Pas homazheve tek varrezat e qytetit, delegacioni i njëjtë ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta tek busti i dëshmorit të arsimit shqip në Maqedoni, Abdylselam Emini, i cili u vra nga forcat policore në mbrojtje të themelimit të Universitetit
Tetovë, 14 dhjetor – Me një akademi solemne, në Universitetin e Tetovës është shënuar 24 vjetori i themelimit të këtij universiteti. Në këtë akademi, rektori Vullnet Ahmeti është shprehur se nderim të veçantë meritojnë edhe vëllezërit tanë, që i shërbyen Universitetit, duke i shndërruar shtëpitë në auditore universitare ku u edukuan, fituan dije dhe u aftësuan profesionalisht studentët e parë të këtij institucioni, shkruan gazeta KOHA. Ai tha se nuk duhet harruar as përpjekjet e familjeve shqiptare, që dhanë kontribut për ngritjen në këmbë të shëndosha të Universitetit.
“Pas 24 vitesh pune të pandalshme, Universiteti i Tetovës është shndërruar në qendër të mirëfilltë edukimi e arsimimi jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon. Në të sot studiojnë të rinj e të reja nga vendi ynë, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Lugina e Preshevës dhe nga mbarë diaspora shqiptare. Ata, bashkë me profesorët e tyre të vyeshëm, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në proceset më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Universiteti i Tetovës, që nga themelimi, fillimi i ligjëratave të para e gjer te periudha pas zyrtarizimit, integrimit dhe përparimit të Universitetit. Me pietet të veçantë i kujtojmë edhe kontribuesit, të cilët nuk janë më në mesin tonë, duke uruar përjetësi për veprat e tyre”, tha rektori Ahmeti.
Ai më tej ka folur edhe për rezultatet e këtij universiteti që ka shënuar ndër vite.“Në vitin akademik 2018/2019, në ciklin e parë, të dytë dhe ciklin e tretë kemi regjistruar rreth 3000 studentë të rinj. Kemi vijuar me mbështetjen për studentët duke u ofruar lehtësime në disa kategori pagesash, ndërsa një numër të konsiderueshëm e kemi liruar plotësisht nga detyrimet e pagesave të semestrave. Këtu vlen të theksojmë se, për vitin akademik 2018/2019, Universiteti i Tetovës ka ndarë 90 bursa për studentët ekselentë të ciklit të parë dhe 22 bursa për ata të ciklit të dytë. Gjatë këtij viti akademik kemi arritur edhe një sukses tjetër, sepse, bashkë me Universitetin e Ilinoisit Verior, e konkretizuam veprën arsimore-shkencore me hapjen e programit të ri studimor për Administrim biznesi në studimet e ciklit të dytë. Ky program studimor do të funksionojë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë mes njësive tona akademike: Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës dhe Fakultetit të Administrim Biznesit të Universitetit të Ilinoisit Verior”, tha mes tjerash rektori Ahmeti.
Ndërkaq, në orët e paradites një delegacion i Universitetit të Tetovës i udhëhequr nga rektori Vullnet Ahmeti, profesorë, dekan dhe studentë, kanë bërë homazhe tek varri i Rektorit të parë dhe themeluesit të këtij Universiteti Fadil Sulejmani. Në përbërjen e këtij delegacioni ka qenë edhe Haxhere Sulejmani bashkëshortja e Fadil Sulejmanit dhe mysafir të tjerë, të cilët nderuan veprën e ideatorit dhe themeluesit të Universitetit të Tetovës.
Po ashtu pas homazheve tek varrezat e qytetit, delegacioni i njëjtë ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta tek busti i dëshmorit të arsimit shqip në Maqedoni, Abdylselam Emini, i cili u vra nga forcat policore në mbrojtje të themelimit të Universitetit. (koha.mk)