Quhet Ekaterina Fedyaeva, 27-vjeçarja e vdekur në Ulyanovks të Rusisë pas një infeksioni, ku mjekët gabimisht, në vend që t’i injektonin një solucion normal fiziologjik, përdorën një substancë për balsamimin e kufomave me përbërës kimik. Pas dy ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore, e reja ka ndërruar jetë në spital. Ekaterina ishte martuar prej pak kohësh dhe kishte nisur planet për të ardhmen, ku as që e mendonte një fund kaq brutal.
Nëna e saj Galina, akuzon mjekët për vrasje, ndërkohë që fjalët e saj janë drithëruese: “Ime bijë u vra. Kur shkova ta shihja pas operacionit kishte dhimbje të tmerrshme dhe villte. Më pas nisi të dridhej si gjethe, e mbulova por pa rezultat. Thirra një mjek, por askush nuk vinte që ta shikonte. E dinin mirë që i kishin injektuar helm në trup, por nuk bënë asgjë për ta ndihmuar. Më thanë vetëm që të ikja në shtëpi. Donin që të mbyllja gojën”. Gruaja pretendon se për 14 orë pas ndërhyrjes nuk bën asgjë, dhe kur u rikthye sërish i gjeti duke diskutuar për gabimin tragjik.
“Më thanë që ishte në koma, se zemra, mushkëritë dhe mëlçia kishin ndaluar së funksionuari dhe se mbahej artificialisht në jetë”, – shprehet nëna e viktimës. Më tej mjekët e transferuan në një spital në Moskë, ku pavarësisht tentativave për ta mbajtur në jetë, gjeti vdekjen pak orë më vonë. Aty e ëma zbuloi gjithë të vërtetën dhe tashmë kërkon drejtësi. Autoritetet kanë nisur hetimet nën akuzën e vrasjes së të resë.