Në krahasim me numrin e kurorëzimeve në vitin 2020 – 86 gjithsej, kurorëzimet vitet të kaluara janë në numër më të madh. Në vitin 2019, sipas të dhënave të Zyrës së kurorëzimeve, janë regjistruar gjithsej 125 lidhje martesore, kurse në vitin 2018 – 129 kurorëzime dhe në 2017 – gjithsej 118
Vjollca SADIKU
Dibër, 14 janar – Virusi i rrezikshëm Kovid -19 ndikoi negativnisht edhe në kurorëzimet që vitin e kaluar janë regjistruar në qytetin e Dibrës. Viti 2020 ishte vit i cili u përmbyll edhe me një ulje të numrit të kurorëzimeve në komunë. Institucionet kompetente lokale kanë informuar se mosardhja e mërgimtarëve dhe anulimi i dasmave për shkak të pandemisë drejtpërdrejt ndikoi në uljen e martesave. Në vitin 2020 është regjistruar numri më i ulët i kurorëzimeve në dekadën e fundit.
Sipas përgjegjëses të sektorit të kurorëzimeve pranë Komunës Dibër, Afërdita Shaini, numri I kurorëzimeve gjatë vitit të kaluar ka qenë vetëm 86. “Ky është numri më i ulët i kurorëzimeve në Dibër në dekadën e fundit”, tregon Shaini dhe shton se ky numër është pothuajse dy herë më vogël se numri i martesave të regjistruara para një dekade. Në tre muajt e parë të vitit të kaluar, numri i kurorëzimeve ishte vetëm 3. Pastaj paraqitja e pandemisë uli numrin e kurorëzimeve çdo muaj në vijim.
Në krahasim me numrin e kurorëzimeve në vitin 2020, kurorëzimet vitet të kaluara janë në numër më të madh. Në vitin 2019, sipas të dhënave të Zyrës së kurorëzimeve, janë regjistruar gjithsej 125 lidhje martesore, kurse në vitin 2018 – 129 kurorëzime dhe në 2017 – gjithsej 118.
Si shkak kryesore për numrin e vogël të kurorëzimeve, thotë Afërdita Shaini, është mos ardhja e mërgimtarëve nga SHBA-ja në vendlindje dhe mërgimtarëve tjerë që jetojnë dhe veprojnë në Europë, për shkak të pandemisë Kovid-19. Vet fakti se në këtë qytet, dasmat fillojnë tradicionalisht në maj, kur mbërrijnë kryesisht njerëzit tanë nga SHBA, ku ka mbi 15 mijë dibranë, dhe martesat me ceremonitë familjare zhvillohen në korrik dhe gusht, por edhe gjatë festave të fundvitit kur mërgimtarët tanë që jetojnë në Evropë e që janë mbi 7 mijë, vijnë e realizojnë dasmat dhe kurorëzimet në vendlindje, tregojnë arsyet për numrin e ulët të kurorëzimeve.
Shumë të rinj dibran që janë në mërgim, sipas traditave dibrane, kanë dëshirë të kurorëzohen në vendlindje, por gjatë vitit të kaluar kjo nuk ndodhi dhe faktikisht ndikoi në uljen e numrit të kurorëzimeve, sqaron Shaini. (koha.mk)