Ndonëse ka kohë që ka kaluar afati për paraqitjen e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në Komunën e Mitrovicës ka pasur pak të interesuar që t’i legalizojnë objektet e tyre të ndërtimit të ngritura pa leje ndërtimore të Komunës, shkruan sot Gazeta Zëri.
Vetëm në Mitrovicën e Jugut janë regjistruar mbi 8 mijë ndërtime pa leje, kryesisht në brendi të qytetit të Mitrovicës, por edhe në zonat në periferi. Përveç ndërtimeve të larta në qytet, të cilat janë ndërtuar pa leje, janë regjistruar edhe objekte të tjera banimi (shtëpi), objekte afariste me veprimtari të ndryshme (objekte hoteliere, turistike dhe ekonomike).
Një pjesë të ndërtimeve pa leje në pronën publike i kanë ngritur shqiptarët e veriut të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar nga banesat dhe nga pronat e tyre në veri. Organizata joqeveritare “Civil Development Organization” – CDO në prani të zyrtarëve komunalë të Mitrovicës: Faruk Mujka, nënkryetar, Sami Zeka, drejtor i Urbanizmit dhe Egzon Jashari, drejtor i Kadastrit, si dhe të përfaqësuesve të ndërtuesve, ka përmbyllur projektin “Sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje në Komunën e Mitrovicës së Jugut”.
Merita Mripa, nga kjo OJQ, ka prezantuar të dhënat e hulumtimit të kryer rreth këtij problemi, siç ka thënë ajo “me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes dhe të politikëbërjes”, duke identifikuar dhe avokuar sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje.
“Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht raporti nga komunat për fazën e parë të regjistrit, si dhe fazën e dytë të aplikimit për legalizim (kategoria 1, 2 dhe 3 e ndërtimeve) tregojnë se janë regjistruar 353.685 ndërtime pa leje, ndërkohë që janë vetëm 8.493 aplikime për legalizim në tërë Kosovën”, ka thënë Migjen Abrashi, përfaqësues i CDO-së, duke shtuar se në Komunën Mitrovicës së Jugut janë regjistruar mbi 8.000 ndërtime pa leje dhe janë vetëm 42 aplikacione për legalizim. Nga 42 aplikacione, sipas Abrashit, deri më tani 17 prej tyre janë pranuar dhe ndërtimet janë legalizuar. Abrashi ka bërë të ditur se në ketë hulumtim janë përfshirë konkluzionet dhe rekomandimet nga 4 dëgjime publike dhe 2 debate, të cilat janë realizuar në kuadër të projektit në periudhën qershor-dhjetor 2017.
Nënkryetari Faruk Mujka tha se projekti “Sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje në komunën e Mitrovicës së Jugut” është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Mitrovicës, derisa premtoi se të gjeturat nga ky projekt do të zbatohen, sepse, siç tha Mujka, “është interes i Komunës së Mitrovicës që përmes legalizimit të ndërtimeve të rritet inkasimi i të hyrave, si dhe rregullimi hapësinor”. Ai siguroi se Komuna gjithmonë do të jetë e gatshme të mbështesë projekte në fusha të tilla. Edhe drejtorët e Urbanizmit dhe të Kadastrit, Sami Zeka dhe Egzon Jashari, folën me mirënjohje për realizuesit e projektit.
Projekti: “Sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje” është implementuar nga “Civil Development Organization” (CDO), i cili është projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.