Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këtë javë do t’u dorëzohet nga Qeveria një ofertë. Por, përmbajtja e kësaj oferte nuk u bë e ditur nga kryeministri Albin Kurti, të shtunën, në konferencën për media. Ai ka thënë se veteranët duhet të kenë pagë më të lartë se minimalja, por paraprakisht u shpreh se duhet të pastrohen listat
Brenda kësaj jave veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria do t’ua dorëzojë propozimet që lidhen me kërkesat e tyre për rritje të pensioneve, aq sa synohet të rritet paga minimale, në 264 euro. Në një konferencë të kryeministrit Albin Kurti e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që u ftua të shtunën për procesin e vettingut, kryeministri ka folur edhe për veteranët dhe takimin që një ditë më parë e pati me ta. Por, nuk ka treguar se cila do të jetë përmbajtja e ofertës për veteranët, të cilën ka thënë se është duke e përgatitur në bashkëpunim me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve. Në fjalën e tij, ai ka thënë se shkëputjen e pensionit të veteranit me pagën minimale e kanë bërë qeveritë paraprake dhe se, sipas tij, një pension në vlerën e pagës minimale nuk është mirënjohje për punën e veteranit. Kësisoj, ai ka thënë se beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë sesa paga minimale, porse për këtë ka theksuar se fillimisht duhet të ketë pastrim të listave të tyre, në të cilat Kurti ka përsëritur se numri i veteranëve të luftës është fryrë. Rregullimi i këtyre listave, sipas tij, do t’i shërbejë të vërtetës për brezat e rinj dhe për historinë e vendit.
“Unë kam kërkuar paraprakisht të bëhet një rregullim i listave sepse duhet të vijmë deri tek e vërteta historike, ashtu siç ka qenë dhe që e njohin të gjithë. Propozimet me shkrim do t’u dorëzohen sa më shpejt që të mundemi. Brenda javës së ardhshme, patjetër, dhe bashkë me Ministrinë e Financave Punës dhe Transfereve jemi duke punuar në një propozim konkret, ofertë përmbajtjesore me shkrim, të qartë për organizatat e dala nga lufta”, ka thënë Kurti.
Lufta në Kosovë dhe mohimi i gjenocidit të Serbisë zunë vend në fjalimin e kryeministres serbe, Ana Brnabiq, në Forumin e Prespës, deklarata të cilat kryeministri kosovar i komentoi në konferencën e së shtunës. Kurti ka thënë se mohimi i gjenocidit, shifrave të të vrarëve dhe të të dhunuarve është qasje tashmë e njohur e Serbisë, që nga mohimi i masakrës së Srebrenicës. Sipas tij, zyrtarët e lartë të shtetit serb e kanë kuptuar që është pozicion i pambrojtur të thonë se në Kosovë nuk ka ndodhur krim, prandaj ai thekson se ata i shfrytëzojnë tendencat për minimizim të krimit. Brnabiq, gjithashtu në Forumin e Prespës, ka deklaruar se nuk ka dëgjuar nga Bashkimi Evropian ndonjë kërkesë për njohje reciproke, por vetëm për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Por, sipas kryeministrit Kurti, në Bruksel është e qartë që normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve nuk e përjashton assesi njohjen reciproke. Kurti ka deklaruar se ndryshe nga dekada e shkuar, dialogu me Serbinë më nuk është proces në të cilin premtohet njohja e pavarësisë së Kosovës pas kompromiseve të shumta nga ana e kësaj të fundit. “Nuk ka më në Bruksel të tillë të cilët nuk e kuptojnë dhe nuk e pranojnë që normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë padyshim që e nënkupton njohjen reciproke”, ka thënë Kurti.