Disa kanë pasur ngritje e disa rrënje. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as “turbulencat” për brenda vet klubeve me ndryshime të futbollistëve dhe stafit teknik. Gazetarët sportiv e vlerësojnë 2019 ka qenë vit i suksesshëm për ekipet shqiptare që garojnë në elitën e futbollit të Maqedonisë
Fisnik NUHIU
Shkup, 1 janar – Vitin që po e lëmë pas ka qenë i përmbushur me shumë sfida edhe për futbollin vendas. Ndërkohë, ekipet shqiptare që garojnë në ligën e parë të Maqedonisë së Veriut kanë pasur lëvizje të herë pas hershme “tektonike”. Disa kanë pasur ngritje e disa rrënje. Nga ana tjetër nuk kanë munguar as “turbulencat” për brenda vet klubeve me ndryshime të futbollistëve dhe stafit teknik. Gazetarët sportiv e vlerësojnë 2019 ka qenë vit i suksesshëm për ekipet shqiptare që garojnë në elitën e futbollit të Maqedonisë.
2019, VIT I MADH PËR FUTBOLLIN SHQIPTARË
Faton Zylbehari, redaktori i sportit në TV Shenja thotë se 2019 për ekipet shqiptare ka qenë mjaftë pozitive. “Nëse shikojmë komplet vitin 2019 sigurisht se statistikat na nxjerrin vlerësim shumë pozitiv duke ditur se Shkëndija sërish doli kampione e vendit, Shkupi edhe një herë luajti në eliminatoret e UEFA Europa League, Renova kishte sezon mesatar por qëndroi në Ligën e Parë pa ndonjë problem më serioz, ndërsa tre ekipeve shqiptare në elitë u bashkëngjit edhe Struga Trim&Lum që për herë të parë në histori siguroi kualifikim në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Mundej edhe më mirë, por si vlerësim i përgjithshëm rezulton pozitiv”, deklaroi për KOHA, Zylbehari.
Sipas tij, gjysmë stinori vjeshtor i Ligë së Parë dhe forma e ndryshueshme e kuqezinjve tetovarë sigurisht se len për të dëshiruar, por për këtë mbase ndikuan më shumë faktorë. Nëse shikojmë nga fundi, që në fakt është pjesa e garës që do të vazhdojë, Shkëndija mendoj se e mbylli mirë, në raport se si e nisi sezonin e ri. “Paraqitjet jo pozitive në Evropë lanë ndikim psikik si duket të ekipi tetovar dhe këtë skuadra e vuajti edhe në kampionatin vendor kur nuk fitonte disa xhiro me radhë dhe si pasojë pati ndryshime në stafin teknik. Mirëpo si kalonte koha, ekipi merrte formën optimale, lojtarët vinin në nivelin e dëshiruar dhe kjo seri e ngjiti ekipin në vendin e dytë, me 8 pikë larg kreut. Diferencë jo e vogël, por duke parë se në momente ishte edhe më e madhe, besoj se Shkëndija ofroi gjërat në afërsinë e duhur për të materializuar në pranverë me dominim dhe ngjitje në vendin e parë. Kujtojmë se pjesën e parë të 2019 Shkëndija fitoi titullin e dytë me radhë dhe të tretin në histori dhe në aspekt të kësaj ky vit nuk mund të mos quhet pozitiv për tetovarët”, thotë Zylbehari në analizën e tij për suksesin e Shkëndijës gjatë 2019-ës.
Ndërsa, vlerëson se Klubi Futbollistik Shkupi, me ndryshimet e shumta dhe të vazhdueshme që bëhen në skuadrën nga Çairi nuk lënë hapësirë për një vazhdimësi më serioz dhe tashmë jemi mësuar vite me radhë të shohim një skuadër me formë të ndryshueshme, që gjithsesi në fund rezulton me dalje në Evropë. “Në këtë drejtim pjesa e parë e vitit 2019 mund të vlerësohet e suksesshme, ndërsa në Evropë pak mungoi Shkupi të kalonte pengesën e parë. Ndërkohë sezoni i ri solli probleme të vjetra me ndryshime në pankinë që reflektonin te skuadra. Personalisht e vlerësoj një prej vendimet më të mira të viteve të fundit të kryesisë së Shkupit angazhimin e Qatip Osmanit si trajner. Gjithsesi Qato nuk posedon shkop magjik për të bërë mrekullinë, arriti ta nxjerr një gjysmë sezon solid që për fat të keq u mbyll me humbje nga Makedonija Gj.P., por besoj se me disa lëvizje të duhura Shkupi në pranverë do të jetë skuadër shumë e balancuar”, nënvizon ai.
Ai konsideron se RENOVA, ekipi nga Xhepçishti tashmë një kohë të gjatë është pjesë e elitës vendore dhe kam përshtypjen se pavarësisht vështirësive ata din të menaxhojnë gjërat për të mos u rrezikuar me seriozisht. “Sezonin e kaluar ishin në nivelin e duhur konform ambicieve dhe investimeve, duke kujtuar që vetëm falë një goli nuk kapën pjesëmarrjen në Evropë. Ndërkohë në vjeshtë Renova pagoi koston e ndryshimeve në përbërje. Kapiteni shumëvjeçarë Fisnik Nuhiu i dha lamtumir futbollit të luajtur, duke kaluar në drejtor sportiv, ndërsa president emërohet Lirim Sahiti. Të dy gjatë kohë janë në klub dhe mendoj se menaxhuan shkëlqyeshëm uljen e buxhetit dhe krijimin e një skuadre homogjene për të bartur barrën e Ligës së Parë. Në pankinë ulën një njeri të tyre, në emrin e Bujar Islamit, punëtor shumëvjeçar të Renova dhe gjërat nisën mirë. Por si kalonte koha, Renova filloi të vuajë pankinën e shkurtër, lëndimet filluan të kufizojnë stafin teknik dhe ekipi realisht ra në një pozitë ku nuk duhej të ishte. Por vlerësoj se nuk është ndonjë diferencë e madhe e pikëve dhe me përgatitje cilësore, dy tre përforcime dhe seri pozitive në pranverë, Renova do të largohet nga vendi i parafundit dhe sërish do të jetë në zonën e qetë të renditjes”, shprehet Zylbeari.
Për STRUGA T&L, si skuadër e re në elitën e futbollit të Maqedonisë ai thotë se 2019 ishte vit pozitiv. “STRUGA T&L del nga ky vit me bagazh të mirë për në pranverë. Fillimisht me Jeton Beqirin në pankinë, Struga Trim&Lum zhvilloi pranverë të sigurt në Ligën e Dytë dhe me meritë u promovuan në elitë. Me një skuadër solide, kombinim i lojtarëve cilësorë dhe me përvojë në Ligën e Parë dhe disa të rinjve shumë cilësorë mendoj se morën më të mirën në vjeshtë. Nisën mirë dhe më pas filluan të vuajnë ndoshta faktin e debutuesit në elitë. Por në fund kishin seri impozante me tre skuadrat e kreut duke fituar pikë maksimale në terren të vet me Vardarin dhe Shkëndijën, ndërsa barazuan në transfertën me Akademia Pandevin. Njollë të zezë mbase len barazimi me Borecin në xhiron e fundit në Strugë, por janë gjëra që ndodhin dhe besoj se ekipit në kohë i erdhi pushimi, për të marrë veten dhe në pranverë të vazhdojnë me rritëm të njëjtë për të mos rrezikuar mbijetesën”, tha Zylbeari gazetarë dhe punëtor sportiv.
KLUBET SHQIPTARE ZHGËNJYEN NË 2019
Reshat Ibrahimi, redaktor i sportit në Gazeta Lajm thotë se po vet gjendja në renditjen tabelore pas përfundimit të sezonit vjeshtor tregon qartë se klubet shqiptare kanë pasur një sezon zhgënjyes, përjashtuar pak Struga Trim Lum, si një skuadër debutuese në elitën e futbollit. “Shkëndija është dëshpërimi më i madh, pasi kemi pritur që edhe sivjet të dominojë në kampionat. Vendi dytë në tabelë dhe tetë pikë më pak se Vardari është mossukses. Kuqezinjtë patën një fillim të dobët, që pasuan me ndryshime në stafin teknik, por në pjesën e ardhshme të sezonit ia dolën të këndellën dhe ti afrohen kreut, megjithatë jo për të mbushur ambiciet e tyre. Nëse nuk u bënë kampion vjeshtor, nuk është dashur që të lejojnë arratisjen e Vardarit, i cili me kushte modeste u shpall kampin i dimrit. Ka edhe shumë ndeshje deri në fund të edicionit, lufta nuk ka mbaruar, por duhet ta dimë se e prêt një punë e madhe për ta përsëritur titullin. Shkupi para fillimit të sezonit paralajmëroi një sezon të suksesshëm, por edhe kjo skuadër dështoi në pritshmëritë e shikuesve. Rezultatet negative të Shkupit detyruan kryesinë e klubit të shkarkojë trajnerin Umit Karan dhe të sjell Qatip Osmanin. Vendi i shtatë në tabelë me 22 pikë dhe vetëm 5 fitore në 18 ndeshje janë shumë pak për Shkupin. E prêt një pranverë e nxehtë”, thotë në prononcimin e tij për KOHA, Reshat Ibrahimi, duke i bërë një rakiputlim të sukseseve të ekipeve shqiptare në ligën e parë të futbollit të Maqedonisë.
RENOVA ZHGËNJIMI MË I MADH
Askush se ka pritur, shprehet Ibrahimi, se Renova do të përfundojnë në vendin e parafundit në tabelën e futbollit elitar të vendit. “Ndoshta në disa ndeshje iu bënë edhe padrejtësi nga arbitrat, ku humbën pikë të mëdha, megjithatë është dashur të jenë më të koncentruar në disa takime. 19 pikë dhe me minus 13 gola të pësuar është mossukses. Padyshim se, Renovën e prêt një luftë shumë e vështirë për ekzistencë në sezonin pranveror. Unë kam besim te Renova, duke u bazuar në përvojën që kanë në ligën e parë, se mund ta sigurojnë mbijetesën. Ndërrkaq, Struga Trim Lum përfundoi në vendin e gjashtë me 24 pikë. Struganët pas një fillimi mesatar, në finish të sezonit vjeshtor patën një seri të rezultateve shumë të mira. Ata mposhtën Vardarin, Shkëndijën në fushë të vet, dhe morën pikë në disa udhëtime të vështira. Mund të thuhet se mund të bëjnë një gjumë më të qetë se Renova dhe Shkupi, por duhet patur kujdes, sepse nuk janë shumë larg zonën së rrezikut”, potencon Ibrahimi.
2019, NË MBAMENDJEN E SHKËNDISË PËR TITULLIN E FITUAR
Redaktori i redaksisë së sportit në servilin e dytë në gjuhën shqipe të Radio Televizionit të Maqedonisë, Mustafa Ademi vlerëson se Shkëndija do të mbaj mend vitin 2019 për nga suksesi dhe titulli i ri në kampionatin e Maqedonisë, që është i treti në histori, por edhe për nga dështimi në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe Europa League. “Kuqezinjtë, kishin mundësi historike, fal edhe shortit të favorshëm, që të shkojmë në grupet e garës më masive, por dështuan duke u eliminuar fillimisht nga Nome Kalju, e më pas edhe nga Dudelange. Sa i përket pjesës vjeshtore të sezonit 2019/2020, dizavantazhi prej tetë pikësh ndaj Vardarit, jam i mendimit se është i arritshëm dhe nëse Shkëndija përsërit paraqitjet e sezoneve të kaluara, mund të shpallet kampion për herë të tretë rreshtazi. Ndërkohë, skuadra e Shkupit ngjashëm si edhe gjatë vitit 2018, edhe këtë vit fal një “foto finishi” në fund të sezonit, ia doli të mbyll të njëjtin me sukses dhe plasman në Ligën Europa. Në daljen evropiane këtë vit, në krahasim me të kaluarën, kundërshtari dhe mundësia ishte ideale që të shkohet edhe në turrin e dytë, por skuadra nuk ia doli, duke u eliminuar. Ardhja e Qatip Osmanit në krye të skuadrës si trajner, është një prej gjërave më pozitive që ka mundur ti ndodh Shkupit këtë sezon, dhe edhe përkundër përmbylljes të pjesës vjeshtore në mënyrë jo edhe aq të mirë, Shkupi në pranverë do të jetë në mesin e pretendentëve kryesor për dalje të re në Evropë”, tha Ademi. Sipas tij, skuadra e dytë nga qyteti i Tetovës, Renova, vazhdon të jetë një prej ekipeve më stabile në shoqërinë elitare të futbollit tonë. “Ekipi nga Xhepçishti një kohë të gjatë e kishte në pikëpyetje mbijetesën e sigurt, por në fund iu dha edhe rasti për të dal në Evropë, mundësi të cilën e humbi vetëm fal dueleve direkte më të dobëta ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit. Në sezonin e ri, pjesën e deritanishme, “gjipsarët” vazhdojnë me tempo jostabile, duke u radhitur në pozitën e parafundit të tabelës, por megjithatë, skuadra ka cilësi të lartë të lojtarëve, për të cilët mbijetesa nuk duhet të jetë problem në pjesën pranverore të sezonit. Struga Trim Lum – Skuadra e Strugës, si një prej ekipeve të reja të formuara vitet e fundit, me sukseset e saj ngjason në Lajpcigun gjerman, që çdo vit kishte ngjitur nga një shkallë në futbollin gjerman. Së fundmi, ekipi i prirë nga Jeton Beqiri, fal një dominimi të plotë në ligën e dytë – perëndim, ia doli që për herë të parë në histori dhe vetëm katër vite pas formimit, të debutoj në shoqërinë elitare të futbollit në vendin tonë. E sa i përket debutimit dhe pjesës së deritanishme të sezonit, Struga Trim Lum është një prej befasive të këndshme, duke qenë vetëm katër pikë larg vendit të dytë, por edhe me pesë pikë dallim nga Renova që është në pozitën e parafundit”, nënvizon ai.
FC SHKUPI ME GJYSMË SEZON MJAFT EMOCIONUES
“Shkëndija – Kampioni aktual i Maqedonisë në futboll, kishte mjaft batica dhe zbatica në këtë sezon, andaj 8 pikë dizavantazh janë pikërisht nga kjo ecuri jo kontsante që e ka bërë skuadra tetovare në këtë gjysmë sezon. Shenjat e para se gjërat nuk do të shkojnë ashtu siç duhet ishin edhe përballjet eliminatoret të Ligës së Kampionëve, ku u eliminuan nga skuadra e Estonisë, Home Kalju, që më pas të njëjtën të përjetojnë edhe në elimintoret e Ligës Evropa, ndaj skuadrës së Dudelanzhit. Seria negative vazhdoi edhe në Ligën e Parë, ku pësuan disfata nga Sileksi dhe Akademia Pandev, ndërsa e kobshme për trajnerin Qatip Osmanin,u tregua disfata ndaj Velesit. Në vend të tij erdhi Erhan Selimi që kishte rezultatet pozitive në fillim, deri te disfata në stadiumin në Çair nga FC Shkupi, që ishte një nismë e serisë negative në të cilën sërish u zhyt Shkëndija. Pas barazimit me Vardarin dhe humbjen nga Akademia Pandev, Erhan Selimi u largua nga stoli dhe me strategun nga Shqipëria, Ernest Gjoka, skuadra tetovare ka shënuar 6 fitore, një disfatë dhe 2 barazime, ndërsa në këtë ecuri ka mundur Vardarin në Tetovë (1-0), duke e eliminuar nga Kupa e Maqedonisë, duke vazhduar serinë pozitë në Shkup, ku nuk njeh disfatën plot 2 vite në terrenin e Vardarit. 8 pikë nuk janë aq shumë, duke ditur se na presin edhe 18 javë të futbollit dhe kur do të ketë sërish dy duele me Vardarin, dhe mjaft mundësi të tjera që të mbrohet titulli i kampionit. Por natyrisht nëse mbahet ky kontinuitet i rezultateve pozitive që e dikton trajneri Gjoka”, ky është vlerësimi i Mahir Thaçi, redaktor i sportit në TV Alsat-M, duke folur për suksesin dhe dështimet e klubeve shqiptare gjatë vitit 2019.
Thaçi shprehet se FC Shkupi – Kishte një gjysmë sezon mjaft emocionues. “Kjo përkon me 30 vjetorin e tifo grupit “Shvercerët”, të cilët janë futbollisti I 12 I skuadrës dhe që kanë nxitur vazhdimisht që futbollistët e FC Shkupit të japin maksimumin. Andaj pritëshmëria e Shvercerëve është që të jetë sa më lartë në tabelën e klasifikimit dhe mos të luftojë për mbijetesë, por për vendet që sjellin kualifikim në Evropë. Fillimi i sezonit ishte gati prefekte, posaçërisht pas barazimit 3-3 ndaj Pjunikut në Armeni në eliminatoret e Ligës Evropa, pas së cilës mendohej për kundërshtarin e ardhshëm. Mirëpo edhe njëherë u dëshmua se ekipet tona kanë mungesë të eksperiencës dhe kjo u konfrmua në sfidën kthyese, ku skuadra armene shënoi fitore 2-1. Skuadra e menaxhuar nga Umit Karan filloi mirë edhe sezonin në futbollin vendor, deri te momenti shokues, kur u largua trajneri turk. Pasardhësit e tij nuk sollën ndonjë lëvizje të madhe në ecurinë e rezultateve, ndërsa befasi e madhe ishte caktimi i Qatip Osmanit për trajner të klubit nga Shkupi. Nën drejtimin e tij, FC Shkupi mundi kampionin aktual, Shkëndijën, në Çair, ndërsa arriti që të drejtojë Shkupin edhe në raundin e dytë të Kupës së Maqedonisë, pasi eliminoi Sileksin. Mirëpo 3 disfatat e fundit zbehën ecurinë pozitive të Osmanit, duke nxitur atë që të drejtohet kah merkato e janarit, në kërkim të përforcimeve të reja, posaçërisht në repartin e sulmit, ku duhet të shtohet efikasiteti, një pikë e dobët dhe e kamotshme për këtë skuadër”, nënvizon ai.
STRUGA TRIMA LUM – FRESKI E VËRTETË NË FUTBOLLIN VENDOR
Sipas gazetarit Thaçi, Struga Trima Lum – Është një freski e vërtetë në futbollin vendor, që dëshmoi se ka kualitet që jetë e barabartë me shumë skuadra në Ligën e Parë. “Natyrisht se kjo skuadër dëshmoi se mund të jetë një oponentë i papërshtatshëm për skuadrat kuqezi, pasi që të dy ekipet, Shkëndijën dhe Vardarin i ka mundur në Strugë me rezultat identik 2-1. Natyrisht se me këtë ecuri, kjo skuadër shumë shpejt mund të sigurojë mbijetesën, që është objektivi kryesor, dhe ndoshta shpresojnë që të shkojnë sa më larg në kompeticionin tjetër, atë të Kupës. Kur jemi tek kjo e fundit, Struga Trim Lum eliminoi Borecin në raundin e parë, ndërsa barazimi (0-0) ndaj Renovë, lë që përballja në Tetovë në muajin mars të jetë mjaft interesante. Nëse arrin të kalojë më tej, do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Struga Trim Lum”, konstaton Mahir Thaçi, gazetar sportiv.
Ai shprehet se, Renova – skuadra nga Xhepçishti është dëshpërimi më i madh i gjysmë sezonit vjeshtor, pasi që është renditur në vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit, me vetëm 19 pikë të grumbulluara në këto 18 javë të futbollit. “Është pak nga një skuadër që jemi mësuar të shohim vazhdimisht në kreun e Ligës së Parë. Vet skuadra tetovarë në disa raste është ankuar për padrejtësitë që i bëhen nga arbritrat e ndeshjeve dhe ndoshta do të ishte një pasqyrë tjetër nëse nuk do të ishin këto “fenomene” në futbollin vendor. Mirëpo vet skuadra e Renovës ka treguar pak nga ajo që pritej, edhe pse të gjithë janë të vetëdijshëm se kjo skuadër ka kualitet. Largim i golashënuesit Vlatko Stojanovskit tek skuadra franceze e Nimit, ishte një lajm fantastik për të gjithë opinionin vendor, por duket se këtë gjë e pagoi shtrenjtë Renova në Ligën e Parë, ku i munguan golat në ndeshjet vendimtare. Mos të harrojmë edhe serinë negative prej 10 ndeshjeve pa fitore, ku shijoi 6 disfata dhe shënoi 4 barazime. Mirëpo fitorja e fundit, ndaj Rabotniçkit (4-3) dha një impuls se kjo skuadër mund të bëj një rikthim të plotë në pranverë, ku zakonisht shënon edhe rezultate më të mira në vitet e fundit”, shprehet Thaçi. Marrë në përgjithësi, shton më tej ai, na pret një ndër sezonet më nxitëse të futbollit vendor, ku deri në fund nuk do të dihet se ku do të shkojë titulli i kampionit apo ajo e Kupës, por edhe kush do të largohet ose kush do të sigurojë garat evropiane.
Ndryshe, vlen të theksohet se për herë nga pavarësimi i vendit, në krye të futbollit të Maqedonisë është zgjedhur një president shqiptar. (koha.mk)