Tiranë, 26 korrik – Disa orë pasi kryeministri Edi Rama thumboi opozitën duke e cilësuar si përgjegjëse për vonesat në reformën në drejtësi, ka reaguar po përmes rrjetit social, kryetari i PD-së Lulzim Basha, shkruan “Gazeta Express”.
Lideri i Partisë Demokratike, shprehet në postimin e tij se ajo që kërkon Rama tashmë është e ditur, kapjen e mëtejshme të sistemit të drejtësisë. Basha i referohet ligjit për Magjistraturën, duke thënë se ajo që kërkon Rama është që të sapodiplomuarit në sistem të kalojnë nga dora e Prokuroes Arta Marku dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Sipas Bashës kjo lëvizje e kryeministrit bëhet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon dhe është thuajse e pamundur që t’i kundërshtosh nismat e qeverisë përmes gjykatës.
Basha shton më tutje se heshtja e ndërkombëtarëve në lidhje me ngërçin total që po konsumohet në Gjykatën Kushtetuese, është një shenjë mjaft shqetësuese. Kryedemorkati edhe pse nuk përdor emra i referohet dy ambasadorëve të BE e SHBA në Tiranë, duke thënë se heshtja ul ndjeshëm besueshmërinë e tyre tek shqiptarët.