22 deputetë të PE-së kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Duke e njohur rëndësinë e dhënies së liberalizimit të vizave për Kosovën, 22 anëtarë të Parlamentit Evropian nga grupe politike i kanë adresuar një letër të hapur presidentit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, si dhe të kreut të Përfaqësuesit Permanent të Austrisë, Nikolaus Marschik.

Kjo letër vjen para mbledhjes së Këshillit të Evropës më 13-14 dhjetor, 2018.

Në letër, deputetët e PE-së theksojnë se është qenësore për t’ia hequr vizat Kosovës pa asnjë vonesë. Ata u bëjnë thirrje Këshillit që të caktojë një votim për këtë çështje dhe të miratojnë regjimin pa viza sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Deputetët kujtojnë se më 18 korrik të këtij viti, Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka plotësuar dy kushtet e jashtëzakonshme për liberalizim vizash siç janë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe shtrëngimin e luftës kundër krimit e korrupsionit, dhe kështu ka përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizim vizash.

“Qëndrimi ynë është se liberalizimi i vizave do të përmirësojë stabilitetin dhe ta afrojë Kosovën me BE-në duke përmirësuar lehtësimin e udhëtimit dhe të bërjes biznes, ndërsa ndihmon edhe luftën kundër kontrabandës dhe korrupsionit”, thuhet mes tjerash në këtë letër që ka siguruar “Koha Ditore”.

“Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor qytetarët e të cilit ende kanë nevojë për viza që të udhëtojnë në Zonën Schengen. Kjo veçse ka krijuar një ndjenjë izolimi që prek jetët e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Ne veçse kemi qenë dëshmitarë të rritjes së një gjenerate të re të përjashtuar nga pjesa tjetër e Evropës së bashkuar dhe prosperuese. Regjimi pa viza paraqet një prej arritjeve më të prekshme dhe më konkrete të perspektivës evropiane të vendit. Ne i bëjmë thirrje Këshillit që të caktojë një datë për votim në këtë çështje dhe të miratojë regjimin pa viza për Kosovën pa vonesa të mëtejme”, theksohet në letrën e 22 deputetëve të Parlamentit Evropian.

Nënshkrues të kësaj letre janë: Tanja Fajon, Eduard Kukan, Andery Kovatchev, Angelika Mlinar, Asim Ademov, Barbara Spinelli, Birgit Sippel, Danielle Viotti, Dubravka Shuica, Eugen Freund, Heinz K. Becker, Igor Sholtes, Ilhan Kyuchyuk, Ivo Vajgl, Jordi Sole, Jozo Radosh, Knut Fleckenstein, Lukas Mandl, Marie-Christine Vergiat, Othmar Karas, Sophie in ‘t Veld e Tonino Picula.