Situatë alarmante është edhe në Maqedoni. Gjithnjë e më shumë fëmijët përfundojnë me syze dioptrie. Mjekë të shqetësuar thonë se telefonat, kompjuteri, tabletat, televizioni, por edhe shpenzimi i kohës më të madhe brenda në shtëpi, në vend që të luajnë jashtë, po lë pasoja të tmerrshme
Delvina KËRLUKU
Shkup, 12 nëntor – Fëmijët që qëndrojnë shumë orë para ekraneve kanë më shumë shanse të bëhen shkurt-pamës, me mbipeshë madje të marrin sëmundje të pashërueshme. Kështu thonë studimet që pothuajse për çdo ditë alarmojnë për përdorimin e tepruar të teknologjisë së ashtuquajtur “të mençur” nga fëmijët, shkruan gazeta KOHA.
Vetëm këtë vit, në botë nga institute dhe organizata shkencore janë kryer mbi 30 studime, ndërsa kanë renditur telefonat dhe tabletët në rang me pijet me sheqer si rreziku më i madh për mbipeshën e fëmijëve dhe dëmtim të të pamurit.
Shkencëtarët thonë se hulumtimet e tyre janë “jashtëzakonisht shqetësuese”, ndërsa kanë përsëritur thirrjet për kontroll më të madh ndaj fëmijëve, pasi numri i fëmijëve që kanë probleme me shikimin larg është dyfishuar gjatë 20 viteve të fundit. Situatë alarmante është edhe në Maqedoni. Gjithnjë e më shumë fëmijët përfundojnë me syze dioptrie.
Mjekë të shqetësuar thonë se telefonat, kompjuteri, tabletat, televizioni, por edhe shpenzimi i kohës më të madhe brenda në shtëpi, në vend që të luajnë jashtë, po lë pasoja të tmerrshme. Iljaz Ismaili, drejtor i Klinikës universitare për sëmundjet e syve në Shkup, thotë për pesë vite kanë hulumtuar tregun, ku përmes kontrollit të fëmijëve të moshës 3 deri në 6 vjeç, në tërë territorin e Maqedonisë, kanë evidentuar numër të madh të fëmijëve me anomali të të pamurit.
“Për pesë vite kemi hulumtuar situatën. Bëhet fjalë për një projekt që organizohet dhe financohet nga UEJL, USAID-i dhe organizatat e tjera në Maqedoni me mbështetjen e mjekëve të klinikave dhe spitaleve regjionale të vendit. Bëhet kontroll dhe matja e dioptrisë nga mosha 3 vjeçare deri në moshën 6 vjeçare, pra i përfshin moshën parashkollore. Përveç këtyre fëmijëve në pjesët urbane, janë përfshirë edhe fëmijët e pjesës rurale. Deri sot janë vizituar rreth 20.000 fëmijë dhe nga ky kontroll, rreth 30 për qind e fëmijëve kanë dalë me anomali në sy”, thotë për gazetën KOHA, dr.Ismaili, i cili bën thirrje për më shumë kujdes ndaj kësaj moshe të fëmijëve, të cilët çdo ditë e më shumë kanë në dorë aparatet nga teknologjia smart. Projekti për kontrollin e vazhdueshëm të fëmijëve, tregon dr.Ismaili, përfundon vitin e ardhshëm, kur numri i fëmijëve të ekzaminuar do të shkojë në 30 mijë.
Edhe dr.Dobrila Kapushevska, pediatre në Qendrën Shëndetësore në Gjorçe Petrov të Shkupit, tregon se teknologjia e avancuar po përdoret më shumë sesa duhet nga fëmijët.
“Më herët, kur sillnin fëmijë për ekzaminim, prindërit gjithashtu bartnin lodra për t’i qetësuar ata gjatë pritjes. Tani, për qetësimin dhe rehatinë e fëmijëve të tyre, u japin të përdorin telefonat mobil. Mënyra e jetesës ka ndryshuar, fëmijët luajnë më pak jashtë, ndryshe nga më herët, dhe kur janë në shtëpi, shpesh janë të lidhura me telefonat, tabletat, kompjuterët, televizorët. Nëse këto kushte rritet edhe numri i fëmijëve me shikim të dëmtuar”, thotë dr.Kapushevska.
Sipas mjekëve, nëse fëmija nuk mund të shohë mirë, ai ka vështirësi edhe në mësime. Mund të humbasë vëmendjen gjatë leximit ose ta shmangë atë, ndërsa performanca e inteligjencës ulet.
Një faktor tjetër i problemeve në sy është gjenetika, diçka që nuk mund të ndryshohet, por ka disa mënyra dhe këshilla që duhet dhe mund të përdoren si një dietë e shëndetshme me mjaft vitamina dhe minerale të nevojshme për sytë. Ndryshe, në shumë vende të botës, përdorimi i syzeve tek fëmijëve shkon deri edhe në 50 për qind, gjithmonë si rezultat i përdorimit të teknologjisë së re. (koha.mk)