Një nga pikat kyçe të Milanit vitet e fundit ka qenë pa dyshim Suso. Edhe këtë sezon, spanjolli po shkëlqen me kuqezinjtë, me 4 gola dhe 7 assist në 10 ndeshjet e para të kampionatit. Sigurisht, pas një vazhdimësie më se të kënaqshme, nuk kanë se si të mungojnë dhe interesimet e klubeve të tjera, duke marrë parasysh se ish-futbollisti i Liverpoolit ka një klauzolë prej 40 milionë eurosh, një shifër më se e arritshme.
Deri më tani, skuadrat të cilat pëlqejnë 24-vjeçarin janë Chelsea, ku Sarri nuk e ka fshehur admirimin e tij, që kur kishte drejtimin e Napolit, dhe Atletico e Madridit. Por, sipas mediave spanjolle, në orët e fundit edhe Reali i Madridit po mendon për një blerje të sulmuesit anësor. Florentino Perez ka udhëzuar personalisht personat përgjegjës të merkatos së kampionëve të Europës, për të monitoruar lojtarin e Milanit.
Ndërkohë, tek kuqezinjtë shpresojnë që të rishikohet edhe një herë kontrata, duke e rritur klauzolën në 60 milionë euro, ose në rastin më të mire të hiqet përfundimisht. Sigurisht, klubi milanez nuk do të dëshironte në asnjë mënyrë të humbte një prej lojtarëve më të mirë, por tundimi do të jetë i madh, qoftë për skuadrën e Gattusos dhe për vetë Suson. Reali vazhdon të vëzhgojë me shumë kujdes.