Prokurorët iranianë kanë akuzuar ish-guvernatorin e Bankës Qendrore, Valiollah Seif, në lidhje me keqmenaxhimin e fondeve. Ali Alqasi-Mehr, prokuror në Teheran, ishte personi që ngriti akuzat për guvernatorin, i cili ka drejtuar bankën nga viti 2013 deri në vitin 2018. Gjatë kësaj periudhe kanë “humbur” më shumë se 30 miliardë dollarë dhe 60 ton rezerva ari.
Lajmi u bë i ditur nga agjensia gjysmë zyrtare e lajmeve ‘Tasnim’. Çështja e Seif-it, e cila ka vazhduar që pas shkarkimit të tij në mes të 2018-ës, tani do të drejtohet në një Gjykatë të ngritur vetëm për krimet ekonomike. “Një nga çështjet e rëndësishme që ne ndoqëm në Gjykatën e Teheranit dhe e dërguam në Gjykatën Ekonomike kishte të bënte me ndërhyrjet në valutë”, tha Tasnim Alqasi-Mehr në deklaratën për mediat. Ai u pushua nga puna muaj pasi ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e Iranit.
Monedha kombëtare e Iranit, riali, u zhvlerësua nga frika se sistemi financiar iranian do të izolohej edhe një herë nën sanksionet e rinovuara të SHBA-ve. Pas dorëheqjes ai u zëvendësua nga Abdolnasser Hemmati, shefi aktual i bankës qendrore i cili është një veteran i sektorit bankar dhe të sigurimeve të Iranit. Megjithëse atij iu ndalua të largohej nga vendi ndërsa ishte nën hetim për “korrupsion”, Seif u emërua menjëherë si një këshilltar i lartë bankar i presidentit Hassan Rouhani.