Shkup, 20 nëntor – Maqedonia për nga pagesa e punëtorëve në Evropë renditet shumë poshtë, respektivisht vetëm para Shqipërisë. Sipas Zyrës evropiane të statistikave-Eurostat, duke marrë parasysh pagesën mesatare buto, në Shqipëri harxhimi mesatar për një orë pune është 2.2 euro, ndërkaq në Maqedoni 3.5 euro. Statistikat evropiane më tej tregojnë se kostoja mesatare për orë punë në Bashkimin Evropian është 24 euro, ndërsa kostoja e punës në shtetet e Ballkanit ka mbetur e ulët në vitet e pas krizës si rrjedhojë edhe e konsolidimit fiskal. Mesatarja e kostos në Ballkanin perëndimor për një ore pune është 4.4 euro. Për shembull, në Bullgari është 3.4 euro, në Rumani 4.1 euro, në Serbi 5.1 euro, në Mal të Zi 5.8 euro dhe në Kroaci 9.4 euro. Nga shtetet e reja ish komuniste, që pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO përjetuan një hov të madh ekonomik dhe investime të mëdha, sidomos në industrinë automobilistike, por edhe në degë të tjera, është rritur pagesa për një orë pune. Kostoja e një ore pune në Çeki dhe Sllovaki është 9.7 euro, në Poloni është 7.9 euro dhe në Hungari është 7.4 euro.
Analistët ekonomik vlerësojnë se edhe paga reale, apo ajo neto që faktikisht të punësuarit e pranojnë në dorë, nuk ka lëvizur aspak në Maqedoni në gjashtë vitet e fundit. Paga mesatare neto në muajin gusht ishte 22.294 denarë, që është për 2353 denarë më shumë se në muajin gusht të vitit 2010, kur vlera e saj ishte 20.541 denarë. Sipas analistit ekonomik Goran Rafajllovski, rrogat janë pasqyrë e kondicionit të ekonomisë, pasi çfarë ekonomie kemi, të tilla janë edhe pagat. “Përderisa ekonomia vendore nuk fillon të tregojë shenja të rritjes më të madhe, të krijojë më shumë vende pune dhe më shumë fitim, nuk mund të presim as rritje më të madhe të rrogës së të punësuarve në Maqedoni”, thekson Rafajllovski. Sipas tij, edhe kjo rritje prej afër 2300 denarë, duke marrë parasysh rritjet e mëdha të harxhimeve të ndryshme jetësore, faktikisht është tretur dhe në të vërtetë edhe nuk kemi rritje të rrogave… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara