Shkup, 1 janar – Në vitin 2017, Maqedonia hyri me një krizë politike, e cila me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 11 dhjetor të vitit 2016 pritej të përfundojë.
Pas zgjedhjeve, partitë politike negociuan me qëllim formimin e qeverisë, ndërsa për shkak të kësaj krize që vazhdoi edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, institucionet shtetërore nuk ishin plotësisht funksionale, gjë që e vështirësoi më shumë funksionimin normal të qytetarëve të këtij vendi.
Fillimi i vitit 2017 poashtu ishte edhe skenë e protestave të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.
27 prill: Pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar të Kuvendit të Maqedonisë, protestuesit e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” të cilët u tubuan jashtë shtëpisë ligjvënëse, u futën me forcë brenda institucionit. Si rezultat i protestuesve të dhunshëm që synonin deputetët, u plagosën rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, pjesëtarë të forcave policore dhe përfaqësues të mediave.
4 maj: Pas një periudhe disa mujore negociatash, që vijuan pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016, u formua shumicë parlamentare.
17 maj: Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i dorëzoi mandatin Zoran Zaevit, liderit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), për të formuar qeverinë e re në Maqedoni.
8 korrik: Stadiumi kombëtar “Filipi i dytë” në Shkup priti finalen e UEFA Superkupës mes skuadrave Real Madrid dhe Manchester United. Në këtë ndeshje morën pjesë mijëra tifozë nga vende të ndryshme evropiane.
2 nëntor: Njoftohet dënimi i 37 të akuzuarve nga grupi i armatosur për ngjarjet e 15 majit të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, në të cilin shtatë persona u dënuan me burgim të përjetshëm, katër u liruan dhe të pandehurit e tjerë morën dënim me burg prej 12 deri në 40 vjet.
23 nëntor: Qeveritë e Maqedonisë dhe Bullgarisë zhvilluan një seancë të përbashkët mes dy qeverive në Strumicë të Maqedonisë, pas së cilës ministrat e institucioneve të të dy vendeve nënshkruan marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me rëndësi të përbashkët, ndër të cilat marrëveshje për intensifikimin e punëve të jashtme, trajnimin e vozitësve në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin në raste të katastrofave, marrëveshje për heqjen e roaming-ut, si dhe të tjera në fushën e investimeve, energjetikës, mbrojtes dhe turizmit.
5 dhjetor: Gjykata Penale shqiptoi paraburgim 30-ditor për deputetët Krsto Mukoski, Ljuben Arnaudov dhe Sasho Vasilevski, ndërsa për deputetët Johan Tarçulovski, Zhaklina Peshevska dhe Ljupço Dimovski shqiptoi arrest shtëpiak. Deputetët akuzohen si pjesëmarrës në ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, ku 36 persona janë në ndjekje penale.
10 dhjetor: Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dha dorëheqjen e tij nga udhëheqja e partisë. Në krye të partisë, Gruevski është që nga viti 2003. (koha)