Në oqeane po vërehen gjithnjë e më shumë objekte plastike që qeniet njerëzore i hedhin pa asnjë lloj hezitimi në dete. Në sajë të rrymave, janë pesë ishujt e mëdhenj të mbeturinave që kanë grumbulluar ujërat oqeanike: vetëm në Paqësor flitet për rreth 150 milionë tonelata mbetje, që në disa zona tejkalojnë përqendrimin e planktoneve. Në total janë rreth 5.25 trilionë copa të mbetjeve që ndotin oqeanet dhe detet. Deri në këtë moment e vetmja rrugë e këshilluar është ajo e përdorimit më të paktë të plastikës, për të mos përkeqësuar edhe më shumë situatën. Por Boyan Slat, i lindur në Holandë në vitin 1994, e ndryshoi perceptimin e këtij problemi: “Ishte e dëshpërueshme për mua të mendoja se vetëm limitimi i konsumimit të plastikës ishte i mjaftueshëm!”. Kështu në vitin 2012, i mbyllur në dhomën e tij të studimit, ai imagjinoi një sistem që shfrytëzon rrymat oqeanike për të grumbulluar plastiket në një vend të vetëm e për të reduktuar kështu në mënyrë drastike, në pak vjet, kohën e pastrimit të ujërave. Në vitin 2013, ai, për këtë qëllim themeloi “The Ocean Cleanup”, fondacion me të cilin arriti të grumbullojë paratë e nevojshme (1.5 milionë euro) për të ndërtuar prototipin e parë të barrierës nënujore që fillon testin këto ditë në Detin e Veriut. Është hera e parë që Boyan Slat dhe teknikët e këtij fondacioni eksperimentojnë pajisjen në shkallë të gjerë. Një moment historik. Ideja bazë është kjo: një mur në formë V-je do t’i çojë mbeturinat në një zonë të demarkuar, nga e cila do të jetë e thjeshtë të merren dhe të riciklohen. Nëse teknologjia e ideuar nga Slat do të ketë sukses, kjo mund të përdoret për të hequr vetëm në 10 vjet, të paktën gjysmën e 154 milionë mbetjeve plastike, që tani notojnë në atë që quhet Great Pacific Garbage Patch, një ishull i madh plehrash i vendosur në Oqeanin Paqësor. Pa ndihmën e barrierës oqeanike dhe rrymave natyrore të tyre, njerëzimit do t’i duhej 79 mijë vjet për të pastruar ujërat nga mbetjet plastike. “Në vend që të vraponim pas anijeve të mëdha, të posaçme për këtë rast, ndërtimi i të cilave do të kërkonte kohë të pafundme, ne zhvilluam këtë lloj sistemi”, ka shpjeguar i riu themelues i “The Ocean Cleanup” për të përditshmen amerikane “Huffington Post”. “Plastiket janë duke shkuar drejt qendrës dhe, për këtë arsye, grumbullimi është rritur në 100 mijë herë. Pra, prej mbetjeve, mund të ecet me të vërtetë mbi ujë!”. “Ocean Cleanup” ka përllogaritur se nëse për këtë rast nuk do të kishte asnjë ndërhyrje, brenda vitit 2050, oqeanet do të kishin më shumë mbetje plastike sesa peshq. Një apokalips ambientalist që Boyan dëshironte absolutisht ta shmangte dhe bashkë me të edhe sipërmarrësit që po e ndihmojnë të materializojnë ëndrrën e tij ekologjike. Për “Huffington Post” i riu flet me shumë emocion për fillimin e eksperimentimit konkret: “Kjo është hera e parë që testojmë vërtet idenë tonë. Kur mendova për gjithë këtë në vitin 2012, ne duhet ta kuptonim patjetër nëse mund të funksiononte. Ne fillimisht nisëm një ekspeditë të madhe për të kuptuar se sa shumë mbetje plastike kishte nëpër oqeane. Duke përshkuar ishullin e mbeturinave në Hawai të Paqësorit në Kaliforni me 30 anije, zbuluam se kishte më shumë plastikë nga se kishim imagjinuar, të paktën 10 tonelata më shumë. Dhe tashmë, më në fund, ne kemi mundësi të testojmë seriozisht idenë tonë”.