Patriot LUMANI
Strugë, 6 shkurt – Numri i struganëve që shfrytëzojnë ndihmën sociale ka ardhur duke u zbritur jo se gjendja sociale e tyre është përmirësuar, por një pjesë janë larguar nga vendi, ndërsa një pjesë tjetër e kanë humbur këtë të drejtë për arsye të ndryshme si nga mosnjohja e procedurave ashtu edhe nga ngurtësia e ligjit. Sipas të dhënave të siguruar nga Qendra për mbrojtje Sociale në Strugë pas riaplikimit të fundvitit ka rezultuar se ka një ulje të lehtë të atyre që shfrytëzojnë ndihmë sociale nga shteti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA. Në Strugë aktualisht ndihmën sociale e shfrytëzojnë 340 familje rreth 20-30 më pak se vitin e kaluar, gjithashtu po me këtë ritëm është edhe ulja te personat që shfrytëzojnë vakte ushqyese në mensën e qytetit ku nga 80 persona sivjet janë regjistruar 60 të tillë. Vegim Nura, drejtor i këtij institucioni për gazetën “KOHA” deklaron se të gjithë ata që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga ligji do e fitojnë të drejtën e ndihmës së garantuar nga shteti, duke sqaruar se tashmë është një sistem i tërë komunikimi ndërmjet disa institucioneve që nëpërmjet komunikimit intern japin të dhëna për gjendjen financiare te aplikantit. Ka ndodhur sipas tij që dikush ka humbur ndihmën sociale sepse ka fituar në lojëra fati apo ka siguruar një të ardhur shtesë në forma të tjera. Se realiteti te disa fatkeq për sigurimin e ekzistencës është një histori e dhimbshme dhe me plot vështirësi kjo nuk është diçka e re , njerëz që janë në limitet e mbijetesës detyrohen të presin ndihmën e shtetit në mënyrë që të shtyn kohën me shpresën se një ditë do të bëhet mirë. Kriza e tejzgjatur ekonomike që po mbretëron prej kohësh në vend ka dhënë sinjalet e saj edhe në Strugë ku familje të tëra në pamundësi të mjeteve financiare për të siguruar produktet elementare ushqimore po shndërrohen në borxhli të përhershëm në shitoret dhe marketet e Strugës. Marrja me listë e ushqimeve elementare si mielli vaji, kripa dhe sheqeri nga shumë qytetar struganë shpjegohet me krizën e zgjatur ekonomike të cilës nuk po i duket fundi ,e cila nga dita në ditë po shton radhët e familjeve që përfundojnë në limitet e mbijetesës sociale. Kjo dukuri e cila po masivizohet kohëve të fundit konfirmohet edhe nga punonjësit e marketeve dhe shitoreve të shumta të cilët tregojnë se në masë marrja e produkteve elementare me listë është bërë mbizotërues dhe është rënduar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.