27 prillin duhet ta kuptojmë ashtu siç është: sinjal që shteti ynë nuk mund të imagjinojë të ketë përballë shqiptarë të vetëdijshëm dhe të vendosur në nivelin e Ziadin Selës. Pra nuk do dhe nuk pranon shqiptarë, të cilët e thonë troç dhe qartë se shqiptarët janë të diskriminuar dhe që kërkojnë me këmbëngulësi dhe të panënshtruar atë që u takon
Nga Omer AJDINI
Çdoherë kur vije 27 prilli, na kujtohet hyrja e turmës së shfrenuar në parlamentin e Maqedonisë së Veriut me 27 prill të vitit 2017, turmë e cila ishte nisur për të terrorizuar dhe vrarë njerëz pa pardon dhe me bindjen absurde se ishte në një mision të shenjtë të shtet-mbrojtjes. Katër vite më pas, është mirë të shohim pak mbrapa dhe të mendojmë se çfarë ishte në të vërtetë 27 prilli.
Shpesh thuhet që ajo çfarë ndodhi me 27 prill të vitit 2017 ishte sulm ndaj demokracisë meqë turma e shfrenuar hyri në institucionin më të lartë demokratik të vendit, pra në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe sulmoi të zgjedhurit demokratik të popullit, pra deputetët e atëhershëm. Megjithatë mendimi im është se ajo çfarë ka ndodhur me 27 prill është më shumë dhe më keq sesa një sulm ndaj demokracisë dhe institucioneve të saja, pra 27 prilli ishte përtej sulmit ndaj demokracisë. Skenari i planifikuar dhe i realizuar nga një strukturë e egër fashiste e mbushur plot urrejtje kundër shqiptarëve dhe e targetuar drejt një deputeti shqiptar dhe një lideri të opozitës maqedonase (i cili perceptohej që është i afërt me shqiptarët)është asgjë më pak sesa sulm kundër humanitetit, kundër të drejtës për të qenë dhe menduar ndryshe, kundër të drejtës për të mos u nënshtruar dhe për të qëndruar me kurrizin drejtë; dhe poashtu tendencë për të imponuar dominancën dhe kontrollin e një komuniteti apo grupi etnik mbi një grup tjetër etnik. Pra, duhet ta kemi të qartë që 27 prilli përveç që është sulm ndaj demokracisë është akt çnjerëzor sepse në mënyre shtazarake shprehë pakënaqësinë me të drejtat fundamentale njerëzore, gjë që e bën 27 prillin të shpërfaq karakterin e vërtetë të atyre që e planifikuan, lejuan dhe realizuan ngjarjen e 27 prillit.
27 prilli është poashtu dëshmi e faktit që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut jetojnë nën rrezikun permanent të persekutimit. Struktura organizative dhe operative që planifikoi, organizoi dhe realizoi ngjarjen e 27 prillit sado që ishte e fuqishme gjatë kohës që ishte në qeveri, me 27 prill kishte humbur veçmë fuqinë politike dhe nuk kishte shpresë për ndonjë përkrahje masive nga aleatët e saj rus apo serb. Pra edhe pse ata e dinin që nuk do e kenë pushtetin dhe e dinin që miqtë e tyre nuk do të jenë të aftë t’i mbronin, ata përsëri ishin të gatshëm të vrisnin shqiptarë. A mund ta imagjinoni çfarë do të bënte atë natë me Ziadin Selën dhe më pas me njerëzit që mendonin dhe vepronin sikur Ziadin Sela ajo strukturë organizative dhe operative po të kishin pasur më shumë fuqi politike dhe ushtarake? Përgjigja është e thjeshtë dhe logjike: asgjë më pak se Srebrenica dhe Reçaku nuk do të ndodhte, sepse një strukturë politike e cila është e gatshme të nxisë dhe lejojë një turmë të shfrenuar njerëzish të hyjë në parlament dhe të tentojë të vrasë njerëz me profile të larta në sytë e gjithë botës, pa fuqi të mjaftueshme ushtarake dhe duke e ditur që do të duhet të mbajë llogari penale një ditë, jam i sigurt që do të ishte edhe dhjetë fish më e keqe me shqiptarët në rrethana ku do të ishte më e fortë politikisht dhe ushtarakisht. Pra shqiptarët në Maqedoninë e Veriut qartazi bashkëjetojnë me njerëz dhe struktura të cilët në shansin e parë do të vepronin ashtu siç nuk mund ta imagjinojmë, e për këtë siç duket shpesh jemi të pavetëdijshëm dhe të papërgatitur.
27 prilli përveç që shpërfaqi urrejtjen e dhe kapacitetin fashist të strukturave të mirë-organizuara tek pala maqedonase, ai poashtu shfaqi edhe pafuqinë simptomatike të partnerit shqiptar në qeverinë e atëhershme dhe atë të tanishmen. Në momentin që një deputet shqiptar po tërhiqej zvarrë korridoreve të parlamentit, në organin më të lartë të sigurisë në vend-në Ministrinë e Punëve të Brendshme- qëndronte një shqiptar, i cili siç dukej kishte pasur informacion për atë se çfarë mund të ndodhë natën e 27 prillit, por për çudi nuk kishte arritur të sigurojë masat e duhura parandaluese për të pamundësuar realizimin e atij skenari. Shpjegime dhe justifikime pse ish Ministri nuk kishte arritur ta bënte punën e tij mund të gjinden sa të duash, megjithatë asnjë justifikim nuk mund ta mbulojë të vërtetën që ish Ministri ose ishte i pafuqishëm për ta kryer detyrën e tij, ose i mungonte vullneti për ta parandaluar skenarin e përgatitur nga kriminelët. E sido që të jetë e vërteta, Agim Nuhiu dhe BDI do të duhet të jetojnë me këtë njollë të zezë që vështirë se do të mund ta shlyejnë ndonjëherë. E më e keqja është se mu këta njerëz të pafuqishëm dhe jo-kompetent për të siguruar mbrojtje për përfaqësuesit e popullit shqiptar dikur, sot e kësaj dite vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta në shtet duke na e pamundësuar secilit prej nesh të ndjejë dhe të ketë sigurinë e mjaftueshme e cila na nevojitet si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
E mira e 27 prillit ishte që atë ditë ndodhi një kthesë për Maqedoninë e Veriut. Drejtimi që kishte marrë vendi nën drejtimin e Nikolla Gruevskit dhe klikës së tij drejt shtigjeve të panjohura u ndërpre dhe vendi ju kthye rrugës euro-atlantike. Megjithatë edhe përkundër sakrificës aq të madhe që ndodhi atë ditë, progresi në dimensionet e rëndësishme të shtet-ndërtimit të Maqedonisë së Veriut mbetet i mangët, nëse jo inekzistent. Kjo më së shumti vërehet në sferën e drejtësisë dhe sistemit të qeverisjes. Dënimi i padrejtë i Feta Alimit më së miri dëshmon vazhdimësinë e qasjes diskriminuese të shtetit kundrejt shqiptarëve edhe pse u mendua dheu shpresua që gjërat do të përmirësoheshin gradualisht. Në anën tjetër, pafuqia e partive shqiptare në pushtet për të siguruar drejtësi për Feta Alimin dhe rastet tjera të montuara flet për vazhdimësinë e vasalitetit dhe pafuqisë që ata vazhdojnë ta kenë karshi partive maqedonase. Pra çdo diskutim për progres është i kotë kur koka e së keqes (NikollaGruevski) u la të ikë, Feta Alimi vazhdon të mbetet në burg ndërsa partitë shqiptare në qeveri ende nuk imponojnë sjelljen e drejtësisë për shqiptarët.
Për fund, 27 prillin nuk duhet ta zvogëlojmë në “sulm ndaj demokracisë”, sepse sulmi ndaj një konstrukti social-juridik është më i vogël sesa sulmi ndaj të drejtave bazë njerëzore që ndodhi me 27 prill. Prandaj 27 prillin duhet ta kuptojmë ashtu siç është: sinjal që shteti ynë nuk mund të imagjinojë të ketë përballë shqiptarë të vetëdijshëm dhe të vendosur në nivelin e Ziadin Selës. Pra nuk do dhe nuk pranon shqiptarë, të cilët e thonë troç dhe qartë se shqiptarët janë të diskriminuar dhe që kërkojnë me këmbëngulësi dhe të panënshtruar atë që u takon. Mirëpo, fatmirësisht, deshën apo nuk deshën disa, Ziadin Sela është gjallë dhe Maqedonia e Veriut do të duhet ta akomodojë atë dhe kërkesat e tij sepse rrugë tjetër për ekzistencë dhe harmoni nuk ka!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)