Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në provincën Aosta të Italisë veriore, ku një 47-vjeçar me një lëvizje të çmendur, i ka ngulur vetes në drejtim me zemrën një shigjetë. Çuditërisht dhe fatmirësisht ai ka mbijetuar dhe po shërohet në spital.
Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, kur burri nguli në trupin e tij shigjetën 30 cm të gjatë, e cila përfundoi në anë të barkut midis mushkërive dhe zemrës, ndërsa fundi i saj doli jashtë lëkurës. Një i afërm falënderoi mjekët e spitalit, pasi u treguan të guximshëm, duke vendosur të mos e nxirrnin shigjetën nga pacienti i ndërgjegjshëm për shkak të frikës së një hemorragjie fatale.
Në vend të kësaj, ai u transferua në një spital të specializuar në Torino, nëpërmjet ambulancës ajrore, ku kirurgët e vunë në gjumë përpara se të devijonin gjakun përmes një sërë makinerish, raporton Aosta Sera. Pas heqjes së shigjetës, gjakun e kaluan përsëri në trupin e tij dhe ai është tashmë në gjendje ku nuk i rrezikohet jeta. Policia ndërkohë po heton dhe nuk e ka përjashtuar një përpjekje për vetëvrasje nga 47-vjeçari.