Fatos RUSHITI
Shkup, 3 janar – Viti 2017 për Maqedoninë ishte vit i ngjarjeve të bujshme politike, ku ndërrimi i pushtetit nga VMRO tek LSDM jo vetëm që u zvarrit për katër muaj, por kulmoi edhe me ngjarje të dhunshme ditën 27 prillit, kur dhe u votua që një shqiptar për herë të parë të zgjidhet kryetar i Parlamentit të Maqedonisë – Talat Xhaferi nga BDI, shkruan gazeta KOHA. Ishin qindra përkrahës të VMRO-së që pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, hynë me dhunë në Parlament duke sulmuar deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa mes atyre më së shumti pësoi kryetari Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ndërsa dëmtime pati edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deputetë tjerë dhe disa prej gazetarëve. Sela u tërhoq zvarrë pa ndjenja ndërsa ishte punëtori i sigurimit të Parlamentit, Feta Alimi që e shpëtoi nga huliganët maqedonas të mbështetur nga VMRO. Kjo ngjarje mori jehonë gjithandej dhe rriti presionin ndërkombëtar që presidenti Gjorge Ivanov më në fund ta mandatojë liderin e LSDM-së për të formuar Qeverinë – gjë që ndodhi pas një muaji. Qeveria e re me kryeministër Zoran Zaev u zgjodh me 61 vota për – nga 49 deputetë të LSDM-së, 10 të BDI, dhe tre deputetë të koalicionit të atëhershëm LR-PDSH-RDK-UNITETI, ndërsa 5 deputetë e Lëvizjes BESA votuan të përmbajtur. Sa i përket posteve nga partitë shqiptare – BDI fitoi dy zëvendëskryeministra, njëri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe tjetri për Çështje evropiane, ndërsa nga ministritë fitoi atë të Drejtësisë, Ekonomisë, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ministër pa resor për Investime të huaja në vend. Nga koalicioni i partive shqiptare, Aleanca për Shqiptarët fitoi Ministrinë e Shëndetësisë, RDK Ministrinë e Pushtetit Lokal, ndërsa UNITETI u mjaftua me sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë.
LUFTA E PA KOMPROMIS PËR GJUHËN SHQIPE
Partitë shqiptare ndonëse në zgjedhjet e fundit parlamentare fituan më pak deputetë – 20 gjithsej, u erdhi shansi historik në sistemin aktual politiko-juridik që vërtetë të kushtëzojnë dy partitë më të mëdha maqedonase – VMRO dhe LSDM për realizimin të kërkesave nacionale, ku më kryesorja ishte avancimi i gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në vend. Për këtë pati një koordinim paraprak mes partive shqiptare që fituan vende në Parlament – përveç PDSH-së, edhe atë me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që liderët e BDI-së, ASH-së, PDSH-së, RDK-së, UNITETIT dhe Lëvizjes BESA të nënshkruhet një Deklaratë politike për realizimin e kërkesave në mënyrë graduale të shqiptarëve. Kjo bëri që BDI të përpilojë një draft-ligji për përdorimin e gjuhëve, kur në nenin 1 ishte decizive se përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha që e flasin mbi 20 për qind të popullsisë, ndërsa në nenet pasuese – gjuha e dytë zyrtare (gjuha shqipe) të ketë përdorim të gjerë në të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë dhe ato gjyqësore si dhe bankënotat dhe uniformat policore dhe ushtarake. Ndonëse mbi 80 për qind të këtij draft-ligji u pranua nga VMRO dhe lideri i saj i atëhershëm, Nikolla Gruevski, të cilit presidenti Ivanov i dha mandatin më 19 janar të vitit 2017, ndërsa BDI në ditën e fundit të mandatit refuzoi bashkëqeverisje me VMRO-në. Djegia e mandatit për formimin e Qeverisë nuk u prit mirë nga VMRO, e cila shfrytëzoi kryesuesin e seancës nga radhët e saj, Trajko Veljanovki, të bllokoi Parlamentin për një kohë të gjatë përmes fjalimeve, replikave dhe kundër replikave të deputetëve të saj. Ishte Ligji për shqipen që presidenti Ivanov kërkoi garanci nga mandatari i dytë, Zoran Zaev, që ky Ligj nuk do të prish unitetin e Maqedonisë dhe nuk do të cenojë integritetin e shtetit dhe kushtetutën e vendit. Ndonëse u premtua që Ligji për shqipen do të jetë ndër ligjet e para që do të miratohet në Parlament – menjëherë pas votimit të Qeverisë, kjo nuk ndodhi dhe u zvarrit procesimi i saj në Parlament. LSDM dhe Zaevi arritën të bindin partnerët shqiptarë në Qeveri që Ligji për shqipen të shtyhet për votim pas zgjedhjeve lokale me qëllim që të mos ndikojë në uljen e rejtingut dhe rezultateve zgjedhore tek elektorati maqedonas. Por as pas zgjedhjeve lokale, të cilat Zaev i fitoi mbi 90 për qind te komunat maqedonase – mes tyre dhe një komunë shqiptare – atë të Haraçinës, nuk u shpejtua Ligji për shqipen. Bile, LSDM tentoi që përmes propozimit të 4 amendamenteve të inkorporojë dhe gjuhët e komuniteteve tjera në propozim-ligj. Por kjo u parandalua nga deputetët e BDI-së, duke mos lejuar debat për ato amendamentet bazuar dhe në atë se në ligjet me shenjën e BE-së, debati në komision është i kufizuar në tre ditë. Pas Vitit të RI, më 9 janar kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, premtoi se Ligji për shqipen do të jetë në lexim të dytë ku nuk ka debat dhe do të shkohet direkt në votim. E pritshme është që presidenti Ivanov të mos e nënshkruaj këtë Ligj, i cili dhe mund të kthehet për votim të dytë, por që më pas do të hyjë në fuqi menjëherë pas votimit
PËRÇARJA, E JO BASHKIMI SIMBOL I PARTIVE SHQIPTARE
Ulja në një tryezën të përbashkët për nënshkrimin e Deklaratës shqiptare e shumicës së liderëve të partive shqiptare dhe disa takime të tyre pas formimit të Qeverisë me fokus përcjelljen e zbatimi të këtij dokumenti u pa me sy të mirë tek opinion shqiptarë, por që në fund rezultoi më çarje të partive të koalicionit qeveritar BDI-ASH, nga e cila çarje përfitoi LSDM duke i marrë atyre Ministrinë e Shëndetësisë edhe atë përmes një kuadri të afërt për shumë vite me VMRO-në. Kur jemi tek interesat shqiptare, partitë nuk mësuan nga pësimi me uljen e numrit të deputetëve nga 27 sa kishin më parë në 20, por në zgjedhje lokale garuan veçmas, ndërsa në rrethin e dytë – ASH bëri koalicion me partinë opozitare BESA, ndërsa BDI dhe LSDM vazhduan koalicionin qendror edhe në nivel lokal, koalicion që i bëri fitues absolut të zgjedhjeve lokale në mbi 90 për qind të komunave.
NË PLAN TË DYTË AGJENDAT POLITIKE SHQIPTARE
Fokusi tek reformat në disa sfera – sidomos në gjyqësor, ku dhe rezultoi edhe me nisjen e zbardhjes së rasteve të montuara politike si rasti “Monstra” dhe “Sopoti”, nga maji kur u formua Qeveria e deri në fund të dhjetorit, nuk u pa diçka serioze që përfituan shqiptarët, veçanërisht nga barazia buxhetore. Kur jemi tek ndarja e pushtetit, LSDM edhe pse pa votat e partive shqiptare asnjë ditë nuk mund të rrijë në pushtet, mori gjithçka deshi nga kulaçi qeveritar, ndërsa shqiptarët u mjaftuan me poste zëvendësish në drejtoritë më të rëndësishme të sigurisë – në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, Agjencinë për Zbulim, Drejtorinë e Policisë, Drejtoria e Burgjeve, Drejtorinë për Siguri Publike… Në propozim-buxhetin për vitin 2018 nuk ka planifikim për rritje pagash (veçmas në arsim dhe shëndetësi për 5 për qind). Qeveria për gjatë vitit 2017 ndonëse premtoi zhvillim të barabartë rajonal, 6 muaj që kur formua e njëjta nuk ka një Strategji të qartë si të zhvillojë komunat, ndërsa nuk ka edhe rritje të TVSH për komunat në masën 13 % sa u premtua para zgjedhjeve parlamentare dhe as që është paraparë për vitin 2018 kjo rritje. Investime kapitale as për këtë vit nuk ka për autostradën Shkup-Bllacë dhe ende Qeveria aktuale merret me probleme të planifikimit, ndërsa tani thuhet se autostrada do të nis të ndërtohet tek në vitin 2019. Shqiptarët, mbushës të mëdhenj të buxhetit të shtetit, me gjasë do të presim edhe zgjedhjet lokale të vitit 2021 dhe nuk do të kenë ujë të pijshëm dhe kanalizime nëpër fshatra që kanë dhe mbi pesë mijë banorë. Përderisa në kohën e qeverisjes së VMRO-së koha kalonte me “Car Dushanin”, me “Kalanë”, “Kryqin”, në kohën e qeverisjes me LSDM si dukjet koha po kalon me “reformat” dhe shqiptarët rrinë anash e vështrojnë se kur do të realizohen të njëjtat. Assesi të bëhen bashkë pozitë dhe opozitë dhe të determinojë realisht realizmin e kërkesave të shqiptarëve, jo vetëm Ligji për gjuhët, por edhe realizimin në masë 25 për qind të futjes së shqiptarëve në institucionet shtetërore, kur ende kemi institucione që nuk kanë të punësuar asnjë shqiptar, barazinë buxhetore dhe gjëra tjera me interes për shqiptarët.
ÇKA PRITET PËR VITIN 2018
Në vitin 2018, siç pritet – Maqedonia mund të merr ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e qershorit, me gjasë me emrin FYROM meqë koha e shkurtër prej 5 muajve nuk premton se do të ketë zgjedhje të çështjes së emrit me Greqinë e që – edhe po të ketë marrëveshje, nuk mund të kalojë pa marrë vulën e Referendumit. Paraprakisht, palët me ndërmjetësimin e SHBA-se dhe të BE-së edhe pse bisedimet zhvillohen nën patronatin e OKB-së, mund të arrijnë marrëveshje për emrin para Samitit të NATO-s, ndërsa emrat që përfliten në kuluaret diplomatike janë “Maqedonia e Veriut”, “Maqedonia e re” dhe “Republika e Maqedonisë-Shkupi”. Nga kërkesat e shqiptarëve me gjasë do të mjaftohet me miratimin e Ligjit për gjuhët, dhe aspekte tjera të Deklaratës shqiptare zor se mund të realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme me siguri të parakohshme bashkë me zgjedhjet presidenciale në prill të vitit 2019-të, kjo pasi zgjedhjet do të imponohen nga realiteti i ri politik me ndryshimin e emrit të shtetit.
Në aspekt të qeverisjes, Aleanca për Shqiptarët mund të zëvendësohet nga PDSH e Menduh Thaçit bazuar edhe në logjikën se kjo parti – në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale e ndihmoi BDI-në dhe LSMD-në në disa komuna kyçe si në Tetovë, Gostivar, Çair, Strugë e Likovë. Regjistrim të Popullsisë duket që nuk do të kemi dhe për vitin 2018, përmes së cilit shqiptarët shpresojnë shumë se do të rrisin përqindjen në shtet, përqindje kjo që nga regjistrimi i largët i vitit 2012 ishte 25. Ajo që mund të marrë vëmendjen e opinionit vendas dhe ndërkombëtar mund të jenë arrestimet eventual të ish kreut të VMRO-së, ndërsa nuk përjashtohen as ish-zyrtarë të latë qeveritar të BDI-së në rast se Gjykatat vërtetojnë akuzat e Prokurorisë Speciale Publike për korrupsion. Parlamenti në rast të mos hyrjes së PDSH-së në Qeveri dhe që kulaçin qeveritar që kishte ASH të ndajnë mes vete BDI dhe LSDM, do të vazhdojë të jetë me shumicë të brishtë prej 61 deputetësh – LSDM 49, BDI 10, RDK 1 dhe deputeti i pavarur Çedomir Sazdov, por që nuk përjashtohet as bashkëngjitja e deputetit rom Amdi Bajram. Mbetet të shihet nëse ASH dhe BESA do të vazhdojë koalicionin që patën zgjedhje lokale dhe të veprojnë si koalicion karshi pozitës. Në aspektin ekonomik, koha do të kalojë duke stabilizuar Buxhetin dhe nuk premtohet rritje e lartë ekonomike. Si rezultat i presionit të ulët nga partitë shqiptare – edhe viti 2018 mund të kalojë pa u hapur dy pikat kufitare me Kosovën në Bellanoc dhe me Serbinë në Llojan. (koha.mk)