35 vjeçari qëllon me armë zjarri në drejtim të policisë

Fshati Bularat në Dropull, ku paraditen e së dielës do të mbaheshin festimet e përvitshme që përkujtojnë të rënët e luftës italo-greke, është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku u rrezikua jeta e disa efektivëve të policisë dhe e banorëve që gjendeshin në qendër të fshatit.

Kostandinos Kaçifa, 35 vjeç, rreth orës 10 ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, fillimisht në ajër, e më pas me breshëri në drejtim të punonjësve të policisë, që po afroheshin në drejtim të tij për ta vënë nën kontroll. Të shtënat kanë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale te mjeti i policisë, si dhe një banesë e qendrës së fshatit.

Kaçifa, që nuk njihet prej banorëve si person konfliktual, është larguar më pas në thellësi të fshatit dhe ka vijuar të qëllojë në drejtime të ndryshme, por edhe kundër policisë, që ishte vënë në ndjekje për disa minuta.

Policia po mban të rrethuar zonën ku mendohet të jetë fshehur agresori. Në ndihmë të forcave “Shqiponja” dhe shërbimeve lokale kanë mbërritur me helikopter edhe forcat RENEA.

Banorët e Bularatit thonë se Kaçifa jeton në Greqi dhe se kishte disa ditë që kishte ardhur në Bularat. Ata i përshkruajnë të shtënat si momente tmerri. Megjithëse gjesti është kryer spontanisht, disa prej banorëve dyshojnë që i riu duhet ta ketë planifikuar më parë sulmin.

Ishte pikërisht Kostandin Kaçifa, ai që dekoroi një ditë më parë të gjithë fshatin me flamuj grekë. Pyetjes së një bashkëfshatari, se përse flamujt kishin pozicion “zije”, Kaçifa i dha përgjigje kaotike.

“Unë i dëgjova të shtënat nga brenda dhe dola. Nuk kuptova kë qëllonte. Ishte si luftë. Ende na dridhet trupi. Nuk e prisnim fare këtë gjë. Dukej sikur kishte humbur mendjen në moment. Nuk kemi pasur kurrë gjëra të tilla”, tha një banore.

“Ne ishim përgatitur për festë. Nuk e kuptuam pse ndodhi kjo, por ishte tmerr. Fat që nuk u vra njeri. Dëgjova që u tha burrave që ishin në oborrin e kafenesë ‘futuni brenda’ dhe kaq. Ne e njohim për djalë të mirë e të urtë. Nuk e besoj që e ka bërë këtë”, tha një tjetër banore.

Policia vijon ndjekjen, ndërsa ka kërkuar bashkëpunimin e banorëve. Për momentin, mendohet se ai e planifikoi dhe realizoi sulmin i vetëm, por hetimet sapo kanë filluar.