Shkup, 9 nëntor – Në Maqedoni, në pajtueshmëri me statistikat të cilat i posedon Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion dhe Rrugë (KRSKR) për vitin 2016, 25 persona të moshës deri 24 vjet e kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni, ndërsa më shumë se 2000 janë lënduar, shkruan gazeta KOHA. Të rinjtë hyjnë në kategorinë më të ndjeshme të komunikacionit. KRSKR e filloi realizimin e fazës së dytë të fushatës “Rini pa çmenduri”, fushatë kjo që sipas KRSKR-së, ka për qëllim edukimin dhe përmirësimin e sigurimit të të rinjve, si kategoria më e ndjeshme pjesëmarrëse në komunikacion. “Para nesh është koha që mban mot jostabil dhe me shi e borë. Bora mund të nxis problem shtesë në komunikacion. Gjithashtu, vijnë ditët e festave kur të gjithë argëtohen, atmosferë dëfrimi ku konsumohet më shumë alkool. Duke u nisur nga kjo, KRSKR në këtë fushatë do të përqendrohet në këto probleme me të cilat mund të ballafaqohen të rinjtë”, thuhet në fushatën e KRSKR-së, e cila filloi të enjten, ndërsa do të realizohet deri në muajin mars të vitit 2018. “Në këtë fazë të fushatës, do ti edukojmë të rinjtë për rreziqet në komunikacion me të cilat mund të ballafaqohen gjatë dimrit, e këtu hyjnë: pajisjet dimërore për vetura, rrugët të rrëshqitshme, vozitje me shpejtësi më të madhe se e lejuara, vozitje nën ndikim të alkoolit dhe substancave psikotrope etj”. Ndryshe, sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për çdo orë brenda një dite, më shumë se 40 të rinj janë viktima të fatkeqësive të trafikut në rrugë, përkatësisht çdo ditë më shumë se 10 mijë të rinj të moshës deri 25 vjeç janë viktima të fatkeqësive të komunikacionit në botë. Kjo nënkupton se çdo ditë mijëra familje ballafaqohen me faktin se humbin një anëtarë të ri të familjes. (koha.mk)