Laura PAPRANIKU
Shkup, 13 prill – Në rrafshin kohor prej jo më tepër se një dekadë, është intervenuar gati se çdo vit në arsimit nëntëvjeçar në Maqedoni, në ligjet që rregullojnë funksionimin e këtij niveli të shkollimit, por edhe në programet mësimore të cilat i përgatit Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) dhe i miraton Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Nga 2007-ta, kur edhe u zgjat për një vit më shumë arsimimi i këtij niveli, pra kur shkolla fillore nga tetë u bë nëntë vjeçare, reformat kanë prekur shpesh herë shkollat, nxënësit dhe prindërit e tyre, shkruan gazeta KOHA. Por, intervenimet më të shpeshta duke se i kanë vuajtur më së shumti programet mësimore.
Janë shtuar deri tani 26 lëndë të reja, të obligueshme dhe zgjedhore, të cilat e kanë ngarkuar jashtëzakonisht shumë shkollimin fillor. Kuptohet se jo të gjitha lëndët përdoren në mënyrë lineare dhe në të njëjtën kohë, por edhe për aq sa ekziston mundësia e zgjedhjeve përsëri nuk e kanë lënë pa e ngarkuar shkollën fillore me numër të madh të lëndëve dhe orëve të mësimit. Për shembull, në klasë të nëntë, nxënësit kanë 16 lëndë, prej të cilave 15 janë të detyrueshme për shqiptarët dhe turqit. Maqedonasit sikurse dihet kanë çdo herë një lëndë mësimore më pak, respektivisht lëndën e maqedonishtes për jo maqedonasit e cila mësohet nga klasa e katërt e arsimit nëntëvjeçar. Gjatë ndryshimeve në arsimin fillor, kjo lëndë në fakt duhej të kalonte në klasën e pestë të arsimit nëntëvjeçar, pasi në sistemin tetëvjeçar të arsimit mësohej në klasë të katërt, ndërsa sistemi nëntëvjeçar inkorporoi arsimin parashkollor. Do të thotë, tani e 10 vite jo maqedonasit e mësojnë maqedonishten në moshë më të hershme, një vit përpara nga çfarë e mësonin në kohën kur arsimi fillor ishte tetëvjeçar edhe atë duke filluar që në start (klasën e katër nëntëvjeçare) me nga dy orë mësimi në javë.
Krahas lëndëve standarde të shkencave shoqërore, matematiko-natyrore, arteve dhe edukatës fizike, të cilat janë mësuar rëndomë në arsimin fillor, listës së lëndëve u janë shtuar edhe shumë lëndë të reja, prej të cilave të paktën 13 janë aktive e bashkë me lëndë si: Atdheu ynë, Kërcim dhe valle popullore, Menaxhim me shëndetin, Edukata e mjedisit dhe të ngjashme si këto, kanë çuar në total 21 numrin e lëndëve të reja që i janë bashkangjitur arsimit fillor nga viti shkollor 2007/2008 deri vitin 2016/2017. “Ndryshimi i madh” u bë me nxënësit e klasës së parë, të cilëve iu shtua Anglishtja si lëndë e obligueshme mësimore. U vazhdua më pas me lëndë të tjera të obligueshme si Gjuha e dytë e huaj në klasë VI, Informatika në klasën VI dhe VII, Inovacioni në klasë IX, dhe tani së fundmi me lëndët e Puna me kompjuter dhe bazat e programimit në klasë III dhe IV. Lista e lëndëve zgjedhore, përcjell KOHA, është padyshim më e gjatë dhe pavarësisht mundësisë së zgjedhjes përbëjnë një ngarkesë më shumë në programet edhe ashtu të ngarkuara të shkollave fillore. Mësimi i lëndëve zgjedhore fillon gjithashtu në moshë të hershme, në klasë të katërt, duke e quar në 11 numrin lëndëve që duhet të mësojnë nxënësit e moshës 9 vjeçare. Më popullore nga lista e lëndëve zgjedhore janë: etika, religjioni, kultura klasike e civilizimit evropian, kultura dhe gjuha e romëve, boshnjakëve dhe vllehve. Në kuadrin e kësaj të fundit nëpër shkolla mund të mësohet dhe shqipja apo turqishtja si lëndë zgjedhore, jo e obligueshme, nga klasa e IV për nxënësit joshqiptarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara