Në tablo janë Franklin, Adams dhe Jefferson duke punuar për Deklaratën
Më 4 korrik të vitit 1826, mori fund një nga miqësitë më të gjata dhe më të rëndësishme në historinë amerikane, ajo midis Thomas Jeffersonit, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarëssë, dhe John Adamsit, mbështetësit të zjarrtë të pavarësisë. Ata vdiqën vetëm disa orë njeri pas tjetrit, pikërisht në 50 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.
Jeffersoni vdiq në shtëpinë e tij në Montiçello të shtetit Virxhinia, kurse John Adams në Quincy të shtetit Massachusetts. 82 vjeçari Jefferson ishte i sëmurë rëndë dhe luftoi me vdekjen deri pas mesnatës së 4 korrikut. Ndërsa 90 vjeçari Adams, i cili nuk ishte në dijeni të vdekjes së mikut të tij, thuhet se shqiptoi këto fjalë të fundit “Jeffersoni është ende gjallë”.
Ata ishin njohur gjatë konventës së vitit 1776, e cila çoi në vendimin e kolonive britanike të Amerikës për të shpallur pavarësinë nga Anglia. Në vitet e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara, Jeffersoni dhe Adamsi nuk ishin gjithmonë dakord për çështjet e ndryshme politike, por mbajtën një korrespondencë të vazhdueshme për problemet e kohës. Historianët edhe sot i studjojnë dhe i admirojnë letrat e shumta që shkëmbyen ata me njeri tjetrin.