Bashkimit Europian iu desh të menaxhonte shumë kriza më 2018, që nga bisedimet e zvarritura për Brexitin, grindjet për tregtinë me SHBA, rritjen e populizmit të djathtë, konfliktet me Poloninë, Hungarinë dhe Rumaninë për mungesën e shtetit të së drejtës.
A mund të bëhet më keq? Po, mund të bëhet, por jo doemos. Në maj 2019 do të zgjidhet një Parlament i ri Europian, i vetmi parlament supranacional i zgjedhur në mënyrë demokratike në botë. Pastaj në vjeshtë bëhet emërimi i personave për gjithë postet kryesore europiane, që nga presidenti i Komisionit deri tek presidenti i Bankës Europiane. Nëpërmjet kësaj nuk është se zgjidhen krizat, por krijohet mundësia për një fillim të ri.
Nëse i beson studiuesve të zgjedhjeve atëherë numri i radikalëve të djathtë dhe populistëve deputetë në Parlamentin Europian do të rritet nga dhjetë që është sot në 20 për qind, pra do të dyfishohet. Fraksioni më i fortë nuk do të bëhen kundërshtarët e BE, por ata do të marrin më shumë ndikim dhe mund të zvarrisin integrimin dhe reformat.
Rezultati i zgjedhjeve do të pasqyrojë pakënaqësinë në rritje të popullsisë ndaj BE. Mendimi se anëtarësia në BE nuk sjell asgjë, ka pak të bëjë me faktet, por populistët dinë ta ndezin këtë ndjenjë, duke filluar që nga populistët e Le Penit në Francë, tek Salvini në Itali dhe Gauland në Gjermani. Të mbytur me emigrantë, të varur nga globalizimi? Këtij imazhi të errët dhe të gabuar duhet t’i kundërvihen përkrahësit e BE. Kursit nacional me “vendi im i pari”, i duhet kundërvënë “Europa është për mua e rëndësishme” për mirëqenien dhe paqen.
Me largimin e britanikëve Bashkimi Europian zvogëlohet për here të parë në histori Kjo do të shkaktojë rënien e fuqisë, të paktën në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Pa forcën ushtarake të Britanisë së Madhe, BE nuk ka shumë force në botë. Nga pikëpamja ekonomike, europianët mund t’ia dalin mbanë edhe pa britanikët. Dëmi është më i madh për britanikët vetë. Që Brexiti do të ketë fillimisht pasoja negative e ka pranuar edhe vetë qeveria. Për shkak të bllokadës totale në Dhomën e Ulët të Parlamentit, ekziston ende mundësia që Brexiti të shtyhet, gjë që mirë do ishte të ndodhte, pavarësisht se si.