Një pedofil anglez, Michael Dunn, 57 vjeç, u dënua me 27 vite burg, i akuzuar për përdhunimin e disa vajzave të mitura. Ai kishte krijuar një strehëz brenda shtëpisë së tij, për të fshehur një vajzë që përdhunonte. Vendimi, siç shkruan “Guardian”, u dha nga një gjykatë në Teesside Crown, e cila e deklaroi fajtor Dunn, pasi u provua se kishte përdhunuar katër vajza, njëra prej tyre vetëm 10 vjeçe, në vende të ndryshme, mes tyre dhe në Manchester. Gjyqtari Tony Briggs, foli për një burrë “manipulator dhe me nevojë të fortë për të dominuar”. Dunn u arrestua janarin e vitit të kaluar, pasi në shtëpinë e tij u gjet edhe një viktimë e fshehur në një strehëz, ku pas frigoriferit ishte krijuar një dhomë. Avokati mbrojtës i Dunn, deklaroi në gjykatë në seancën e kësaj të marte kur u dha dhe dënimi, se ai u ishte nënshtruar kurave të kancerit dhe se një pjesë e abuzimeve të tij, bëheshin nën efektin e alkoolit.