Vetëm 14 prej kompanive në Zonat teknologjike kanë punuar me fitim, nëntë kompani kanë qenë të detyruara të lëshojnë punëtorët nga puna, derisa fitimi i tyre ka arritur në 65 milionë euro, që është për 35 milionë euro më pak se në vitin 2019
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 prill – Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia ka goditur edhe punën e kompanive të huaja që punojnë në Zonat teknologjike industriale. Ulja e kërkesave nga partnerët e jashtëm si rrjedhojë e mbylljes së ekonomive në Evropë për disa muaj, si dhe ndërprerja e përkohshme e punës së fabrikave vitin e kaluar – nën kushtet e reja të imponuara nga pandemia, kanë ulur edhe fitimin e investitorëve të huaj. Afër gjysma apo 53 për qind e tyre në 2020 kanë punuar me humbje. Treguesit e rezultateve flasin se ato nuk mund të jenë të kënaqura me punën e tyre. Njëherësh, vetëm 14 prej këtyre bizneseve kanë punuar me fitim, nëntë kompani kanë qenë të detyruara të lëshojnë punëtorët nga puna, por megjithatë – 18 kompani kanë kërkuar punëtorë të ri. Edhe rezultatet financiare të tyre në vitin 2020 janë më të dobëta se vitin paraprak. Në total, fitimi i tyre ka arritur në 65 milionë euro, që është për 35 milionë euro më pak se në vitin 2019, kur investitorët e huaj në Zonat teknologjike kanë pasur fitim prej 100 milionë euro.
Njëherësh shteti ka ndihmuar kompanitë e huaja në Zonat teknologjike me 21 milionë euro.
Nga ana tjetër, drejtori i Zonave Teknologjike, Jovan Despotovski, thotë përkundër pandemisë, këto kompani megjithatë kanë rezultate pozitive ekonomike, rritje të numrit të punësuarve dhe rritje prej 2 për qind të pagave, si dhe rritje të pagesave në arkën e shtetit. “Në arkën e shtetit, në vitin 2020 kanë mbetur 30 milionë euro si dallim i asaj që është shënuar si e ardhur dhe asaj që është paguar edhe realisht. Këto janë më shumë mjete për pensione, shëndetësi publike, arsim. Tani po punojmë edhe për mekanizma të tjerë me qëllim të nxisim investitorët që më shumë të shfrytëzojnë ndihmën e shtetit dhe të fillojnë të paguajnë më shumë të holla në arkën e shtetit”, thekson Despotovski. Sipas tij, përkrahja për investitorët në shtet nënkupton edhe përkrahjen për dhjetëra mijë bashkëqytetarë tanë në tërë vendi. Ai ka paralajmëruar edhe stimulime të reja, me qëllim që pagat në zonat të arrijnë nivelin e pagave mesatare në shtet.
Në ndërkohë, masat kufizuese në Evropën Perëndimore dhe sidomos në Gjermani kanë ndikuar në ulje të punës në tre muajt e parë të industrisë automobolistike në vend që prodhojnë pjesë për gjigantët evropian të prodhuesve të veturave. Në tre muajt e parë të këtij viti shënohet ulje prej 25 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ulja e kërkesave për pjesë të veturave të reja, një sasi e madhe e prodhimeve në magazinë që daton nga viti i kaluar, dhe probleme tjera – kanë sjellë një situtatë të tillë, thotë Viktor Mizo, kryetar i Shoqatës së kompanive të huaja me teknologji të avancuara. Sipas tij, shifrat nuk janë ato që priteshin, andaj sivjet – Evropa do të prodhojë për një të tretën më pak vetura në raport me planet, ndërsa edhe në periudhën prill-qershor pritet një rënie e punës në fabrikat vendore të kësaj dege prej 5 deri 15 për qind.
Pritet që në periudhën korrik-shtator të kemi përmirësim të situatës, por megjithatë çdo gjë do varet nga zhvillimet në Evropë. Nuk ka paralajmërime për lëshime nga puna, por pritet të ketë ngadalësim të punësimeve të reja në kompanitë e huaja. Nga ana tjetër, kompetentët thonë se angazhohen që në të ardhmen, ekonomia dhe eksporti vendor të mos varen aq shumë vetëm nga industria automobilistike ku punojnë 30 mijë të punësuar dhe realizohet më shumë se gjysma e totalit të eksportit vendor prej 6.6 miliardë euro, andaj po orientohen në tërheqjen e investitorëve të huaj edhe në veprimtari të tjera ekonomike. (koha.mk)