejoi publikimin e tyre.

Karbaat, i cili vdiq dy vjet më parë, e kreu aktivitetin e jashtëligjshëm në klinikën e tij në Bijdorp, pranë Rotterdam. Sipas asaj që shkruan BBC, një prej fëmijëve, i quajtur Joey u shpreh i lehtësuar që kishte zbuluar më në fund se kush ishte babai i tij dhe tha se tashmë “mund ta mbyllte këtë kapitull”. “Pas 11 vitesh kërkim, mund të vazhdoj me jetën time. Jam i kënaqur që më në fund di të vërtetën”, tha ai për mediat vendase. Edhe avokati Tim Bueters, i cili përfaqësoi 49 fëmijët, tha se ishte i lumtur për rezultatet e çështjes pas shumë vitesh paqartësie.

Karbaat u dërguar fillimisht në gjykatë në 2017-n nga një grup fëmijësh dhe prindërish, pas dyshimeve se ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Në një prej rasteve përfshihej një fëmijë i cili ngjante fizikisht me doktorin. Ky i fundit vdiq në prill të 2017-s, në moshën 89-vjeçare. Po në 2017-n gjykatësit vendosën që të bëheshin testet e ADN-ve, por thanë se rezultatet duhet të qëndronin sekrete, për shkak të konkluzioneve të pa dala nga çështjet e tjera gjyqësore. Karbaat e konsideronte veten “pionier në fushën e fertilitizimit“. Klinika e tij u mbyll në vitin 2009, pas akuzave se kishte falsifikuar të dhënat, analizat dhe përshkrimet e donatorëve dhe kishte tejkaluar numrin prej 6 fëmijësh për donator që lejohej.