Zyrtarisht në skenë jam ngjitur në vitin 93 në festivalin “Bilbilat këndojnë”, pastaj në 94 në Festivalin Mbarëkombëtar të Shkodrës dhe ashtu më tutje deri sot – ku bëhen 25 vite dhe jam shumë i kënaqur nga vetja edhe nga publiku që e pëlqen muzikën time besoj se kam sjellë vlera çdoherë…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Është një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare në vend dhe rajon. Mustafa Ymeri shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të muzikës e mbaroi në QASHMB “Ilija Nikollovski Lluj” në Shkup në degën e solo – këndimit. Akademinë e muzikës e mbaroi në vitin 2008 në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup në degën e solo- këndimit tek prof: Millka Eftimova dhe Biljana Jakimovska, ndërsa ka mbaruar dhe studimet pasdiplomike në Shkup. Tafa punon si udhëheqës i Katedrës shqipe dhe profesor i solo-këndimit dhe teknikës vokale në shkollën e mesme të muzikës “Ilija Nikollovski Lluj” në Shkup, ndërsa është nënkryetar i Shoqatës së artistëve muzikor shqiptar në Maqedoni dhe këshilltar muzikor në Qendrën Informative Kulturore në Shkup.
Deri tani ka realizuar disa albume muzikore dhe shumë videoklipe muzikore e mes këngëve më të njohura janë Shqetësimi, Bien tri dahire, Harrom pak nga pak dhe Po qan vasha). Në njërin nga albumet e tij të fundit të titulluar “Mustafa Imeri – Tenor”, ky album përmban tetë këngë, katër në gjuhën shqipe dhe katër në gjuhën italiane. Në dhjetor të vitit 2006 në duet me Besiana Mehmedin, Tafa merr pjesë në Festivalin e 45-të në RTSH me këngën “Kepi i shpresës së mirë”.
Më datë 26 gusht të vitit 2010, këngëtarë të ndryshëm publikuan videoklipin “Një shekull dashuri”. Muzika e këngës u punua nga Selami Kolonja, teksti u shkrua nga Selami Kolonja, ndërsa për orkestrimin u kujdes Robert Bilbilov. Videoklipi u prodhua nga Alexander, kurse më datë 12 mars të vitit 2011, publikoi videoklipin “Harromë pak nga pak”. Në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA, këngëtari Mustafa Imeri vjen në një rrëfim mbi jetën dhe koncertin jubilar për 25 vjetorin e karrierës së tij.
KOHA: Tafa, kanë kaluar shumë vite që jeni në skenë, a mund të na tregoni mbi karakteristikat që përshkruajnë veten tënde, ndryshimet që ke pësuar etj?
Jam po i njëjti Tafa modest, punëtorë me më tepër përvojë në gjitha aspektet, jetësore, profesionale etj.
KOHA: Kush ju ka shtyrë të merreni me muzikë dhe a i keni rënë pishman?
Pishman asnjëherë. Që nga fëmijëria i kam pasur prind që më kanë shtyrë çdoherë para dhe xhaxhai im Adem Ymeri.
KOHA: Cilat kanë qenë hapat e tua të para në këtë fushë dhe si është treguar tregu dhe publiku shqiptarë karshi teje, sa je i kënaqur?
Unë kam filluar shumë herët të merrem me këngën që në moshën 6 vjeçare, por zyrtarisht në skenë jam ngjitur në vitin 93 në festivalin “Bilbilat këndojnë”, pastaj në 94 në Festivalin Mbarëkombëtar të Shkodrës dhe ashtu më tutje deri sot – ku bëhen 25 vite dhe jam shumë i kënaqur nga vetja edhe nga publiku që e pëlqen muzikën time besoj se kam sjellë vlera çdoherë.
KOHA: Po feston jubileun e karrierës tënde, na thuaj përgatitjet që i ke bërë dhe gjithë surprizat që mund t’i shohim atë natë?
Po. Këtë vit po bëhen 25 vite që kur zyrtarisht jam ngjitur në skenë. Më datën 4 dhjetor në Filarmoninë e Maqedonisë së Veriut do të mbaj koncertin jubilar dhe do të jetë një natë besoj shumë e këndshme dhe e paharruar. Ndërsa surprizat i lëmë për koncert që ta shijojmë së bashku me publikun.
KOHA: Ku e ke gjetur inspirimin për këngën?
Tek më të mirët në botë, Pavaroti dhe Michael Jackson.
KOHA: Na thuaj tre këngët e preferuara që i ke bërë deri më sot?
“Harromë pak nga pak”, “Bien tri dahire” dhe “Po qanë vasha”.
KOHA: Sa ke qenë efektiv në kohë, sat ë është dashur të përfundosh një këngë?
Nuk di, ndonjëherë këngët bëhen shpejte a ndonjëherë duhet më tepër kohë se varet prej inspirimit.
KOHA: Çfarë mendoni për muzikën argëtuese, ndonjë ndryshim në këtë kohë ka pasur?
Është puna lëmsh në gjitha aspektet tek ne në shtet si dhe në muzikë dhe si thonë jemi në tranzicion qe 30 vite, ashtu dhe me punën e muzikës, disi e kemi humbur rrugën ne nga Maqedonia. Por respekt për këngëtarët nga Kosova dhe Shqipëria po punojnë dhe investojnë shumë.
KOHA: Çfarë bëni në kohën e lirë?!
Ajo është koha më e mire se jam më familjen time. Me dy djemtë – Lisin dhe Artin dhe gruan time Teutën.
KOHA: Cilat ishin momentet më frymëzuese për ju, gjatë paraqitjes në skenë?
Ka pasur shumë, besoj se çdo paraqitje në skenë e ka emocionin dhe momentin e vet. Nuk kisha veçuar asnjë.
KOHA: Jeni marrë me muzikë gjatë gjithë kësaj kohe, a është ky profesion i vetëm apo keni bërë ndonjë ndryshim në këtë drejtim?
Jo, profesioni im është muzika dhe organizimi në lidhje me muzikë koncerte, manifestime etj.
KOHA: Mendimi juaj për këngëtarët e rinj shqiptarë?
Kemi shumë këngëtarë të talentuar ne kemi pushtuar botën muzikore, jemi popull shumë muzikal.
KOHA: Çfarë mendoni se është më e bukura në profesionin tuaj, si këngëtar?
Kënga.
KOHA: Ju ka mbetur peng ndonjë duet deri më sot dhe me kë do e kishit bërë?
Nuk më ka mbetur peng asgjë, kam kohë për ta bërë në të ardhmen, kam ende të tregoj çka di dhe çka mund të bëj. Ndoshta dhe një duet.
KOHA: Planet tuaja në të ardhmen?
Tash për tash koncerti, pastaj duke pa e duke bë.
KONCERTE TË MUZIKËS KLASIKE:
2003: Shkup (Koncert me filarmoninë e Maqedonisë për ditën e UN)
2004: Koncert me orkestrën e mandolinave të dirigjentit Ramadan Shukri
2005: Interfest Manastir (festival i muzikës klasike)
2008: Opera Venus Villiams në verën e Ohrit (Teatri shqiptar)
2009: Koncert në Verën e Shkupit me orkestrën kamertale të operës së Maqedonisë
2011: Gala Кoncert me Big Band-in, orkestra e Radiotelevizionit të Kosovës në Shkup.