Tani për tani në kabinetin e kryeministrit Zoran Zaev ka 29 këshilltarë dhe shtatë bashkëpunëtorë të jashtëm. Lista është pasuruar me shtatë emra, ndërsa shumica janë ish drejtor dhe ministra. Gjithsej për të gjithë për rroga në muaj ndahen nga dy milionë denarë, apo rreth 32 mijë euro në muaj
Xhenur ISENI
Shkup, 14 janar – Lista e këshilltarëve e kryeministrit Zoran Zaev u pasurua me shtatë emra të ri, ndërsa mes tyre ka ish-ministra dhe ish-drejtorë. Për shërbimet e gjithë këshilltarëve dhe për bashkëpunëtorët e jashtëm, për një muaj ndahen rreth dy milionë denarë ose 26.460 euro. Rroga më e madhe arrin mbi 74 mijë denarë, ndërsa një pjesë më e madhe e tyre marrim nga 55.268 denarë.
Këshilltarët e ri tani iu bëjnë shoqëri 22 këshilltarëve të tjerë dhe gjithsej janë 29 në numër, ndërsa zyra e Kryeministrit Zaev numëron 66 persona. Nga ata 11 janë këshilltarë shtetërorë, ndërsa të tjerët janë udhëheqës, ndihmës të udhëheqësve dhe bashkëpunëtorë, zyrtarë të kabinetit si dhe shef dhe zv/shef i zyrës dhe sekretarë dhe ndihmës sekretarë për monitorim dhe mbështetje të institucioneve gjatë realizimit të programit për punën e Qeverisë. Por, të ardhurat e tyre mujore Qeveria nuk i ka publikuar. Ndërsa rrogat e shtatë bashkëpunëtorëve të ri të jashtëm rrjedhin prej 35 mijë deri në 50 mijë denarë.
Një pjesë e madhe e tyre të cilët e këshillojnë kryeministrin për lëmi të cilët mbulojnë edhe Ministritë, si për shembull për administratë, transport dhe lidhje, punë të jashtme, vetëqeverisje lokale, punë dhe politikë sociale, si dhe për bujqësi dhe çështje ekonomike. Rast i njëjtë është edhe me bashkëpunëtorët e jashtëm. Kryeministri Zoran Zaev nuk duhet të imitojë paraardhësin e tij, Nikolla Gruevski apo të garojë nëse ai do të ketë numrin më të madh të këshilltarëve në ekzekutiv. Kështu reagojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar numrin e këshilltarëve të kryeministrit Zaev, të angazhuar si këshilltar të posaçëm dhe bashkëpunëtor të jashtëm në fusha të ndryshme, që sipas tyre kështu përmbushen egot e disa ish funksionarëve që në përbërjen e re qeveritare kanë mbetur pa post.
ZAEVI PO VAZHDON AVAZIN E GRUEVSKIT
Politologu Deniz Memedi thotë se qasja e qeverisë “Zaev2”, në fakt e vazhdon avazin e qeverisë “Zaev1” dhe qeverisjeve të kaluara të Gruevskit. Sipas tij, emërimet e këtyre personave bazohen në satisfaksionin e apetiteve të tyre që kanë qenë ish funksionarë e që kanë mbetur pa ndonjë angazhim të caktuar në qeverinë e re. “Kjo në nënkupton që janë të emëruar këshilltarë në fusha si administrata, politika e jashtme, transport dhe lidhje etj, ku ekzistojnë ministri të veçanta në këto fusha dhe ku punojnë një makineri e plotë e administratës. Angazhimi i 29 këshilltarëve dhe 7 bashkëpunëtorëve të jashtëm, me harxhime në rroga dhe honorare rreth 27 mijë eurove në muaj nga para të popullit, në duplifikim të njerëzve në fusha të njëjta, nuk duket të jetë shpenzim racional në kohë pandemie. Por praktika tradicionale e këtyre emërimeve bazohet në satisfkasionin e apetiteve të individëve të caktuar që kanë qenë ish funksionarë e që kanë mbetur pa ndonjë angazhman të caktuar në qeverinë e re. Do të kishte qenë një hulumtim i mirë në rast se bëhet rreth angazhimit të këtyre këshilltarëve, cilat janë detyrat e tyre, a kanë orar të punës, sa kanë angazhime në qeveri vis a vis rrogat/honoraret që i marrin etj”, ka deklaruar për KOHA, Deniz Memedi, politolog.
Në listën që ka publikuar Qeveria, figurojnë dhe emra të vjetër që ishin këshilltarë edhe në mandatin e kaluar. Ndërsa disa emra të ri, në të kaluarën kanë ushtruar edhe funksione tjera. Ish Ministri pa resor Aksel Ahmedovski është këshilltarë për zgjidhje të çështjeve juridike dhe procedura, ndërsa ish ministri për diasporë Edmond Ademi është këshilltarë për punë të jashtme. Ish drejtori i “Pyjeve të Maqedonisë” Zoran Gjorgjiev dhe i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Atanasov mbeten në sektorin e tyre, por tani janë këshilltarë.
ZAEVI DO TA PAGUAJË KOSTON E VEPRIMIT TË TILLË
Analisti politik, Selim Ibraimi veprimin e kryeministrit për tu pasuruar me shtatë këshilltarë të tjerë nuk e konsideron si të natyrshëm. Ai thotë se postet në kabinetin e duken sa për të përmbushur apetitet grupore apo të partive që janë në koalicion me kryeministrin. Ibraimi mes tjerash thotë se kryeministri do të jetë ai që do të paguaj koston e një veprimi të tillë. “Nuk mendoj se kjo është e natyrshme që bën kryeministri , në tërësi duket se postet në kabinetin e tij janë për të përmbushur apetitet grupore dhe partive të koalicionit. Politika e tillë mund të ketë efekte në zgjedhjet lokale apo qofshin ato parlamentare. Partitë ne qeveri dhe kryeministri duhet të zgjedhin figura edhe jashtë partisë”, ka deklaruar për KOHA, Selim Ibraimi, analist. Edhe profesori Arsim Sinani, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, thotë se zgjedhja e këshilltarëve nuk duhet të plotësojë nevojat e dikujt dhe ata duhet të angazhohen vetëm në fusha që janë vërtet të nevojshme. “Në një kohë pandemie, buxheti duhet të menaxhohet më mikpritës dhe duhet të mendojmë jo vetëm për shëndetin e qytetarëve, por edhe për nevojat që kanë qytetarët në këtë situatë. Ekipi që do të punojë në kabinet duhet të jetë një ekip ekspertësh”, shprehet Sinani. Sipas tij, pyetja është nëse disa kategori të këshilltarëve janë të rëndësishme për momentin.
Numri i këshilltarëve në mandatin e kaluar të Qeverisë së kryeministrit Zaev ka qenë më i madh. Në vitin 2019 kryeministri ka pasur 63 këshilltarë. Një pjesë e madhe nga ata ishin bashkëpunëtorë të jashtëm ose 39 në numër. Para disa muajve, në tetor të vitit të kaluar, partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE e akuzoi kryeministrin Zaev se në mes pandemisë dhe krizës ekonomike, ai mori luksin të paguan këshilltarë me rroga tmerrësisht të larta, pas të cilës nga LSDM u kundërpërgjigjën se ish kryeministri Nikolla Gruevski ka pasur 91 këshilltarë për të cilët për një vit janë ndarë 1.7 milion euro. (koha.mk)