Rreth 40 mijë punonjës të universiteteve në Australi kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë. Shifra shqetësuese është raportuar nga Sindikata Kombëtare e Arsimit pas një studimi të kryer.
Sipas raportit, një në pesë të punësuar në arsimin e lartë e kanë humbur tashmë vendin e punës. Shumica e nëpunësve të shkarkuar i përkisnin sektorit publik me një shifër prej 35 mijë.
Raporti del në përfundimin se humbja e vendeve të punës ka ardhur drejtpërdrejtë nga mungesa e financimit qeveritar për universitetet.
Edhe pse qeveria asutraliane hartoi një program për të ndihmuar qytetarët të mbanin vendin e tyre të punës, çuditërisht universitetet publike nuk u përfshinë. Për të dalë nga kjo situatë e vështirë raporti propozon një paketë mbështetëse prej 2.7 miliardë dollaresh, për t’u mundësuar universiteteve rekuperimin e vendeve të humbura.
Presidentja e Sindikatës Kombëtare të Arsimit të Lartë, Dr Alison Barnes, thotë se ky raport jep detaje mbi keqmenaxhimin e universiteteve gjatë pandemisë si dhe efektet që ky sektor do të shfaqi në të ardhmen.
Kriza erdhi në një moment kur Australia e kishte rritur numrin e të punësuarve në universitetet publike me 10%.