Evis HALILI
Shkup, 24 nëntor – Nëse për vitin e ardhshëm përgatitjet për shënimin e 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit do të kufizohen vetëm në programe festive, spektakle dhe tribuna shkencore, 22 nëntori do të mbesë thjesht një datë në kalendarin e festave shtetërore, një gjysmë festë dhe ditë pushimi për shqiptarët, shkruan gazeta KOHA. Mungesa e vëmendjes shtetërore gjatë gjithë këtyre viteve, duke filluar me restaurimet sipërfaqësore të objektit, fondet minimale që i janë akorduar nga Ministria e Kulturës, zvarritja prej një dekade e çështjes së pronësisë, mbrojtja adekuate e objektit pas tentativave për ta djegur, varret e harruara të Qiriazëve… e të tjera, do të duhej që të paktën të kompensohej me insistimin që kjo datë e rëndësishme për kulturën dhe arsimin të ishte pjesë e çmimeve shtetërore, si çmimi “22 Nëntori”, apo edhe çmimi “Parashqevi Qiriazi”, apo “Gjerasim Qiriazi”. Edhe pse për momentin nuk ka asnjë sinjal, apo kërkesë zyrtare nga pjesa shqiptare, lista e çmimeve shtetërore vazhdon të mbetet e njëjtë – monoetnike, diskriminuese, ndërsa debatet dhe propozimet që qarkullojnë kohët e fundit lidhen më shumë me data të tilla si “23 Tetori”, ditën e Luftës revolucionare, apo ajo e VMRO-së. Një prej themeluesve të Institutit të Trashëgimisë, Xhabir Ahmeti, thotë për KOHA se kjo datë duhet të shoqërohet me të paktën një çmim të rangut të çmimit shtetëror “11 Tetori” për vet faktin se vetë ngjarja – Kongresi i Manastirit, është një moment madhështor, është vula e cila i vihet faqes së shenjtërimit të gjuhës sonë, e kësaj gjuhe që përfundimisht u hapi dyert institucioneve arsimore e kulturore kombëtare dhe religjioze të shqiptarëve, e kësaj gjuhe që i bashkon shqiptarët gjithandej ku janë dhe çfarë do feje që i përkasin, e kësaj gjuhe që u bë atdheu pa kufij politik për ne shqiptarët.
“Ajo që neve na e nxit, na e ndez dhe na e ruan fuqishëm dashurinë për gjuhën shqipe, nuk është vetëm kontakti i parë që kemi pasur me fjalën shqipe të shqiptuar butë e ëmbël nga nëna. Natyrisht ky është faktori i parë, mirëpo është edhe diçka tjetër shekullore, është procesi i kalimit nëpër shekujt e shumtë të robërisë në të cilët gjuha shqipe e martirizuar, e shtypur, e përgjakur, e fyer dhe e poshtëruar skajshmërish nga okupatorët e ndryshëm, ia doli të mbrohet dhe ta kurorëzojë rezistencën dhe krenarinë e popullit shqiptar me Kongresin e Manastirit, ku u vendos që shqipja të shkruhet me alfabetin latin, me një alfabet latin, me të cilin shërbehen të gjithë popujt perëndimorë. Kjo ngjarje që u mbajt në territorin e Maqedonisë së sotme duhet të bëhet festë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. E jo vetëm kaq. Në këto kohë, kur Qeveria e re po tregon shenja mirëkuptimi dhe tolerancë më të madhe se të gjitha qeveritë e mëparshme për kulturën shqiptare, medoemos duhet që të jepet një çmim nacional i rangut të ’11 Tetorit’ për arritje e suksese të veçanta në fushë të kulturës dhe të arsimit, çmim të cilin do të mund ta marrin të gjithë punonjësit e dijes dhe të arteve që korrin suksese në punën e tyre”, thotë Ahmeti. Sipas tij, faktori politik shqiptar përfundimisht duhet ta dëshmojë veten duke e nxitur realizimin e kësaj ideje sa më shpejt, sepse në mos sot, nesër kjo ide do të realizohet, sepse shqiptarët këtu janë realitet dhe askush më nuk do të mund t’i fshehë pas dere as shqiptarët dhe as gjuhën shqipe, por do të detyrohet t’i respektojë njësoj siç i respektojnë shqiptarët fqinjët e tyre.
“Edhe si Institut, edhe si Shoqatë e historianëve ne kemi folur për këtë çështje, që të ketë një çmim të tillë, për arritje në kulturë, shkencë, arsim, në mënyrë që të rritet edhe pesha e kësaj feste dhe kjo datë të zërë një vend të merituar. Besojmë se porosia jonë është marrë nga institucionet shtetërore dhe presim që të shoqërohet me iniciativa në Parlament për ndarjen e një çmimi të tillë”, thotë për KOHA Skënder Hasani, drejtori i Institutit të Trashëgimisë dhe kryetar i Shoqatës së Historianëve. Deri tani s’ka pasur asnjë kërkesë zyrtare, madje edhe për ndryshimin e përbërjes së çmimeve shtetërore, apo edhe rikategorizimin e tyre. Ndryshimet e fundit në Ligjin për çmimet shtetërore që akordohen një apo disa herë në vit për kontribut dhe merita të veçanta në sfera të ndryshme janë bërë pesë vite më parë, por pa ndryshuar profilin monoetnik të tyre, me një përjashtim, çmimin “Nënë Tereza”. “11 Tetori” jepet nga Ministria e Kulturës dhe është çmimi më i rëndësishëm. I dyti është “Shën Klimenti i Ohrit” (Ministria e Kulturës), “Goce Dellçev” (Ministria e Arsimit), “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin” (Ministria e Kulturës), “23 Tetori” (Ministria e Kulturës), “Nënë Tereza” (Ministria e Kulturës), “8 Shtatori” (Agjencia e të Rinjve dhe Sportit).
ÇMIMET SHTETËRORE
“11 Tetori” jepet nga Ministria e Kulturës dhe është çmimi më i rëndësishëm. I dyti është “Shën Klimenti i Ohrit” (Ministria e Kulturës), “Goce Dellçev” (Ministria e Arsimit), “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin” (Ministria e Kulturës), “23 Tetori” (Ministria e Kulturës), “Nënë Tereza” (Ministria e Kulturës), “8 Shtatori” (Agjencia e të Rinjve dhe Sportit)
PARASHQEVI QIRIAZI, DISKRIMINIMI NË SILIKON
Dhoma përkujtimore, një prej investimeve më të mëdha shtetërore që janë bërë deri tani për Muzeun e Alfabetit, me 11 figurat në silikon të anëtarëve të komisionit që drejtohej nga Gjergj Fishta është një tjetër neglizhencë ndaj kësaj date dhe një prej familjeve që dhanë kontributin e saj maksimal për Kongresin, dhe gjuhën e arsimin shqip, atë të Qiriazëve. Kompozimit në silikon, që bazohet tek një fotografi e asaj kohe nga Kel Marubi, dhe shumë pak në fiksimin e plotë të një momenti historik për shqiptarët ka anashkaluar një prej personazheve që luajti një rol të rëndësishëm në atë periudhë, atë të Parashqevi Qiriazit, që jo vetëm lindi në atë qytet, por ishte pjesëmarrëse e Kongresit të Manastirit, sekretare e komisionit dhe më pas edhe autore e abetares së pare shqipe me alfabetin e Manastirit dhe e himnit të tij, por edhe autorja e parë femër e një projekti arsimor. Paradoksalisht Parashqevi Qiriazi mungon. Kjo mungesë shpreh shembullin më të keq të historisë që rrëfen një muze, bazuar në fotografi dhe shumë pak në dokumente. Por edhe të diskriminimit gjinor, të një gruaje të rrallë që “eklipsohet” nga 11 burra.
MUZEU ME GJASHTË TË PUNËSUAR DHE VETËM NJË KUSTOS
Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet që prej inaugurimit të godinës së Alfabetit dhe shpalljes shtëpi përkujtimore e më pas edhe si institucion nacional muze, por numri i punonjësve nuk ka ndryshuar shumë. Për momentin numërohen gjithsej gjashtë të punësuar së bashku me drejtorin, katër prej të cilëve janë pjesë e administratës (jurist, arkivist, kontabilist dhe teknik), ndërsa vetëm një është kustos, përkatësisht kustos – edukator, i specializuar për fëmijë.
“Numri është i vogël, gjithsesi, sidomos me largimet e dy punonjësve pas dy fatkeqësive personale që i ndodhën nuk janë zëvendësuar. Shpresojmë që numri të plotësohet, por edhe në rast se marrim miratimin për punësime të reja, nuk besoj se do të gjejmë të interesuar, si historianë, apo albanologë. Në profile të tilla Manastiri nuk ka, dhe me rrogat e vogla që kanë punonjësit e muzeumeve më duket pak e pamundur që në këtë vend pune, të themi si kustos të vijë dikush nga ndonjë qytet tjetër”, thotë drejtori i Muzeut, Nuer Arsllani, i cili para emërimit në këtë post ka qenë kustos i muzeut. (koha.mk)