Hoze Murinjo ka kërkuar rritje rroge për të qëndruar te skuadra e Mançester Junajtedit, ndërkohë që pretendentët për të marrë trajnerin portugez nuk mungojnë, me Paris Sen Zhermen që është gati të investojë dhe ta kënaqë financiarisht trajnerin për ta sjellë në skuadër. Por edhe drejtuesit e Junajted nuk rrinë duarkryq, ndaj mediat britanike zbulojnë ofertën e çmendur që “djajtë e kuq” kanë bërë në adresë të Murinjo. Për ta bindur që të qëndrojë në “Old Trafford” për shumë vite, ashtu siç pat bërë Sër.Aleks Ferguson, klubi është gati të bëjë 4 blerje “big” verën e ardhshme dhe ta kënaqë trajnerin me një rritje rroge.
Murinjo ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare kur erdhi tek Junajted (skadon në qershor të 2019-ës), nga e cila përfiton 15 milionë euro në sezon, por oferta e re është ajo e 22 milionë eurove në sezon dhe një shtyrje e saj për 3 sezone të tjera. Kjo shumë pritet të bindë Murinjo të qëndrojë dhe të largojë interesin e PSZH-së. Ndërsa 4 blerjet që Junajtedi i premton trajnerit janë ato të Grizmann, Bale, Soler dhe Forsberg. Drejtuesit e Junajted mendojnë se kjo ofertë do ta bindë trajnerin 54-vjeçar të qëndrojë, që në sezonin e tij të parë fitoi tri trofe, përfshi edhe Liga Evropë. Tani pritet përgjigjja e trajnerit, që në Premier Ligë nuk po shkëlqen (Junajted ndodhet i dyti, pas fqinjëve të Siti).